Flet Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”
Golemi ka vijuar të mbetet destinacioni kryesor për turizmin e organizuar dhe agjencitë e huaja po respektojnë kontratat e tyre duke sjellë rregullisht chartera sipas marrëveshjeve, ku grupi kryesor mbeten polakët.
Pavarësisht ecurisë së mirë të këtij segmenti të turizmit duket se ky sezon ka nisur me probleme, që e zbehin shkëlqimin turistik të vendit, të cilat lidhen me mungesën e ujit.
Fatos Çerenishti, nga “FAFA Group”, shprehet se nëse kjo nuk zgjidhet, mungesa e ujit do të jetë shqetësimi kryesor i bizneseve këtë sezon.
Si ka qenë ecuria e sezonit turistik për periudhën e majit, por në vazhdim edhe për qershorin, apo rezervimet për muajt e tjerë?
Muaji maj filloi jo shumë mirë. Grupet e organizuara që ne kishim, kanë ardhur të gjitha sipas kontratave, por rezervimet individuale të shqiptarëve të Kosovës, vendësve por edhe diasporës, kanë pasur rënie në raport me një vit më parë.
Vitin e kaluar, brenda sezonit pati kërkesë për rritje të kapacitetit nga agjencitë që sjellin turistë të organizuar. A ka kërkesë për rritje të rezervimeve?
Agjencitë e huaja me kontrata garancie kanë sjellë grupet e organizuara sipas rezervimeve paraprake. Nuk kanë shumë kërkesa për shtim të kapacitetit si vitin e shkuar.
Mesa kemi kontakte dhe nga ajo që shohim, Shqipëria mbetet një destinacion i mirë që ata po vazhdojnë ta shesin sipas planit që kanë pasur, sepse charterat dhe dhomat kanë qenë të plotësuara sipas kalendarit.
Si është shfaqur Kosova këtë vit në turizmin e fundjavave?
Në strukturën tonë, shqiptarët e Kosovës ka qenë më të pranishëm këtë vit se viti i kaluar, kur ishte edhe viti i parë i liberalizimit të vizave.
A ka grupe të reja që kanë interes për Golemin për turizmin e organizuar? Si shfaqet interesi i tyre, flasim këtu për gjermanët apo francezët, që kanë rritje të përgjithshme të hyrjeve në vendin tonë. Po turistët nordikë?
Shifrat e turistëve nordikë prej tre vjetësh janë ulur në mënyrë të vazhdueshme dhe praktika që parapëlqejnë për rezervimet e tyre është ajo “allotment”, pra paguaj sa sjell.
Francezët duken si një grup që ka interes për të hyrë në vendin tonë me kontrata garancie në vitin 2026.
Ka shumë agjenci franceze që po interesohen në bregdetin e Golemit, edhe pse ende janë në negociata fillestare dhe mbetet për t’u parë nëse do të finalizohen.
Cilat janë ato elemente që e bëjnë tërheqëse Shqipërinë në sytë e tyre?
Në radhë të parë çmimet, u pëlqen fakti që janë struktura të reja. Ushqimi është një tjetër pikë e fortë dhe paketat “all inclusive” (të gjitha të përfshira) janë një ofertë që atyre u duket me leverdi.
Në lidhje me rezervimet që keni me kontrata garancie, a janë të gjitha me paketa “all inclusive”?
Të paktën 90% e tyre janë “all inclusive”, ndërsa një pjesë më e vogël janë vetëm me mëngjes.
Si e prisni që do të jetë ky vit për ecurinë e përgjithshme të sezonit veror nga ajo që shihni deri më tani?
Nga rezervimet që kemi në strukturën tonë, por në tërësi edhe për Golemin, mendoj se kjo verë do të jetë pak më e mirë se vera e vitit të shkuar.
Pra do të kemi shifra në rritje. Pavarësisht se sezoni nisi vonë, mendoj se korriku dhe gushti do të bëjnë kompensimin dhe po kështu edhe shtatori, që tani është kthyer në një muaj që më shumë llogaritet te vera se te vjeshta, sa i takon turizmit të verës.
Cili mendoni se do të jetë grupi që do të mbajë peshën kryesore të turizmit të organizuar këtë vit?
Mendoj që sërish polakët dhe besoj që do të jenë po ata që do të negociojnë të parët për kontratat e vitit tjetër. Kjo ndoshta si një formë për të mos lejuar strukturat që të devijojnë në tregje të tjera që mund të kenë interes.
Ka pasur gjithashtu një rritje të vizitorëve gjermanë, a e shihni të reflektuar këtë në strukturën tuaj? Po italianët?
Tregu gjerman është rritur në numër dhe nga ajo tendenca që ka qenë në pranverë po bëhet i qëndrueshëm tani edhe në verë. Italianët, nga ana tjetër, janë një treg masiv në Shqipëri, por nuk janë te grupi që ka interes gjithëvjetor.
Pra janë të kufizuar, si ne shqiptarët që pushimet i vendosim në ato 60 ditët e korrik-gusht.
Më të pranishëm ndërkohë kam vënë re që janë edhe Maqedonia e Veriut dhe Kosova, dhe mendoj se kanë provuar tregje të reja dhe kanë parë që Shqipëria, përveçse është ekonomike, ofron edhe lehtësinë e komunikimit, sepse merremi vesh shqip.
Zhvlerësimi i Euros ishte një kosto ekstra që shpeshherë i ka vështirësuar negociatat me agjencitë e huaja për kontratat e garancisë. Si e shihni situatën aktualisht?
Zhvlerësimi i Euros i ka krijuar vështirësi industrisë sonë, për ne që punojmë me kontrata garancie.
Teksa forcimi i Lekut është 20%, ne nuk i rrisim dot çmimet tona të kontratave për të kompensuar këtë zhvlerësim të Euros, me më shumë se 4-6% sepse është e papranueshme për ta.
Ata e dinë realitetin, por punojnë me klientë që të ardhurat i kanë në Euro dhe paketat i shesin në Euro dhe rritja e vazhdueshme na bën jokonkurrues.
Ne marketohemi si destinacion i lirë dhe na duhet ta ruajmë këtë, nëse duam që të vazhdojmë të kemi marrëdhënien me agjencitë, por do të jetë një problem edhe në vazhdim.
Cilat mendoni se janë sfidat e këtij sezoni?
Punë të mira janë bërë plot, por ka shumë për t’u bërë duke nisur që nga lidhjet me aeroporte, te rrugët që duhet të sillen në parametra të pranueshëm flas këtu për Tiranë-Durrës, apo rrugët dytësore në Plepa-Golem.
Tani së fundmi është shtuar edhe problemi i ujit në zonën e Golemit, për shkak të riparimit të rezervuarit. Nëse kjo gjë vazhdon gjatë, mungesa e ujit do të jetë shqetësimi ynë kryesor këtë sezon.
Kemi nisur të hapim puse dhe po punojmë me ujin e tyre, por duhet thënë që nuk është ujë shumë i mirë. Duhet gjetur një zgjidhje për këtë me ndihmën e të gjitha palëve.
Lexoni edhe:
Turizmi, vera 2025, një hap pas, sezoni veror pritet të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar
The post “Golemi, mirë me shifrat e turistëve, por mungesa e ujit po bëhet problem serioz” appeared first on Revista Monitor.









