Intervistë me Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Grupin BALFIN
Nga SHBA dhe vendet e BE ku Grupi Balfin operon, janë marrë praktikat më të mira, për të unifikuar përfitimet dhe programet e motivimit kudo, edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”, pohon Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Grupin BALFIN.
Ai shton se Balfin e ka përshtatur strategjinë ndaj ndryshimeve demografike që po kalon rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshime që vendet e tjera në Perëndim ku ata janë të pranishëm i kanë kaluar shumë vite më parë.
Cilat janë politikat dhe praktikat kryesore që aplikoni për motivimin e punonjësve, në sektorët ku operon?
Grupi BALFIN është i pranishëm në 11 shtete dhe kjo na ka mundësuar që të kemi një tablo të plotë të eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për sa i përket trajtimit dhe motivimit të punonjësve.
Politikat që ne zbatojmë synojnë të krijojnë një mjedis ku punonjësit ndihen të vlerësuar dhe të frymëzuar për të dhënë më të mirën e tyre.
Këtë e arrijmë duke u mbështetur në katër elemente kryesore: vlerësim i drejtë dhe periodik i performancës, ofrimi i një pakete përfitimesh që përherë përditësohet sipas tregut, krijimi i kushteve dhe mjedisit optimal të punës dhe dëgjimi i vazhdueshëm i zërit të kujtdo.
Politikat e menaxhimit të performancës sigurojnë një sistem transparent që nxit meritokracinë dhe rritjen profesionale. Procesi i vlerësimit kryhet në mënyrë të strukturuar, duke përfshirë objektiva të qarta dhe plane individuale të zhvillimit.
Mirënjohja ndaj punonjësve është një tjetër element shumë i rëndësishëm në motivimin e punonjësve.
Një sërë nismash realizohen në funksion të njohjes së arritjeve në punë dhe promovimit të sjelljeve të dëshiruara të punonjësve.
Paketat e përftimeve konsistojnë në një kombinim të shpërblimeve financiare dhe jofinanciare, duke përshirë bonuse për arritje, sigurime shëndetësore suplementare, subvencione për transport dhe ushqim, si dhe mbështetje për shëndetin mendor dhe fizik.
Politika e fleksibilitetit në punë ofron mundësinë e punës nga shtëpia për punonjësit, duke kontribuuar në ekuilibrin punë-jetë personale.
Përdorimi i teknologjisë dhe platformave dixhitale lejon menaxhimin efektiv të punës në distancë. Kultivimi i vazhdueshëm i kulturës së inovacionit dhe bashkëpunimit synon nxitjen e mendimit kreativ dhe punës së skuadrës si vlera thelbësore të kompanisë.
Platforma të brendshme për sugjerime inovative dhe projekte të hapura për pjesëmarrje nga punonjësit e çdo niveli. Një vëmendje të veçantë i është dhënë përdorimit të teknologjisë për përmirësimin e përvojës së punonjësve nëpërmjet automatizimit të proceseve të burimeve njerëzore dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
A keni incentiva apo programe të veçanta që kanë dhënë rezultate pozitive në ruajtjen dhe zhvillimin e stafit, duke marrë në konsideratë problematikën në tregun shqiptar sa i përket mungesës së fuqisë punëtore?
Një nga praktikat më të rëndësishme është zhvillimi i punonjësve. Njerëzit nuk kërkojnë vetëm një vend pune, por një mundësi për të mësuar, për të avancuar dhe për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme.
Duke e kuptuar këtë, grupi investon çdo vit gjithnjë e më shumë në trajnime, programe zhvillimi dhe nisma që mbështesin talentin dhe rritjen profesionale në të gjitha nivelet e organizatës.
Përmes Balfin Training Academy ofrojmë trajnime të specializuara që adresojnë nevojat e secilit sektor ku operojmë, duke siguruar që punonjësit tanë të jenë gjithmonë të përgatitur për sfidat dhe mundësitë e tregut.
Në të njëjtën kohë, Balfin Talent Pool Program është një nismë e posaçme për identifikimin dhe zhvillimin e liderëve të ardhshëm, duke u ofruar atyre mentorim, rotacion të pozicioneve dhe projekte sfiduese që i ndihmojnë të fitojnë përvojë të gjerë ndërsektoriale.
Për të nxitur inovacionin dhe shkëmbimin e njohurive, organizojmë forume dhe samite të dedikuara si Balfin Innovation Summit, Balfin Retail Forum dhe Balfin Real Estate Forum, ku ekspertët e industrisë dhe punonjësit e grupit diskutojnë trendet më të fundit dhe ndajnë praktikat më të mira.
Përveç zhvillimit profesional, kujdesemi edhe për mirëqenien e punonjësve tanë, duke ofruar evente sociale, aktivitete sportive dhe mbështetje psikologjike.
Programet tona të balancës punë-jetë ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe rritjen e produktivitetit, duke siguruar që punonjësit tanë të kenë një mjedis pune të shëndetshëm dhe motivues.
Në BALFIN Group, investimi në njerëz nuk është vetëm një politikë e burimeve njerëzore, por një strategji afatgjatë për të ndërtuar një forcë punëtore të fuqishme, të motivuar dhe të angazhuar.
A mund të flasim në vetvete për strategji për menaxhimin e talenteve dhe ndërtimin e një mjedisi pune të qëndrueshëm dhe inovativ? Cilat do të ishin?
Si një grup me prani ndërkombëtare dhe një portofol të diversifikuar në sektorë si tregtia me pakicë, zhvillimi i pasurive të paluajtshme, bankë, menaxhim asetesh, turizëm, edukim dhe logjistikë, ne e kuptojmë që talentet janë thelbi i suksesit tonë.
Punonjësit kanë një rrugë të qartë për zhvillimin e karrierës, bazuar në performancën, aftësitë dhe përkushtimin e tyre.
Promovimi i talenteve të brendshme është një prioritet, duke garantuar që individët me potencial të lartë të kenë akses në trajnimet më të avancuara dhe programe për drejtues dhe udhëheqës të lartë.
Përmes Balfin Talent Pool Program, identifikojmë dhe përgatisim drejtuesit e së nesërmes, duke i angazhuar në rotacion të pozicioneve dhe projekte strategjike që u mundësojnë të fitojnë përvojë të gjerë ndërsektoriale.
Në të njëjtën kohë, ne i kushtojmë rëndësi ndërtimit të një kulture inovative, ku mendimi i lirë dhe kreativiteti nxiten në çdo nivel. Duke operuar në industri të ndryshme, është ndërtuar një ekosistem i diversifikuar i mikrokulturave brenda grupit, duke siguruar që çdo sektor të ruajë identitetin dhe fleksibilitetin e tij, ndërkohë që mbetet i harmonizuar me strategjinë e përgjithshme të grupit.
Këto strategji nuk janë vetëm një investim në suksesin e kompanisë, por edhe një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e komuniteteve ku operojmë. Duke punësuar mbi 5500 profesionistë nga më shumë se 15 kombësi, duke promovuar diversitetin dhe përfshirjen, jo vetëm që fuqizon individët, por edhe kontribuon në përparimin e shoqërisë.
Si krahasohet qasja e BALFIN me praktikat e motivimit të punonjësve në kompani të tjera të ngjashme në rajon?
Të qenët të tregje si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austri dhe vende të tjera të Bashkimit Europian na ka ndihmuar shumë që të shikojmë praktikat me të.
Nga SHBA dhe vendet e BE-së ku ne operojmë kemi marrë praktikat më të mira për të unifikuar përfitimet dhe programet e motivimit kudo, duke i zbatuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ne nuk e shohim rekrutimin thjesht si një proces plotësimi të pozicioneve, por si një mundësi për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm talentesh, duke ofruar rrugë të qarta karriere dhe programe të personalizuara zhvillimi.
Përveç kësaj, përfitimet që ofrojmë janë të menduara përtej motivimit financiar.
Përveç pagave konkurruese dhe bonuseve të bazuara në performancë, ne kemi ndërtuar një strukturë të gjerë përfitimesh që përfshin sigurimin shëndetësor, mbështetje për shëndetin mendor, fleksibilitet në punë dhe aktivitete të fokusuara në mirëqenien e punonjësve.
Kjo qasje holistike na lejon të ruajmë nivele të larta angazhimi dhe tërheqjeje të talenteve.
Një tjetër element dallues është mundësia për lëvizshmëri. Me këtë dua të them që ne i përgatisim punonjësit tanë që të kenë mundësi të kalojnë jo vetëm në pozicione më të larta, rritje horizontale, por edhe të kalojnë në kompani të tjera brenda grupit, rritje diagonale.
Si ka ndikuar dinamika e tregut të punës në rajon në strategjitë tuaja për të tërhequr dhe për të mbajtur punonjësit më të mirë?
Ne e kemi përshtatur strategjinë tonë ndaj ndryshimeve demografike që po kalon rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshime që vendet e tjera në Perëndim ku ne jemi të pranishëm i kanë kaluar shumë vite më parë.
Duke ju përgjigjur sfidës, ne kemi krijuar programe të personalizuara që reflektojnë nevojat dhe pritshmëritë e brezave të ndryshëm në industri të ndryshme.
Nga njëra anë, ofrojmë programe fleksibël për të rinjtë që hyjnë në tregun e punës, ndërsa nga ana tjetër, sigurojmë mundësi zhvillimi për profesionistët me përvojë që kërkojnë rritje të mëtejshme.
Shikojmë një rritje të ndjeshmërisë së brezave më të rinj karshi ndikimit social dhe mjedisor të kompanive ku ata punojnë, duke kërkuar gjithnjë e më shumë një punëdhënës me ndërgjegje sociale dhe etikë.
Jo vetëm që krijojmë vende të reja pune dhe tërheqim investime ndërkombëtare, por edhe promovojmë praktika të biznesit të përgjegjshëm, të përputhura me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe standardet ESG.
Ky angazhim na lejon të jemi një punëdhënës i preferuar i më të rinjve dhe një lider në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
The post “Investimi në njerëz, jo vetëm si politikë e burimeve njerëzore, por një strategji afatgjatë” appeared first on Revista Monitor.








