Ka dështuar edhe përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Edhe në vazhdimin e së premtes, sikurse në katër të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë. Për kanë votuar 56 deputetë.
Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish – në përpjekjen e tyre të trembëdhjetë – ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Dështimi më i fundit ndodhi të premten, pikërisht tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe të premten kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin institucional, duke theksuar se rruga për të dalë nga kriza është ndërrimi i kandidates për kryetare të Kuvendit
“Sot bëhen pothuajse tre muaj që nga zgjedhjet dhe qytetarët ende nuk kanë institucione funksionale. Verdikti i tyre po dhunohet nga Vetëvendosja”, deklaroi Krasniqi, duke akuzuar partinë fituese se po pamundëson konstituimin e institucioneve.
Ai e cilësoi situatën si “tragjikomike” dhe shtoi se zgjidhja është e thjeshtë.
“Duhet të propozohet një kandidat/e që ka shumicën e votave në Kuvend. Dihet që Albuelna Haxhiu nuk i ka dhe nuk do t’i ketë ato vota. Vetëvendosja duhet ta ndërrojë kandidaten”.
Krasniqi theksoi se qytetarët e kanë dhënë një mesazh të qartë në zgjedhje – se qeverisja duhet të bazohet në bashkëpunim, jo në dominimin e një partie të vetme.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka lënë të kuptohet se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Duket se po shkojmë drejt një procesi zgjedhor, dhe nëse shkojmë fletëvotimi duhet të jetë i qartë: Kosova apo Albulena Haxhiu”, tha ajo.
Bajrami tha se e përkrahin që lënda për vendimet e Avni Deharit, të shkojë në Kushtetuese.
“Nëse ka iniciativa për Gjykatë Kushtetuese, ne e analizojmë lëndën dhe jemi për zhbllokimin e situatës. Z.Dehari nuk na dha as fjalën, aty iu drejtova që mundet me na ftu edhe 48 herë, po si LDK nuk kemi vota për ndryshimin e mënyrës së votimit. Më lejoni të iu informoj që kemi mbledhur nënshkrimet e disa deputetëve. Do të dërgojmë kërkesë në ZRRE për anulimin e dy vendimeve: anulimin e vendimit për të hyrat maksimale që ka rezultuar me rritjen e çmimit të rrymës, dhe vendimin tjetër për detyrimin e 1300 kompanive për të dalur në tregun e hapur”.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se i kanë mbledhur nënshkrimet dhe se do ta kontestojnë në Kushtetuese kërkesën e LVV-së për ndryshim të mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga e hapur në votim të fshehtë.
“LVV-ja po kërkon ndryshimin e mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa propozuar një emër. Kjo nuk po ndodh, kemi cungim të agjendës së fillimit dhe në për shkak të shkeljeve ligjore, se bashku me deputetë të LDK-së por edhe të PDK-së, për shkak të kërkesës për ndryshim të mënyrës së votimit në mes të procesit, ne kemi mbledhur nënshkrimet, do t’i adresohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë shkelje kushtetuese”, ka deklaruar Kadrijaj.
Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.
Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.
Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.
The post Kosova ende pa Kuvend të ri, dështon edhe përpjeka e 13-të për konstituimin e tij appeared first on Revista Monitor.








