Franca do të ndalojë duhanpirjen në të gjitha hapësirat e jashtme ku kanë akses fëmijët, përfshirë plazhet, parqet dhe stacionet e autobusëve, duke nisur nga 1 korriku, njoftoi të enjten ministrja franceze e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin.
Franca do të ndalojë duhanpirjen në të gjitha hapësirat e jashtme ku i frekuentojnë edhe fëmijët, përfshirë plazhet, parqet dhe stacionet e autobusëve, njoftoi të enjten ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes.
E njohur si një vend ku duhanpirësit zakonisht qëndrojnë me cigare në verandat e kafeneve apo duke shëtitur në rrugicat me kalldrëm, Franca ka ashpërsuar gjithnjë e më shumë kufizimet për duhanin në hapësirat publike gjatë viteve të fundit.
Ndalimi i ri, i cili do të hyjë në fuqi më 1 korrik, do të përfshijë të gjitha hapësirat ku mund të jenë të pranishëm fëmijët, përfshirë “plazhet, parqet, kopshtet publike, jashtë shkollave, stacionet e autobusëve dhe ambientet sportive”, tha ministrja Catherine Vautrin.
“Duhani duhet të zhduket atje ku ka fëmijë,” tha Vautrin në një intervistë të publikuar nga gazeta rajonale Ouest-France në faqen e saj të internetit.
Liria për të pirë duhan “ndalon aty ku fillon e drejta e fëmijëve për të marrë frymë në ajër të pastër,” shtoi ajo.
Ndalimi do të zgjerohet edhe përreth shkollave, për të parandaluar që nxënësit të pijnë duhan përpara tyre.
Shkelësit do të gjobiten deri në 135 euro (154 dollarë), tha Vautrin.
Verandat e kafeneve përjashtohen nga ndalimi
Megjithatë, ndalimi nuk do të zbatohet në verandat ikonike të kafeneve franceze, sqaroi ministrja.
As cigaret elektronike, që janë përhapur shumë në Francë vitet e fundit, nuk përfshihen në këtë ndalim.
Franca tashmë ndalon pirjen e duhanit në hapësira publike si vendet e punës, aeroportet dhe stacionet e trenave, si edhe në këndet e lojërave për fëmijë.
Organizatat kundër duhanit kanë luftuar për një ndalim më të gjerë.
Rreth 35 për qind e popullsisë së Francës janë duhanpirës – një përqindje më e lartë se mesatarja për Europën (25 për qind) dhe botën (21 për qind), sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Rreth 75,000 persona vdesin çdo vit në Francë nga komplikacione të lidhura me duhanin.
Sipas një sondazhi të fundit, gjashtë nga dhjetë francezë (62%) mbështesin ndalimin e duhanit në hapësira publike.
“Gjeneratë pa duhan”
Programi Kombëtar Kundër Duhanit i qeverisë për vitet 2023–2027 kishte propozuar një ndalim të ngjashëm me atë të shpallur nga Vautrin, duke i bërë thirrje Francës që të “përmbushë sfidën e një gjenerate pa duhan nga viti 2032”.
Por organizatat kundër duhanit kishin shprehur shqetësim se autoritetet po vononin në zbatimin e këtyre masave.
Më shumë se 1,500 qytete dhe fshatra kishin vendosur tashmë ndalime lokale për pirjen e duhanit në hapësira publike si parqe, plazhe dhe pistat e skive.
Vautrin tha se për momentin nuk ka plane për të vendosur taksa të tjera mbi cigaret, duke përmendur tregun e zi të lulëzuar që u shfaq pas taksave ekzistuese të vendosura për të dekurajuar pirjen e duhanit./ France 24
The post Franca ndalon duhanpirjen në ambiente të jashtme ku qëndrojnë fëmijët nga 1 korriku appeared first on Revista Monitor.










