Në përpjekje për të stimuluar ekonominë, autoritetet kineze kanë ndërmarrë hapa konkretë, duke ulur normat kryesore të interesit dhe kërkesat për rezervat që bankat duhet të mbajnë. Masa vjen në një kohë kur Pekini përballet me presione të shtuara nga lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe synon të nxisë huadhënien dhe rritjen ekonomike të brendshme.
Autoritetet kineze kanë njoftuar një paketë të re masash për të mbështetur ekonominë, teksa tensionet tregtare me SHBA-në po godasin sektorin e prodhimit dhe eksportet. Banka Popullore e Kinës do të ulë normën bazë të interesit dhe do të reduktojë me 0.5 pikë përqindje raportin e rezervës që bankat duhet të mbajnë, duke liruar rreth 1 trilion juanë (rreth 138 miliardë dollarë) likuiditet afatgjatë në sistemin bankar.
Guvernatori i bankës qendrore, Pan Gongsheng, deklaroi gjithashtu se do të ulet me 0.1 pikë përqindje norma repo shtatë-ditore, në 1.4%, ndërsa do të reduktohen edhe normat e interesit për depozitat dhe huatë rifinancuese.
Masat vijnë në një moment kur shumë fabrika po reduktojnë prodhimin, anulojnë porositë e eksportit dhe nisin pushime të përkohshme për punonjësit, si pasojë e përshkallëzimit të luftës tregtare me SHBA.
Pekini dhe Uashingtoni deklaruan të mërkurën se do të zhvillojnë bisedimet e tyre të para tregtare që prej nisjes së luftës tregtare nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa të dy palët kërkojnë një rrugëdalje për të reduktuar tarifat ndëshkuese.
Lufta tregtare vjen në një kohë kur Kina po përballet me kërkesë të dobët të brendshme, duke e detyruar Pekinin të ndërmarrë disa raunde të lehtësimit të politikës monetare që nga viti i kaluar.
Pan tha se masat e fundit erdhën për shkak të “pasigurive në ekonominë globale, fragmentimit ekonomik dhe tensioneve tregtare, të cilat kanë prishur zinxhirët globalë të furnizimit industrial.”
Ulja e raportit të rezervës për bankat do të thotë se mesatarja e ponderuar në sektor do të ulet në 6.2 për qind nga 6.6 për qind, tha Pan.
Banka Popullore e Kinës do të ulë gjithashtu raportin e rezervës për kompanitë e leasing-ut financiar dhe për ato të financimit të automjeteve në zero, nga 5 për qind, një masë që do të lirojë kapital dhe do të përmirësojë kapacitetin e tyre për të dhënë kredi.
Kostoja e huamarrjes nga një program i udhëhequr nga qeveria për blerje banesash do të ulet me 0.25 pikë përqindje në 2.6 për qind, tha Pan, për të “mbështetur nevojat bazë për strehim të banorëve dhe për të ndihmuar në stabilizimin e tregut të pasurive të paluajtshme.”
Li Yunze, drejtori i Administratës Kombëtare të Rregullatorit Financiar – institucioni mbikëqyrës i sektorit financiar në Kinë – deklaroi se vendi do të zbatojë masa të reja për të mbështetur eksportuesit, “me qëllim stabilizimin e veprimtarisë së tyre dhe ndihmën për të zgjeruar tregjet.”
Ai shtoi se Kina do të prezantojë gjithashtu mekanizma të rinj financimi për të mbështetur sektorin e pasurive të paluajtshme, i cili po përjeton vështirësi, dhe do të zgjerojë një program pilot që lejon më shumë financim nga kompanitë e sigurimeve të shkojë drejt tregut të aksioneve.
“Po i shfrytëzojmë plotësisht përparësitë e fondeve të sigurimeve si kapital i qëndrueshëm dhe afatgjatë, dhe do të lejojmë hyrjen e tyre më të fortë për të stabilizuar tregun,” tha Li.
Indeksi Hang Seng i Hong Kongut u rrit me 2.2% menjëherë pas hapjes së tregjeve, ndërsa indeksi CSI 300 i Kinës kontinentale u rrit me 0.7%. Ndërkohë, renminbi i tregtuar jashtë Kinës, i cili lëviz lirshëm, u zhvlerësua me 0.1%, duke arritur në 7.21 juanë për dollar./ FT
The post Kina ul normat kryesore të interesit për të nxitur ekonominë appeared first on Revista Monitor.









