Hapet qarkullimi i rrugës Qukës -Qafë Plloçë, Balluku: Aksi i ri do jetë degëzim i Korridorit 8

0

Është inauguruar përfundimi i punimeve të aksit Qukës- Qafë Plloçë, ku prej ditës së sotme do të jetë i aksesueshëm për të gjithë automjetet.

Përfundimi i punimeve në këtë aks pritet jo vetëm të lehtësojë qarkullimin drejt juglindjes, por edhe të krijojë mundësi zhvillimi për të gjithë zonën, duke nxitur më tej turizmin, por edhe sektorin bujqësor.

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin të pranishëm në hapjen e rrugës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha se ky aks do të jetë një degëzim i rëndësishëm i korridorit 8, ku punimet po ecin me ritme optimale.

Balluku theksoi gjithashtu se me përfundimin e punimeve do të nisë një sfidë tjetër ajo e mirëmbajtjes, sepse zona është malore dhe do të ketë prezencë ngricash, por të gjitha kompanitë që do të ofrojnë mirëmbajtjen janë me eksperiencë.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sfidat e shumta të ndërtimit dhe theksoi rëndësinë strategjike të përfundimit të këtij aksi.

“S’e kam harruar diskutimin që kemi bërë atëherë kur e morëm në trashëgimi këtë projekt që kishte nisur pa projekt, që ishte tmerr dhe që Niko thoshte se kjo duhej bërë patjetër. Është projekti më i gjatë, më i stërmundimshëm, më i ngatërruar për shkak se u nis mbrapsht.

Edhe tani është gjë e madhe që mbaroi, edhe që edhe njerëzit e zonës, për të cilët është fitore e madhe, çlirim i madh, po edhe gjithë kjo zonë e Shqipërisë e ka në dispozicion edhe do të marrë gjithë përfitimet që sjell. Po është një çlirim shumë i madh. Dukej sikur s’do mbaronte kurrë”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Sakaq prej mesit të muajit korrik, rruga ka nisur të përshkruhet nga banorët e zonës për lehtësi dalje në qytetet e Pogradecit apo drejt Korçës, duke evituar kalimin nëpërmjet rrugës së vjetër të paasfaltuar.

Ky projekt infrastrukturor strategjik për zonën e Mokrës u projektua në vitin 2009 nga qeveria e asaj kohe dhe filloi zbatimin në terren në vitin 2011. Në vitin 2013, pas ndryshimit të qeverisë, projekti u rishikua për të reflektuar zhvillimet e reja në infrastrukturë. Fillimisht ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2019, por deri më sot afatet janë shtyrë katër herë, për shkak të vështirësive teknike dhe financiare.

Kostoja përfundimtare për realizmin e projektit arriti 240 mln USD.

Nga kjo shumë:

-Vetëm 2.9 km të segmentit janë ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit (vlerë 4-5 milionë USD).

-Pjesa tjetër është financuar nga kredia e Bankës Islamike për Zhvillim (IsDB) dhe Fondit Saudit për Zhvillim.

Pavarësisht zhvillimit që pritet t’i sjellë zonës së Mokrës, e cila mbështetet në blegtori disa inxhinierë kanë kritikuar kostot e larta të ndërtimit të rrugës. Fillimisht sipas tyre projekti parashikohej të kushtonte 150 mln USD, por për shkak të terrenit të thyer malor, kostoja u rrit ndjeshëm.

ARRSH e ka pranuar vështirësinë teknike të realizimit, duke theksuar se terreni i thyer ishte një nga faktorët kryesorë që solli shtyrjet dhe rritjen e kostove të punimeve.

Projekti parashikon ndërtimin e:

-43.3 km rrugë, me gjerësi totale 12 metra (2 korsi × 3.75 m, 2 bankina asfaltike × 1.5 m dhe 2 bankina të pa asfaltuara × 1 m).

-Më shumë se 20 ura e viadukte, mure mbajtës dhe pritës.

-Një tunel me gjatësi 375 metra.

-Rruga kalon për 10 km përgjatë lumit Shkumbin, për të vijuar më pas në zonën malore të Mokrës.

Financimi është ndarë në:

-Lotin 0 (0.0 – 2.9 km): me fonde nga buxhetit i shtetit.

-Lotin 1 dhe 2 (2.9 – 33.8 km): financuar nga Banka Islamike për Zhvillim.

-Lotin 3 (33.8 – 40.5 km): financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim.

Ky aks do të jetë gjithashtu pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, duke krijuar lidhje të rëndësishme në infrastrukturën kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

The post Hapet qarkullimi i rrugës Qukës -Qafë Plloçë, Balluku: Aksi i ri do jetë degëzim i Korridorit 8 appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

five × five =