Kryeministri Rama “besnik” ndaj Melonit, refuzon Starmer për emigrantët nga Britania e Madhe

0

Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një ceremoni zyrtare kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer. Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri britanik në Shqipëri që zhvillohet në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve.

Pas takimit, Rama dhe Starmer zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se marrëveshja me Italinë për qendrat e kthimit të emigrantëve nuk përbën një precedent për marrëdhëniet me vende të tjera.

“Ishte një marrëveshje e vetme, për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë dhe situatës gjeografike. Na kanë kërkuar një gjë të tillë edhe vende të tjera, por ne i qëndrojmë besnikë “martesës” me Italinë, me të tjerët është vetëm dashuri,” u shpreh Rama me një ton figurativ.

Nga ana e tij, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer theksoi se ideja e ngritjes së qendrave të kthimit të emigrantëve në vendet jashtë BE-së është një qasje novatore që po diskutohet me shumë shtete.

“Këto qendra kthimi do të shtohen, dhe detajet do të jepen në kohën e duhur,” deklaroi ai.

Sipas të dhënave të bëra publike nga kryeministri britanik deri më tani janë kthyer 24 mijë persona që nuk kishin të drejtë të qëndronin në Britaninë e Bashkuar, pjesë e një strategjie më të gjerë për të menaxhuar emigracionin e paligjshëm.

Më tej gjatë konferencës për shtyp kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri Edi Rama vlerësuan modelin e bashkëpunimit mes dy vendeve për frenimin e emigracionit të paligjshëm, si një histori suksesi që mund të shërbejë si shembull edhe për vende të tjera.

Duke iu referuar rezultateve të viteve të fundit, Starmer deklaroi se “diskutuam për efikasitetin që kemi treguar gjatë dy-tre viteve të fundit në uljen drastike të trafikimit të paligjshëm. Kemi një qasje të përbashkët: të mos i biem rrotull problemeve, por t’i zgjidhim së bashku. Ky model ka qenë më efektivi deri tani.”

Ai theksoi se fokusi i bashkëpunimit është edhe në luftën kundër aktiviteteve kriminale ndërkufitare.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se marrëveshja me Britaninë është pjesë e një modeli më të gjerë bashkëpunimi, i ngjashëm me atë që Shqipëria po zhvillon edhe me Italinë.
“Modeli që kemi sjellë me Italinë kërkon kohën e vet për t’u testuar, por nëse funksionon, mund të aplikohet edhe në vende të tjera të rajonit.”

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së Britanisë në Procesin e Berlinit, me synimin për të krijuar një bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve të Ballkanit dhe Britanisë në luftën kundër trafikimit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale.

“Qëllimi është që kjo hapësirë të mos jetë më terren për rrjete kriminale, por për bashkëpunim të strukturuar dhe rezultate konkrete.”

Më herët mediat britanike kanë shkruar se, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është duke shqyrtuar mundësinë e hapjes së disa qendrave për emigrantët jashtë territorit britanik, me qëllim strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve që nuk kanë fituar të drejtën e qëndrimit në Britani. Ndër vendet që janë propozuar për të mirëpritur këto qendra renditen Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut. Këto qendra do të shërbenin si fazë tranzitore përpara se emigrantët të deportohen në vendet e tyre të origjinës.

Nga delegacionet e të dy qeverive pritet të nënshkruhen dy marrëveshje. E para, që do të firmoset nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, ka në fokus eksportet dhe bashkëpunimin industrial. Ndërsa marrëveshja e dytë, që do të nënshkruhet nga ministri i Jashtëm Igli Hasani, trajton çështje me interes të përbashkët, përfshirë edhe emigracionin.

 

The post Kryeministri Rama “besnik” ndaj Melonit, refuzon Starmer për emigrantët nga Britania e Madhe appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

12 + 20 =