Kuvendi miraton në parim buxhetin 8.8 mld euro dhe paketën fiskale, opozita kundër

0

Kuvendi ka miratuar në parim projektbuxhetin 2026, me një vlerë totale prej 8.8 miliardë euro, në një seancë maratonë që zgjati rreth 16 orë dhe përfundoi rreth orës 03:00 të mëngjesit.

Dokumenti mori 83 votat pro të mazhorancës socialiste, ndërsa opozita votoi e gjitha kundër. Në sallë ishin të pranishëm 112 deputetë, nga të cilët 32 të opozitës u shprehën kundër.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti dhe paketa fiskale do t’i rikthehen komisioneve dhe procedurës parlamentare për shqyrtim nen për nen dhe votim në tërësi.

Buxheti prej 8.8 miliardë eurosh parashikohet të mbështesë shërbimet publike dhe programet kryesore të qeverisë, nga shëndetësia, pagat, skemat e ndihmës për familjet në nevojë, pensionet dhe arsimi, te punësimi, bujqësia, transporti rrugor, drejtësia dhe fondet për sigurinë kombëtare, në kuadër të angazhimeve ndaj NATO-s.

 

Projektligjet e paketës fiskale 2026 sjellin disa ndryshime të rëndësishme për bizneset dhe qytetarët.

Projektligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore parashikon faljen e rreth 500 milionë eurove detyrime e gjoba të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, si dhe lehtësime për borxhet e krijuara gjatë viteve 2015–2024, me kusht që një pjesë të paguhet brenda vitit 2026.

Marrëveshja e re e paqes fiskale u jep bizneseve me xhiro mbi 14 milionë lekë mundësinë të negociojnë fitimin e tatueshëm për një periudhë deri në tre vjet. Fitimit të deklaruar i shtohet një marzh 18% që tatohet me 15%, ndërsa çdo fitim mbi këtë prag tatohet me 5%, duke krijuar lehtësi për bizneset e mëdha.

Projektligji për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme u mundëson qytetarëve dhe kompanive të përafrojnë vlerën e pronës me çmimin real të tregut, kundrejt një tatimi vetëm 5%, duke ulur ndjeshëm kostot e tatimit mbi fitimin nga shitja.

Në ligjin e TVSH-së rikthehet kompensimi për bujqësinë, ku fermerët do të marrin 10% të vlerës së faturës nga grumbulluesit.

Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore ulin kufirin e pagesave me cash mes bizneseve nga 150 mijë në 100 mijë lekë dhe vendosin kufi maksimal 500 mijë lekë për pagesat cash nga individët dhe të vetëpunësuarit.

Projektligji për sistemin e taksave vendore përjashton nga taksa e ndikimit në infrastrukturë investimet publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

Dy nismat e tjera, për faturën dhe monitorimin e qarkullimit si dhe ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, sjellin lehtësime për sponsorizimet në sport, kërkim dhe zhvillim.

 

The post Kuvendi miraton në parim buxhetin 8.8 mld euro dhe paketën fiskale, opozita kundër appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

18 − seven =