Të gjitha bizneset që kanë bërë evazion fiskal qeveria do ti falë përpara zgjedhjeve. Socialistët që deri në fund të vitit të shkuar i kishin shpallur luftë evazionit dhe informalitetit, tanimë kërkojnë të bëjnë paqe me të.
Sot në Elbasan socialistët premtuan amnisti për të gjitha të ardhurat e fshehura nga biznesi në 5 vitet e fundit. Pra çdo subjekt që ka deklaruar më pak se ka fituar në 5 vitet e fundit, do të ketë mundësi ti deklarojë në 3 vitet e ardhshme, dhe nuk do të ketë asnjë penalitet, madje dhe do të përfitojnë. Ata mund të deklarojnë edhe të ardhura nga burime informale, dhe nuk do të tatohen me 15% por vetëm me 5%.
“Për të gjithë bizneset që dorëzojnë një bilanc t’u japim të drejtën që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vjet mbrapsht, duke rishikuar zërat e ndryshme të bilancit dhe paguar tatim prej 5% për çdo diferencë që do të rishikohet. Kjo bëhet që biznesi të mbyllë historikun e të kaluarës dhe të ecë në të ardhmen i sigurt dhe në paqe”, u shpreh ministrja për shtetit për sipërmarrjen Delina Ibrahimaj.
Një skemë e ngjashme amnistie u propagandua edhe në fushatën e vitit 2021, por u bllokua nga ndërkombëtaret pasi i hap rrugën pastrimit të parave.











