Bankomatet kanë qenë gjithmonë të lakmuara nga krimi duke u favorizuar nga përhapja shumë e madhe, larg sistemit bankar dhe mbikëqyrjes fizike të tyre dhe pikërisht për këtë arsye, ato duhet të përmirësohen duke rritur në vazhdimësi nivelin e sigurisë me masa mbrojtëse.
MSc Roland Tashi
ATM-të (Automated Teller Machine) janë pajisje, makineri brenda të cilave janë të përfshira teknologji dhe sisteme mekanike, elektrike, informatike, të cilat u ofrojnë një shërbim tepër të veçantë klientëve të bankës kudo që ata ndodhen, ju mundëson të kryejnë transaksione financiare brenda apo jashtë vendit, ditën dhe natën pa asnjë ndalesë pa pasur nevojë për një punonjës banke.
ATM-ja e parë u instalua në Enfield, Londër, Angli, më 27 qershor 1967 nga Banka Barclays Bank, nga John Shepherd-Barron.
Prej një periudhe gati 60-vjeçare, kjo pajisje është në shërbim duke u përmirësuar vazhdimisht jo vetëm për të plotësuar nevojat dhe kërkesat në rritje, por edhe për të mbrojtur klientët dhe bankën nga grabitësit e hershëm dhe ata të sotëm, hackerat, të cilët shfrytëzojnë rrjetet dhe programet informatike që makina përdor.
Në Shqipëri, ATM-ja e parë u vendos nga ProCredit Bank. Pas përgatitjeve, blerjes së pajisjeve dhe trajnimit të stafit në korrik 2003, banka lëshoi kartën e parë për t’u përdorur në 11 pajisjet e instaluara.
Në vitin 2024, sipas raportimeve të BSH, numri i ATM-ve u rrit në 1,028, ku 37% e tyre ofrojnë edhe depozitimin e parave, siç njihet ndryshe funksioni cash-in. [1]
Funksionet e ATM-së moderne janë shtuar ndjeshëm, sot kjo pajisje ofron shërbime për tërheqjen dhe depozitimin fizik të parave, kontrollin e gjendjes dhe transferimin e fondeve ndërmjet llogarive, printimin e ekstrakteve, ndërrimin e PIN-it, si dhe shërbime të tjera shumë të nevojshme.
I përmenda këto për të kuptuar që kjo pajisje me gjithë këto funksione, e instaluar kudo në territorin e një vendi, duhet të jetë shumë e mbrojtur jo vetëm fizikisht, por edhe në sistemet e operimit teknologjik dhe informatik nga grabitësit inteligjentë, hackerat, që nuk janë asgjë tjetër veçse hajdutë dhe kriminelë me kravatë dhe doreza të bardha.
Bankomatet kanë qenë gjithmonë të lakmuara nga krimi duke u favorizuar nga përhapja shumë e madhe, larg sistemit bankar dhe mbikëqyrjes fizike të tyre dhe pikërisht për këtë arsye, ato duhet të përmirësohen duke rritur në vazhdimësi nivelin e sigurisë me masa mbrojtëse.
Le të shohim disa metoda kryesore të mashtrimit dhe sulmeve ndaj ATM-ve, për t’u ndalur më pas te teknika “Jackpotting”.
Sulmet e bazuara në inxhinierinë sociale janë metoda që kërkojnë kontakt fizik me pajisjen ku përdoret edhe manipulimi psikologjik për të mashtruar përdoruesin.
Këtu bëjnë pjesë teknikat tashmë të njohura si: Phishing dhe Smishing (dërgimi i e-mail dhe mesazheve SMS-ve mashtruese), Vishing (telefonata të rreme, tashmë të sofistikuara duke përdorur edhe Inteligjencën Artificiale).
Ndërhyrje fizike ndaj makinës: Card Skimming/Card Shimming (instalimi i pajisjeve për të kopjuar të dhënat e shiritit magnetik dhe çipit të kartës), Cash Trapping (vendosja e një pajisjeje që bllokon paratë në dalje), Card Trapping (bllokimi fizik i kartës), Fake Fronts/ATM Overlay (pjesë false të vendosura mbi pjesët origjinale të makinës).
Sulme dixhitale ndaj sistemit, – Black Box Attacks, (pajisje të jashtme që lidhen me portat e brendshme të ATM-së), Instalimi i malware (vendosja e USB, direkt apo nëpërmjet rrjetit për të detyruar makinën të nxjerrë para), Network-Based Attacks, (ndërhyje në rrjetin e bankës ose ATM-së për të manipuluar transaksionet).
Për t’u kthyer te përmbajtja e shkrimit, “ATM Jackpotting”, një nga fenomenet më të përhapura në nivel global është një teknikë kibernetike kriminale, e cila aplikohet prej disa vitesh duke u shkaktuar humbje të mëdha ekonomike operatorëve që administrojnë bankomatet.
Termi “Jackpotting”, në kontekstin e sigurisë kibernetike, ka të bëjë me mashtrimin ose vjedhjen e parave nga bankomatet, manipulimin e një makine në mënyrë që ajo të nxjerrë paratë sikur grabitësi të kishte fituar “jackpot”-in.
Edhe pse fenomeni është bërë i njohur më shumë se një dekadë më parë, niveli i tanishëm i sofistikimit dhe përfitimit ka arritur nivele të larta.
Kjo formë sulmi, e cila është sofistikuar gjatë viteve, ashtu siç përmirësohen të gjitha teknikat kriminale, të cilat duhet thënë se në disa raste janë një hap më përpara se masat mbrojtëse, përbën një sfidë serioze për institucionet financiare dhe një kërcënim në rritje në fushën e sigurisë kibernetike.

Si funksionon “Jackpotting”
Faza e parë përfshin ndërhyrjen fizike në bankomat për të gjetur mundësinë e instalimit të pajisjeve; faza e dytë, ajo dixhitale shfrytëzon sistemin informatik për të futur malware të dëmshëm.
Një nga malware më të përdorur është Ploutus, i zhvilluar dhe aplikuar fillimisht në Amerikën Latine që i “ndihmon” sulmuesit të kontrollojnë makinën dhe të tërheqin paratë pa lënë gjurmë.
Ajo që mbetet më shqetësuese është fakti se këto sulme shpesh kalojnë pa u diktuar për orë të tëra. Ndryshe nga vjedhja me kartë, ku një transaksion mund të zbulohet ose anulohet, “Jackpotting” kuptohet vetëm kur bankomati mbetet pa vlera monetare.
Dëmi, humbja ekonomike për bankat mund të jetë i menjëhershëm, por fenomeni ka efekt edhe më të gjatë, pasi ndikon në besimin e klientëve lidhur me sigurinë e sistemit.
Hackerat zgjedhin me kujdes bankomatin që do të grabisin, më pas grabitësi siguron akses fizik në komponentin elektronik të pajisjes, duke bërë një vrimë të vogël apo veprime të tjera që mundësojnë kapjen e kabllove dhe lidhjen e tyre me pajisjen e tij të jashtme dixhitale që mund të jetë një Laptop apo pajisje tjetër informatike.
Nëse malware instalohet me sukses në ATM, pa ndërhyrje fizike, por nëpërmjet një USB-je që vendoset në portën përkatëse që ndodhet nën një panel të makinës, paratë tërhiqen pa pasur nevojë për karta apo mjete të tjera ndihmëse.
Masat mbrojtëse
Ekspertët rekomandojnë përditësimin e softwer, zbatimin e sistemeve të monitorimit në kohë reale dhe kryerjen e kontrolleve periodike të sigurisë, trajnimin e personelit të bankës dhe operatorëve të përfshirë në proces për të identifikuar shenjat e manipulimit.
Mbetet shumë e rëndësishme nevoja për bashkëpunim ndërmjet bankave, rritja e nivelit të koordinimit nëpërmjet komiteteve përkatëse në Shoqatën Shqiptare të Bankave, informimi i menjëhershëm i organeve ligjzbatuese dhe më kryesorja, bashkëpunimi me kompanitë që menaxhojnë dhe zhvillojnë bankomatet dhe sistemet e mbrojtjes kibernetike.
Bankat dhe institucionet financiare janë subjekte private, por nëse ato nuk janë të sigurta, bihen pre e sulmeve dhe grabitjeve ato “favorizojnë dhe ushqejnë” krimin me para të paligjshme, vlera të cilat shërbejnë për sofistikimin e teknikave grabitëse në mënyrë spirale.
E gjitha kjo, për të kuptuar dhe për të ndalur një kërcënim që për shkak të natyrës së tij ndërkombëtare, kërkon përgjigje të koordinuara nga të gjithë operatorët që i bashkon makina e quajtur ATM.
Megjithëse përdoruesi, klienti, nuk është objektivi i drejtpërdrejtë i këtij lloj sulmi, është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje çdo bankomati që paraqet shenja manipulimi ose funksionimi të parregullt.
Siguria bankare, në një kontekst gjithnjë e më dixhital, varet si nga teknologjia, ashtu edhe nga parandalimi dhe informimi.
[1] Të dhëna të botuara nga revista “Monitor”
The post Grabitja e ATM-ve, teknika kibernetike “Jackpotting” appeared first on Revista Monitor.











