Flet Jonid Jorgji, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë
Shqipëria po hyn me hapa të sigurt në hartën ndërkombëtare të industrisë së filmit.
Nga peizazhet e saj të pazëvendësueshme që shtrihen nga deti në male, deri te kostoja konkurruese e prodhimit dhe mbështetja institucionale që po konsolidohet, vendi ynë po shndërrohet në një destinacion tërheqës për produksionet e huaja.
Në një bisedë për “Monitor”, kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, shpjegon pse Shqipëria shihet gjithnjë e më shumë si një “set filmik natyror”, cilat janë përparësitë reale që ofron, rolin e QKK-së në këtë transformim dhe si mund të kthehet kinemaja në një motor ekonomik e turistik për vendin.
Cilat janë elementet kryesore që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për producentët dhe regjisorët e huaj që kërkojnë vende të reja për xhirime?
Shqipëria është, në vetvete, një set filmik natyror. Në një rreze të shkurtër mund të kalosh nga bregdeti mesdhetar në male alpine, nga qytetet historike në fshatra që duket sikur kanë ndalur kohën. Kjo lloj kompaktësie gjeografike është një pasuri që u kursen produksioneve kohë dhe para dhe u ofron regjisorëve fleksibilitet maksimal.
Por Shqipëria nuk është vetëm “pamje e bukur”. Ajo po ndërtohet si një vend gjithnjë e më mikpritës për industrinë e filmit: me kornizë institucionale më të qartë, mbështetje logjistike dhe një klimë bashkëpunimi që ndihmon projektet të ndodhin.
Kostoja e ulët e prodhimit është gjithashtu një avantazh i jashtëzakonshëm, pa përjashtuar faktin që Shqipëria është ende një nga vendet më pak të shfrytëzuara vizualisht, çka i jep çdo projekti një ndjenjë “zbulimi”.
Dhe nuk mund të mos përmendet faktori njerëzor: këtu gjen profesionistë të përkushtuar, me pasion dhe me dëshirë për t’u rritur. Kjo energji është shpesh ajo që e kthen një xhirim në një përvojë krijuese të paharrueshme.
Si ka ndryshuar perceptimi ndërkombëtar për Shqipërinë në vitet e fundit në raport me industrinë e filmit?
Nga një pikë e bardhë në hartën filmike, Shqipëria po kthehet në një territor që ngjall kureshtje dhe interes të vërtetë.
Ky ndryshim nuk ka ardhur rastësisht, është rezultat i një përqasjeje të re nga shteti dhe institucionet për ta parë industrinë audiovizuale si një instrument të zhvillimit ekonomik dhe diplomatik, jo thjesht kulturor.
Sot, Shqipëria është më e pranishme në forume ndërkombëtare, më e aksesueshme për produksionet e huaja dhe mbi të gjitha, më e parashikueshme. Stabiliteti politik dhe siguria janë faktorë që nuk duhen nënvlerësuar, veçanërisht në një industri që operon me afate, buxhete dhe ekipe të mëdha.
Prania e rritur e produksioneve të huaja, suksesi i bashkëprodhimeve me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësimi i Shqipërisë në evente prestigjioze po krijojnë një “valë të re” perceptimi. Në vend që të pyesin “ku është Shqipëria?”, tashmë producentët pyesin: “si mund të xhirojmë atje?”.
Sa e rëndësishme është larmishmëria gjeografike e Shqipërisë në vendimmarrjen e kompanive të huaja për të xhiruar këtu?
Ekstremisht e rëndësishme. Prodhuesit e dinë se çdo orë që kursehet në zhvendosje është para e kursyer. Shqipëria ofron shumëllojshmëri peizazhesh që mund të simulojnë zona të ndryshme të botës – nga Mesdheu në Alpe, nga Lindja në Perëndim – të gjitha brenda një distance që askund tjetër nuk e gjen kaq afër.
Përveç kësaj, Shqipëria po investon seriozisht në ruajtjen dhe aktivizimin e siteve turistike dhe monumenteve të kulturës. Vende si Berati, Gjirokastra, Shkodra apo Apolonia dhe Butrinti janë jo vetëm pjesë e trashëgimisë sonë, por edhe pasuri vizuale që u japin filmave autenticitet dhe frymë.
Producentët duan vende që duken të vërteta – dhe Shqipëria është reale, e paprekur dhe e gatshme të tregojë histori.
Çfarë roli luan Qendra Kombëtare e Kinematografisë në lehtësimin e procedurave burokratike dhe në mbështetjen e këtyre produksioneve?
Synimi im është që QKK të kthehet në një pikë reference për produksionet që duan të punojnë në Shqipëri, jo thjesht si zyrë informuese, por si një partner operativ në terren. Nga lejet te bashkëpunimi me bashkitë, nga orientimi në lokacione te lidhjet me profesionistët lokalë, QKK ndërhyn atje ku procesi ka nevojë për mbështetje reale.
Në të njëjtën kohë, Qendra është jashtëzakonisht aktive në tregjet ndërkombëtare duke promovuar Shqipërinë si lokacion xhirimi duke prezantuar talente shqiptare dhe duke krijuar ura bashkëpunimi me kompani dhe institucione të huaja.
Një tjetër mision i rëndësishëm është financimi i bashkëprodhimeve në minorancë, një strategji e mençur që sjell produksione të huaja në territorin shqiptar, duke aktivizuar burimet lokale dhe duke rritur ndërveprimin profesional.
QKK nuk është thjesht një derë hyrëse, është një dritare nga ku Shqipëria shfaq potencialin e saj në botën filmike.
A ekziston një skemë incentivash financiare për produksionet e huaja, dhe sa konkurruese është Shqipëria në këtë drejtim krahasuar me vendet e tjera të rajonit?
Skema cash rebate është aktualisht në fazën finale të hartimit dhe synimi është i qartë: të jetë një nga më konkurrueset në rajon. Do të jetë një mjet i fuqishëm për tërheqjen e investimeve të huaja, me rregulla të qarta, proces transparent dhe efektivitet në zbatim.
Ndërkohë, po punohet për të rijetëzuar hapësira publike dhe industriale, si kombinate apo magazina të braktisura, në studio filmike me standarde moderne dhe kosto të përballueshme.
Po diskutohet një regjim i veçantë fiskal për artistët dhe profesionistët e huaj që vendosen në Shqipëri. Synimi është të krijohet një komunitet ndërkombëtar krijues, që e sheh Shqipërinë jo vetëm si lokacion, por si bazë të përhershme pune.
Edhe pa aktivizuar ende skemën e rebate, Shqipëria mbetet një kombinim i rrallë: vend me natyrë të jashtëzakonshme, kosto të ulëta, njerëz të aftë dhe institucione që duan ta çojnë industrinë përpara.
A është infrastruktura teknike dhe burimet njerëzore vendase (aktorë, teknikë, staf mbështetës) e gatshme për të përballuar kërkesat e projekteve të mëdha ndërkombëtare?
Industria shqiptare ka hyrë në një fazë të re, ku kapacitetet profesionale po rriten ndjeshëm. Kemi një brez të ri teknikësh – nga regjisor, teknikë, deri te menaxherë lokacionesh e artistë të efekteve vizuale , që jo vetëm janë formuar brenda vendit, por kanë pasur fatin të punojnë në produksione ndërkombëtare. Dhe ky kontakt me standardin global po e ngre cilësinë gjithnjë e më lart.
Por jemi të vetëdijshëm që s’mjafton vetëm dëshira. Prandaj, kjo është sfida jonë e radhës: të garantojmë jo vetëm bukuri natyrore dhe mikpritje, por edhe kapacitete teknike të nivelit të lartë.
QKK, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit, po zhvillon programe të posaçme trajnimi në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, për të certifikuar dhe për të fuqizuar profesionistët shqiptarë në të gjitha hallkat e zinxhirit filmik. Rritja e industrisë duhet të jetë gjithëpërfshirëse – jo vetëm në imazh, por edhe në thelb.
Sa mund të ndikojë zhvillimi i këtij sektori në ekonominë lokale dhe në promovimin e turizmit kulturor?
Kinemaja nuk është vetëm art – është ekonomi, zhvillim dhe diplomaci kulturore. Një film nuk “konsumon” vetëm skena – konsumon shërbime lokale, punëtorë, infrastrukturë dhe përhap histori. Sipas përvojës së rajonit, çdo 1 euro e investuar në industrinë filmike, gjeneron deri në 7 euro për ekonominë vendase. Ky është një potencial që nuk mund të anashkalohet.
Një produksion që zgjat vetëm disa javë mund të përfshijë qindra profesionistë dhe të gjenerojë të ardhura të drejtpërdrejta në hoteleri, gastronomi, transport, pajisje teknike, logjistikë, kostume, ndriçim, madje edhe ndërtim skenash.
Por ndoshta ndikimi më i fuqishëm është në turizëm. Një film është më shumë se promovim – është një ftesë emocionale për të ardhur dhe për ta përjetuar vendin.
Siç ndodhi me Kroacinë pas “Game of Thrones”, ose me Zelandën e Re pas “Lord of the Rings”, një film i suksesshëm mund ta vendosë një vend të tërë në hartën e dëshirës turistike globale. Shqipëria e ka këtë potencial – dhe kinemaja është çelësi që e hap këtë derë.
Cilat janë sfidat kryesore që Shqipëria duhet të adresojë për të forcuar pozitën si një destinacion konkurrues për xhirime?
Çdo industri që do të rritet në mënyrë të qëndrueshme, ka nevojë për tre shtylla: infrastrukturë, burime njerëzore dhe incentivim të qëndrueshëm. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm, por sfida jonë është ta ngremë këtë entuziazëm në një ekosistem funksional dhe afatgjatë.
Duhet të vazhdojmë të investojmë në trajnimin e teknikëve dhe profesionistëve të fushës, të përshpejtojmë miratimin e skemës cash rebate, të krijojmë studio filmike moderne, të forcojmë imazhin tonë ndërkombëtar dhe të bëjmë më të lehtë çdo hap për një kompani që zgjedh të xhirojë në Shqipëri.
Po, sfidat janë reale, por edhe vullneti institucional është po aq i madh. Shqipëria ka hyrë në garë për të qenë jo vetëm një zgjidhje alternative në rajon, por një pikë referimi për produksione të guximshme, krijuese dhe ndërkombëtare.
Si e shihni të ardhmen? Synohet Hollywood-i, por në terma praktikë, a mund të bëhet Shqipëria një qendër rajonale për produksionet filmike?
Hollywood-i është padyshim një simbol i madh i industrisë, por ne nuk po garojmë për t’u bërë Hollywood, po garojmë për të qenë vetja jonë, në nivelin më të lartë të mundshëm.
Qëllimi ynë është realist, por ambicioz: ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër rajonale të produksioneve filmike, me potencial për t’u integruar në zinxhirin e madh europian dhe ndërkombëtar. Me peizazhet që kemi, kostot konkurruese, profesionalizmin që po rritet dhe një klimë që është gjithnjë e më bashkëpunuese, kjo nuk është më ëndërr – është një objektiv konkret.
Nëse deri dje Shqipëria konsiderohej “plani B”, sot gjithnjë e më shpesh po bëhet zgjedhja e parë. Dhe e ardhmja na takon nëse vazhdojmë ta ndërtojmë me vendosmëri, vizion dhe profesionalizëm.
Lexoni edhe:
Hollywood-i? Jo më një ëndërr, kur do të xhirohen filmat në Shqipëri
The post “Jemi konkurrues me skema lehtësuese, peizazhe unike dhe talente vendase” appeared first on Revista Monitor.









