Konsolidimi i biznesit të modës

0

Në industrinë e luksit pritet një valë marrëveshjesh. Një lidhje e propozuar midis kompanive Prada dhe Versace është vetëm fillimi

 

Në botën e luksit së shpejti priten shitje me vlerë të lartë. Marka e njohur italiane Prada, është në bisedime për të blerë markën Versace. Më 13 mars, Donatella Versace dha dorëheqjen si drejtuese e firmës së themeluar nga vëllai i saj.

Giorgio Armani, themeluesi 90-vjeçar i markës me të njëjtin emër, ka thënë se nuk e përjashton një bashkim me kompani tjetër, teksa po planifikon të dalë në pension.

Muajin e kaluar, familja që zotëron markën italiane Ferragamo, siguroi stafin se nuk ishte në shitje, pasi shefi u largua papritmas.

Konsolidime të tilla në industrinë e modës janë bërë prej dekadash, shkruan The Economist.

Tre gjigantët e luksit, kompania franceze LVMH, kompania tjetër franceze Kering dhe kompania zvicerane Richemont, përbënin 31% të shitjeve globale të mallrave të luksit në vitin 2023, nga 19% në vitin 2014, sipas përllogaritjeve të firmës këshillimore BCG. Një mënyrë e rëndësishme si e arritën këtë, është nëpërmjet blerjeve të markave të tjera.

Që nga viti 2000, janë lidhur të paktën 33 marrëveshje nga tre grupet e lartpërmendura. Kështu, shumë marka të pavarura tani po arrijnë në përfundimin se nuk mund të mbijetojnë dot të vetme në një treg gjithnjë e më të vështirë. Prandaj, pritet një valë e re marrëveshjesh.

Biznesi i luksit po përjeton një rënie të dhimbshme. Dobësimi i rritjes ekonomike në Amerikë dhe Kinë ka bërë që blerësit të shpenzojnë më pak për fustane, çanta dhe këpucë luksoze.

Shitjet e luksit ranë me 2% në vitin 2024, sipas përllogaritjeve të firmës këshillimore Bain. Të dhënat e kartave të kreditit nga Banka Citi, tregojnë se shpenzimet për markat më të mira luksoze në Amerikë u ulën me 5% në bazë vjetore, muajin e kaluar.

Të ashtuquajturat “marka aspirative” si Burberry dhe Versace, që kanë si klientë njerëz të pasur, por jo jashtëzakonisht të pasur, po përjetojnë vështirësi financiare më të mëdha.

Markat e pavarura janë goditur më shumë se grupet e mëdha të luksit. “Kjo kohë krize do të nxisë shitjet e kompanive”, mendon Federica Levato, nga firma këshillimore Bain.

Këto zhurma janë rritur edhe për shkak të largimit të themeluesve të markave. Përveç Armanit, edhe Dolce & Gabbana po bën plane për kalimin e trashëgimisë. Markat e vogla por në modë, si The Row, e themeluar nga binjakët Olsen, po përmenden gjithashtu si shënjestra të mundshme të blerjes.

Rritja e shkallës krijon përparësi të mëdha në biznesin e luksit, vëren Guia Ricci, nga kompania BCG. Ajo sjell fuqi bisedimi kur bëhet fjalë për reklamat dhe pronën. Gjithashtu tërheq talent.

Drejtuesit e ardhshëm dhe stilistë të rinj bashkohen me konglomeratët luksozë duke e ditur se do të kenë mundësi të punojnë me marka të shumta.

Autoritetet e konkurrencës gjithashtu mund të mos jenë më aq armiqësore ndaj marrëveshjeve të blerjeve.

Vitin e kaluar, Komisioni Federal i Tregtisë i Amerikës bllokoi blerjen e kompanisë Capri, e cila zotëron Versace-n, nga kompania Tapestry, e cila zotëron firmat Coach dhe Kate Spade. Por administrata Trump ka sinjalizuar se do të jetë më e hapur ndaj bashkimeve të markave.

Europa gjithashtu mund të jetë e gatshme të lejojë marrëveshje që forcojnë më tepër industrinë e modës, një nga të paktat industri europiane që mbizotërojnë në të gjithë globin.

Biznesi i luksit do të vazhdojë të konsolidohet edhe në mënyra të tjera. Vitet e fundit, markat kanë qenë shumë aktive. Në vitin 2023, grupi francez LVMH bleu Grupo Verdeveleno, një kompani spanjolle e veshjeve të lëkurës.

Chanel është çiftuar me Brunello Cucinelli dhe Prada me Ermenegildo Zegna Group për të blerë aksione në kompanitë italiane të prodhimit të leshit.

Marrëveshje të tilla u japin kompanive luksoze një kontroll më të madh mbi zinxhirët e furnizimit, në një kohë kur këto janë nën një kontroll të rreptë. Autoritetet italiane së fundmi kanë hetuar shfrytëzimin e paligjshëm të fuqisë punëtore në industrinë e modës në vend.

Një person i njohur në Instagram me emrin Tanner Leatherstein është bërë i famshëm duke prerë çantat luksoze për të treguar sa keq janë prodhuar disa prej tyre.

Në një sondazh në janar nga revista e modës Vogue, shumica e blerësve thanë se arsyeja pse po shpenzonin më pak për mallrat luksoze ishte se ato nuk dukeshin më të vlefshme për çmimin. Kjo me siguri do t’i bëjë të ngërdheshen drejtuesit e kompanive të modës të veshur me kashmir.

 

 

The post Konsolidimi i biznesit të modës appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

sixteen − 15 =