Policia e Tiranës, ka vënë në pranga të shumëkërkuarin Marjan Hema, i akuzuar se furnizonte me armë grupet kriminale në Lushnje.
Marjan Hema, me precedentë të shumtë penalë dhe i arrestuar të paktën 5 herë për vjedhje. Nga muaji maj deri në gusht të këtij viti, 48-vjeçari Hema rezulton se ka vjedhur 3 motomjete në Durrës, Kuçovë dhe Lushnje.
Marjan Hema, prej vitesh e zhvillonte aktivitetin e tij në disa qytete të vendit dhe për të humbur gjurmët ka ndryshuar disa herë vendbanimin, duke u shpërngulur nga Lushnja në Elbasan. 48-vjeçari Hema, vidhte automjete, motorë dhe targa që dyshohet se ia shiste ish-anëtarëve të mbetur të Bandës së Lushnjës, për t’i përdorur në veprimtari kriminale.
Në shkurt të vitit 2022, Marjan Hema u arrestua në Savër të Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa lejë.
Asokohe policia i gjeti dhe i sekuestroi një armë zjarri automatik, 12 krehëra pistolete dhe automatiku, 179 fishekë pistolete dhe automatiku, 2 silenciatorë dhe 1 tytë të montuar, 3 shula automatiku, 1 kallëp tritoli, 1 fitil zjarrpërcjellës, 1 granatë difensive, 2 radio dore marrëse-dhënëse, të cilat dyshohet se ia shiste personave me lidhje me ish-anëtarë të Bandës së Lushnjës.
Ndaj Hemës janë ngritur disa akuza për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.

The post Furnizonte me armë, automjete dhe targa të vjedhura bandat kriminale në Lushnje, arrestohet i shumëkërkuari Marjan Hema appeared first on Albeu.com.








