Investitorët japonezë po kthejnë vëmendjen drejt Europës, pasi zhvillimi i teknologjive “të thella” (deep tech*) po tërheq gjithnjë e më shumë kapital jashtë vendit. Sasi të mëdha parash po derdhen nga Japonia drejt startup-eve europiane të teknologjisë, ndërsa investitorët tradicionalisht të kujdesshëm po preferojnë një ekosistem sipërmarrës më të pjekur, duke ndihmuar zgjerimin e këtij sektori në rritje të kontinentit.
Ndërsa startup-et dhe kapitalet e sipërmarrjes në Europë kanë vepruar gjithmonë në hijen e Silicon Valley, sot kontinenti është kthyer në një terren pjellor për korporatat japoneze, që në tregun vendas kanë ende një ekosistem më të ri. Sipas të dhënave të fondit NordicNinja dhe platformës Dealroom, investitorët japonezë apo fondet e kapitalit sipërmarrës (venture capital funds, VC) që kanë investitorë japonezë (të njohur si limited partners), kanë marrë pjesë në raunde financimi në Europë me vlerë mbi 33 miliardë euro që prej vitit 2019, kur hyri në fuqi marrëveshja tregtare BE–Japoni. Në pesë vitet para kësaj marrëveshjeje, investimet arrinin vetëm 5.3 miliardë euro.
Sipas raportit, korporata si Mitsubishi, Sanden, Yamato Holdings dhe Marunouchi Innovation Partners po investojnë drejtpërdrejt në teknologjinë europiane, ndërsa fondee e kapitalit sipërmarrës si NordicNinja, Byfounders dhe Woven Capital i Toyotës po mbështesin startup-e në kontinent.
Në raport thuhet se në Europë ka mbi dyfish më shumë startup-e të mbështetura nga fonde VC për frymë sesa në Japoni, dhe 4.3 herë më shumë “unicorns”, kompanitë e reja private që arrijnë një vlerësim mbi 1 miliard dollarë, pa qenë ende të listuara në bursë.
Dëshira e Japonisë për të investuar ka qenë gjithmonë e pranishme, por në fillim të viteve 2000, kompanitë e mëdha u drejtuan drejt SHBA-së për të krijuar degë të kapitalit sipërmarrës, në kërkim të mundësive të reja. Më vonë e kuptuan se kultura amerikane është shumë ndryshe nga ajo japoneze, dhe nisën të mendojnë për Europën, ku profili i sipërmarrësve, shpesh ish-menaxherë korporatash, ishte më afër mentalitetit japonez. Ndryshe nga SHBA-ja, ku themeluesit janë zakonisht të rinj nga universitetet, në Europë shumë vijnë nga kompani si Nokia apo Skype dhe kanë eksperiencë industriale.
Investitorët japonezë janë veçanërisht të fokusuar tek “deep tech”, startup-e që mbështeten në kërkime shkencore dhe inovacion inxhinierik. Në vitin 2024, 70% e marrëveshjeve të tyre në Europë ishin në teknologji të thella dhe inteligjencë artificiale. Disa prej kompanive më të financuara me kapital japonez përfshijnë startup-in britanik të automjeteve autonome Wayve (1.05 miliardë dollarë), firmën britanike të kompjuterëve kuantikë Quantinuum (273 milionë euro) dhe kompaninë spanjolle Multiverse Computing (189 milionë euro), të mbështetura përkatësisht nga Softbank, Mitsui dhe Toshiba.
Sipas Sarah Fleischer, bashkëthemeluese dhe CEO e startup-it gjerman Tozero, që riciklon materiale për bateritë, kompanitë japoneze kanë një etje shumë më të madhe për investime sesa homologët europianë. “Ato janë të pasura me përvojë industriale dhe prodhimi, kanë rezerva të mëdha kapitali dhe po kërkojnë të rriten jashtë Japonisë,” tha ajo. Për Tozero, që ka mbledhur 14.5 milionë euro dhe ka investitorë si NordicNinja, Honda dhe JJC, bashkëpunimi me partnerë japonezë është vlerë e shtuar edhe për shkak të njohurive të tyre në zinxhirët e furnizimit me minerale kritike.
Në kohën e tensioneve SHBA–Kinë, Japonia shihet gjithashtu si urë drejt tregjeve aziatike. Megjithatë, siç pranon Sohara, ritmi i sipërmarrjes në Japoni mbetet i ngadaltë. “Numri i sipërmarrësve është ende i kufizuar, sepse shumë talente të brezit të vjetër dëshironin të punonin për Toyota, Honda apo Sony,” tha ai, por shtoi se mendësia e brezit të ri po ndryshon.
Në Europë, gjithashtu, shumë themelues të rinj kërkojnë një ekosistem të fortë për të ndërtuar kompanitë e tyre, por barrierat gjuhësore dhe kulturore shpesh krijojnë pengesa. “Ka shumë keqkuptime që mund të shkatërrojnë menjëherë një partneritet,” tha Fleischer, duke treguar se kishte kaluar javë në Japoni për t’u njohur personalisht me investitorët e saj. “Aty marrëdhëniet ndërtohen ngadalë, me kujdes.”
Vendimmarrja është më e ngadaltë, por më e thelluar. “Ata bëjnë detyrat e shtëpisë,” shtoi ajo, “duke ndihmuar kompanitë të kuptojnë si të ndërtojnë fabrikat e ardhshme, ndoshta duke nisur nga Japonia.” Edhe Aaike van Vugt, CEO i firmës holandeze të nanoteknologjisë VSParticle, tha se “pa mbështetjen e NordicNinja, do të kishte qenë shumë më e vështirë të krijonim lidhjet e duhura.”
Softbank, megjithatë, mbetet një rast më vete. “Softbank është krejt ndryshe nga kultura tradicionale e investimeve japoneze,” shpjegon Sohara. Ndryshe nga fondet që veprojnë në bazë konsensusi, ajo drejtohet nga vendimet e themeluesit Masayoshi Son. Gjatë bumit të kapitalit sipërmarrës në vitin 2021, Softbank investoi shuma gjigante dhe mori pjesë në 22% të marrëveshjeve me kapital japonez atë vit.
Duke parë përpara, Sohara dhe Fleischer parashikojnë bashkëpunim edhe më të madh midis Europës dhe Japonisë, megjithëse pritet që investimet japoneze në 2025 të jenë rreth 3 miliardë euro, një rënie krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht kësaj, interesi për Japoninë është në rritje.
“Po më kontaktojnë gjithnjë e më shumë për t’i prezantuar me investitorë japonezë,” tha Fleischer, duke shtuar se kjo lidhet edhe me nxitjen politike nga vetë qeveria japoneze për të forcuar praninë globale të industrisë së saj. “Është pjesë e një strategjie kombëtare për t’u pozicionuar më zgjuar gjeopolitikisht dhe për të forcuar rolin e Japonisë në ekosistemet ndërkombëtare të inovacionit.” / CNBC
* Deep tech i referohet teknologjive të avancuara që bazohen në kërkime shkencore dhe inovacion inxhinierik, si IA, robotika dhe energjia e pastër.
The post Kapitali japonez zhvendoset në Europë, teknologjitë e avancuara tërheqin investimet jashtë vendit appeared first on Revista Monitor.







