Lufta tregtare e Donald Trump dhe borxhi qeveritar në rritje të shpejtë kanë tronditur besimin në asetet amerikane
Investitorët e mëdhenj institucionalë po largohen nga tregjet amerikane, ndërsa luftërat tregtare të Donald Trump dhe borxhi në rritje i vendit nxisin frikën për dominimin e aseteve amerikane në portofolet globale.
Politika e çrregullt tregtare e presidentit amerikan ka tronditur tregjet globale në muajt e fundit, duke shkaktuar një shitje të ndjeshme të dollarit amerikan dhe duke i lënë aksionet e Wall Street-it shumë prapa rivalëve europianë këtë vit.
Projektligji historik i taksave i Trump, i cili parashikohet të shtojë 2.4 trilionë dollarë në borxhin e Uashingtonit gjatë dekadës së ardhshme, ka rritur gjithashtu presionin mbi thesarin amerikan.
Ndërsa investitorët institucionalë po shqyrtojnë shkallën e zotërimeve të tyre në SHBA, Caisse de dépôt et placement du Québec, fondi i dytë më i madh i pensioneve në Kanada, tha së fundmi se do të zvogëlonte ekspozimin ndaj SHBA – aktualisht 40 % të portofolit të saj. Planifikon të rrisë investimet në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani.
Aksionet amerikane kanë rikuperuar humbjet që pasuan njoftimin e Trump për tarifat më 2 prill. Por S&P 500 mbetet më pak se 2 % në rritje këtë vit, krahasuar me 9 % për indeksin Stoxx Europe 600.
Dollari është afër nivelit më të ulët në tre vjet – 9 % në rënie këtë vit – edhe pse Trump është tërhequr nga shumë prej tarifave që ai njoftoi fillimisht.
Investitorët thonë se dominimi global i ekonomisë amerikane dhe thellësia e tregjeve të saj të kapitalit do të thotë se ajo do të mbetet destinacioni kryesor për investime globale.
Megjithatë, shumë veta po vënë në pikëpyetje nëse më shumë se një dekadë e gjysmë hyrjesh dhe performancë të lartë — të cilat e çuan pjesën amerikane të vlerës së tregut global të aksioneve në rreth dy të tretat deri në fillim të këtij viti — po shkojnë drejt përmbysjes.
“Kemi filluar të shohim shenjat e hershme të investitorëve që po largohen nga SHBA-ja”, tha Richard Oldfield, drejtor ekzekutiv i firmës administruese të aseteve në Mbretërinë e Bashkuar Schroders.
Tregjet në Europë, ku një shpenzim i madh gjerman prej 1 trilion eurosh për mbrojtje dhe infrastrukturë pritet të nxisë rritjen, kanë përfituar nga kujdesi i investitorëve ndaj ekspozimit të SHBA-së.
Firma e investimeve Neuberger Berman me seli në Nju Jork ka bërë 65 % të bashkë-investimeve të saj në kapital privat në Europë këtë vit, nga 20-30 % në vitet e fundit.
Sfondi makroekonomik në Europë nuk ka qenë më i mirë se në SHBA, por është më i qëndrueshëm. Nuk janë vetëm luftërat tregtare, por edhe disa nga paqëndrueshmëritë e brendshme në SHBA dhe projektligjet e propozuara tatimore që ndikojnë te investitorët jo-amerikanë.
Disa investitorë vënë në dyshim nëse tregjet më të vogla dhe më të fragmentuara në Europë dhe Azi ofrojnë një alternativë kuptimplote.
Europa ende ka rritje dhe një nivel shumë të lartë rregullimi, dhe Kina është ende e ndërlikuar”, tha Marks i Oaktree. “Ku tjetër mund të vendosen sasi të mëdha kapitali?” / FT
The post Investitorët e mëdhenj largohen nga tregjet amerikane appeared first on Revista Monitor.









