Fitimi në vlerë absolute vazhdoi të rritej edhe vitin e kaluar. Sipas të dhënave paraprake bazuar në standardet IFRS, sektori bankar fitoi 36.2 miliardë lekë, 27% më shumë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, treguesi kryesor i rentabilitetit, kthimi nga kapitali, pësoi rënie krahasuar me 2023, kryesisht për shkak të kërkesave në rritje për kapital.
Viti 2024 ishte përsëri një vit “i begatë” për sektorin bankar. Fitimi në vlerë absolute u rrit për të katërtin vit radhazi. Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi neto i sektorit arriti vlerën e 36.2 miliardë lekëve, në rritje me 27% krahasuar me vitin 2023.
Normat e interesit në valutë, megjithëse u korrektuan në rënie në pjesën e dytë të 2024-s, vazhduan të japin efekt pozitiv në rritjen e fitimeve të sektorit bankar.
Faktorë të tjerë që ndikuan pozitivisht në rritjen e fitimit në vlerë absolute ishin zgjerimi i aseteve dhe veçanërisht i kredisë, rritja e të ardhurave nga komisionet, por edhe ruajtja e kostove të ulëta të rrezikut, falë raportit në rënie të kredive me probleme.
Të dhënat e deritanishme sipas IFRS nuk janë të detajuara në nivel të zërave të veçantë të të ardhurave dhe të shpenzimeve, por megjithatë disa konkluzione mund të nxirren duke analizuar të dhënat mbështetur në standardet paralele të raportimit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas standardeve lokale, për vitin 2024, sektori bankar arriti një fitim neto prej 37.4 miliardë lekësh, në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.
Të ardhurat nga interesat arritën në 75.6 miliardë lekë, me rritje prej 8.7% krahasuar me një vit më parë. Rritja e të ardhurave nga interesat ishte më e vogël krahasuar me nivelin prej 28% të një viti më parë.
Ndërsa të ardhurat bruto nga interesat u rritën me 13%, shpenzimet për interesa u rritën me më shumë se 38%.
Kjo tregon që bankat kanë paguar më shumë interesa, kryesisht për depozita të publikut, ndërkohë që rritja e të ardhurave nga interesat e kredive dhe letrave me vlerë ka qenë më e ngadaltë.
Një ecuri e tillë përputhet me atë që është zakonisht kohështrirja e ndryshme e efekteve të ndryshimit të normave të interesit në bilancet e bankave.
Në përgjithësi, rritja (ose ulja) e normave të interesit përcillet më shpejt në krahun e aktiveve, ndërsa është më e vonuar në kohë në krahun e detyrimeve.
Megjithatë, bankat kanë vazhduar të rrisin me ritme të larta të ardhurat jo nga interesat, të lidhura kryesisht me komisionet bankare.
Kjo mund të shpjegohet me rritjen e përdorimit të shërbimeve dhe produkteve bankare, por pjesërisht edhe me një tendencë disavjeçare të rritjes së komisioneve të aplikuara nga bankat.
Shpenzimet e tjera, përjashtuar ato për interesa, u rritën me afërsisht 10%, duke reflektuar rritjen e kostos së punës dhe nevojat e larta për investime në teknologji.
Shpenzimet për provigjione (sipas standardeve lokale) u rritën me 38% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që shpenzimet për provigjionimin e kredive ishin në nivele të ngjashme me një vit më parë, rritja erdhi kryesisht nga ulja e rimarrjeve të provigjioneve nga instrumentet financiare.
Megjithatë, përfitueshmëria e sektorit, e shprehur si kthim nga kapitali aksioner, pësoi rënie. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave (me standardet IFRS), kthimi nga kapitali aksioner ra në 19.34%, nga 22.17% që kishte qenë një vit më parë.
Pavarësisht rritjes së fitimeve, zmadhimi i kapitalit të sektorit, i lidhur kryesisht me kërkesat gjithnjë e më të shtrënguara rregullatore të Bankës së Shqipërisë, ka bërë që norma e kthimit nga kapitali në nivel mesatar të bjerë.
Edhe treguesi i kthimit nga aktivet pësoi rënie në 1.76%, nga 2.17% që kishte qenë një vit më parë.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
BKT, Raiffeisen dhe OTP morën 60% të fitimit të sektorit
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, të gjitha bankat tregtare e mbyllën vitin 2024 me fitim.
Në vlerë absolute, banka me vlerën më të madhe të fitimeve ishte përsëri BKT, për një vlerë totale prej 8.73 miliardë lekësh. Rezultati i BKT u rrit me 31% krahasuar me fitimin që kishte raportuar në vitin 2023.
Banka e dytë për nga vlera e fitimit vjetor renditet Raiffeisen Bank, me fitim neto në vlerën e 7.57 miliardë lekëve, 17% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Banka OTP Albania ka ruajtur edhe këtë vit tendencën në rritje të rezultatit financiar. Për vitin 2024, OTP Albania ka arritur një vlerë të re rekord të fitimit vjetor neto, prej afërsisht 5.07 miliardë lekësh, në rritje me 52% krahasuar me vitin 2023.
Së bashku, BKT, Raiffeisen dhe OTP kanë arritur pothuajse 60% të të gjithë fitimit të sektorit bankar për vitin 2024.
Banka e katërt për nga vlera e fitimit neto renditet Intesa Sanpaolo Albania, me fitim neto prej 3.13 miliardë lekësh, me një rritje të vogël prej 2% krahasuar me një vit më parë.
E pesta u rendit Banka Amerikane e Investimeve, me rezultat neto në vlerën e 3.07 miliardë lekëve, me rritje prej 17% krahasuar me një vit më parë.
Vijon Tirana Bank, që për vitin 2024 raportoi fitim neto prej 2.87 miliardë lekësh, në rritje me pothuajse 50% krahasuar me vitin 2023.
Ndjek Credins Bank, që ka raportuar fitim prej 2.66 miliardë lekësh, rezultat në rënie të lehtë me 46% krahasuar me vitin 2023.
Union Bank e mbylli vitin 2024 me fitim neto në vlerën e 1.75 miliardë lekëve, në rritje me 30% krahasuar me një vit më parë.
Bankat e tjera kanë arritur fitime poshtë kufirit të 1 miliard lekëve. Fibank ka raportuar fitim neto prej 987 milionë lekësh, në rënie me 7% krahasuar me vitin 2023.
UBA ka raportuar rezultat me fitim në vlerën e 167 milionë lekëve, pasi e pati mbyllur me humbje vitin 2023.
ProCredit Bank Albania vitin e kaluar raportoi fitim prej 163 milionë lekësh, në rënie me 6% krahasuar me një vit më parë.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
ABI, Raiffeisen dhe OTP, me kthimet më të larta
Banka me kthimin më të lartë nga kapitali aksioner për të dytin vit radhazi ishte Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). ABI Bank raportoi një kthim nga kapitali 29.86%, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 26.21% i vitit 2023.
Kthimi i dytë më i lartë mbahet për të dytin vit radhazi nga Raiffeisen Bank, me 26.9%. Edhe banka e grupit austriak e rriti kthimin krahasuar me nivelin prej 24.11% të një viti më parë.
Banka OTP Albania raportoi kthimin e tretë më të lartë, me 23.09%, nga 18.67% një vit më parë. Rritje të përfitueshmërisë për vitin e kaluar raportoi edhe Union Bank, në nivelin 23.04%, nga 19.55% një vit më parë.
Ndjek Tirana Bank, me 21.82%, nga 18.57% në vitin 2023.
Bankat e mësipërme kanë arritur kthime më të larta se niveli mesatar i sektorit, prej 19.34%.
Vijon Banka Kombëtare Tregtare (BKT), me një kthim në nivelin 18.12%, në rritje nga niveli prej 14.14% i vitit 2023; Fibank, me 16.87% (nga 22.08% në 2023); Intesa Sanpaolo, me 13.83% (nga 14.32% në vitin 2023); Credins Bank me 12.34% (nga 9.2% në 2023); Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me 4.87% (nga 0.36% një vit më parë) dhe ProCredit Bank, me 3.83% (nga 4.25% në 2023).
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Rritja e fitimeve ka kthyer dividendët për aksionerët
Ecuria e mirë e sektorit financiar në periudhën pas pandemisë u ka mundësuar shumicës së bankave të shpërndajnë dividendë në vlera të konsiderueshme në vitet e fundit.
Shifrat e raportuara në bilance tregojnë se aksionerët po arrijnë të “vjelin fryte” nga investimet e tyre, pavarësisht shtrëngimit të kërkesave rregullatore të kapitalizimit.
Pas vitit 2022, kufizimet e përkohshme (që u vendosën në periudhën e pandemisë) mbi shpërndarjen e dividendëve u hoqën, ndërsa rezultati financiar i sektorit bankar erdhi në përmirësim, i mbështetur edhe nga cikli i rritjes së ekonomisë dhe nga bumi i turizmit.
Heqja e kufizimeve dhe rritja e fitimeve ka bërë që pas vitit 2022 disa prej bankave tregtare të shpërndajnë dividendë në vlera të konsiderueshme.
Shifrat e dividendëve të shpërndarë në vitin 2024 nuk janë bërë ende publike, megjithatë tendenca e tyre në rritje është e dukshme deri në vitin 2023.
Sipas të dhënave nga pasqyrat financiare, shtatë nga njëmbëdhjetë banka tregtare shpërndanë dividendë për aksionerët në vitin 2023. Vlera totale e dividendëve të shpërndarë arriti në rreth 19.6 miliardë lekë, me rritje prej 93% krahasuar me një vit më parë.
Lista e dividendëve në sektorin bankar kryesohet me distancë prej bankës më të madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT).
Sipas informacionit të raportuar në pasqyrat financiare, BKT në 2023 shpërndau dividend në vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë (rreth 9.4 miliardë lekë me kursin e fundit të vitit të kaluar).
Një vit më parë, BKT kishte shpërndarë dividend në vlerën e 45 milionë USD. BKT ka aksioner të vetëm grupin turk të biznesit Çalik.
Ndjek Raiffeisen Bank, që vitin e kaluar, raportoi dividend në vlerën e pak më shumë se 5 miliardë lekëve. Edhe vlera e dividendit të shpërndarë nga Raiffeisen ishte në rritje me 39% krahasuar me vitin 2022.
Dividendi i tretë më i madh i shpërndarë për 2023 ishte ai i Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank), për një vlerë prej më shumë se 2.6 miliardë lekësh.
Dividendi i ABI Bank ishte tre herë më i madh krahasuar me atë të shpërndarë një vit më parë. ABI Bank ka aksioner të vetëm institucionin financiar Tranzit, ndërsa përfituesi më i madh përfundimtar, me 80% të aksioneve, është Drejtori i Përgjithshëm i bankës, Andi Ballta.
ABI Bank ka rezultuar ndoshta investimi më i leverdishëm në ciklin e shitblerjeve të dekadës së fundit në sektorin bankar.
Andi Ballta dhe grupi i tij partner NCH Capital e morën bankën në vitin 2015 pa paguar asgjë, madje grupi francez Credit Agricole hoqi dorë edhe nga një borxh i varur që i pati dhënë bankës, në vlerën e 15 milionë eurove. Më tej, në vitin 2018, ABI Bank u zgjerua duke blerë edhe bankën NBG Shqipëri.
Si rrallëherë në të shkuarën, Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri shpërndau në 2023 një dividend në vlerën e 1.8 miliardë lekëve, ndërsa nuk kishte shpërndarë dividend një vit më parë. Banka zotërohet plotësisht nga grupi bankar italian Intesa Sanpaolo.
Banka e dytë më e madhe në vend, Credins Bank, në 2023 shpërndau dividend për të dytin vit radhazi, në shumën e rreth 500 milionë lekëve. Megjithatë, vlera e dividendit pësoi rënie me 34% krahasuar me një vit më parë.
Aksionerë të Credins janë një grup individësh dhe kompanish shqiptare.
Dividendë në vlera më të vogla vitin e kaluar shpërndanë edhe Union Bank dhe Banka e Parë e Investimeve (Fibank). Union Bank, në vitin 2023, shpërndau një dividend në vlerën e 100 milionë lekëve, shumë kjo 10% më e lartë krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa Fibank shpërndau dividend në shumën e 107 milionë lekëve, pasi një vit më parë nuk kishte shpërndarë dividend.
Katër bankat e tjera të sektorit nuk kanë shpërndarë dividendë në vitet e fundit. Mes tyre, Tirana Bank dhe OTP Albania kanë vlera të konsiderueshme të fitimeve të mbartura, por deri tani, aksionerët kanë vendosur të mos i shpërndajnë.
Dy bankat e tjera, ProCredit Bank Shqipëri dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë nuk kanë qenë në kushtet për të shpërndarë dividendë, duke qenë se kanë ende humbje të akumuluara nga kapitali i paguar aksioner.
Këto dy banka madje kanë kryer rritje të kapitalit të paguar nga aksionerët.
Rënia e inflacionit i ktheu në ulje normat e interesit
Viti 2024 solli një ndryshim në kahun e normave të interesit. Pas rritjes së shpejtë të normave në periudhën 2022-2023, vitin e kaluar bankat qendrore iu kthyen uljes së tyre, si përgjigje ndaj uljes së inflacionit.
Dy bankat qendrore me ndikimin kryesor në tregun shqiptar, Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane, e nisën uljen e normave në mesin e vitit 2024. Banka e Shqipërisë aplikoi një ulje të parë në korrik, nga 3.25% në 3%, ndërsa në nëntor, vendosi një ulje të dytë në nivelin 2.75%.
Banka Qendrore Europiane ndoqi një ulje me ritme edhe më të larta, e përcaktuar kryesisht nga stanjacioni i ekonomisë së Eurozonës.
Norma bazë për instrumentet bazë të rifinancimit të ECB-së u ul katër herë mes qershorit dhe dhjetorit, duke zbritur nga 4.5% në 3.15%. Ulja ka vazhduar edhe në muajt e parë të 2025 dhe aktualisht norma bazë për këto instrumente ka rënë në 2.65%.
Lëvizjet e bankave qendrore janë reflektuar gjerësisht në tregjet financiare, duke sjellë ulje të treguesve kryesorë benchmark.
Për Lekun, yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë madje kanë pësuar rënie edhe më të madhe se norma bazë e interesit.
Yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore në ankandin e fundit të muajit mars zbriti në 2.7%, duke rënë për herë të dytë në histori poshtë nivelit të normës bazë të interesit.
Krahasuar me një vit më parë, yield-i i këtyre instrumenteve ka rënë me gati një pikë përqindje, ndërkohë që norma bazë për të njëjtin horizont kohor është ulur me 0.5 pikë përqindje.
Në vija të përgjithshme, lëvizjet e politikës monetare janë pasqyruar edhe në një tendencë rënëse në normat e interesit të kredisë për sektorin privat, veçanërisht në Lek.
Në dhjetor 2024, norma mesatare e interesit për kreditë e bizneseve në Lek ishte 6.05%, nga 6.27% që kishte qenë në fund të vitit 2023. Ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë e bizneseve në Euro në dhjetor ra në 5.96, nga 6.21% që kishte qenë dhjetor 2023.
Për individët, norma mesatare e interesit të kredive në Lek, në fund të 2024, zbriti në 5.6%, nga 6.37% një vit më parë. Ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë në Euro shënoi rritje të lehtë në 4.65%, nga 4.5% një vit më parë.
Edhe normat e interesit të depozitave me afat në Lek e mbyllën në rënie vitin e kaluar. Norma mesatare e interesit për depozitat e reja në dhjetor 2024 zbriti në 1.62%, nga 1.89% që kishte qenë në nëntor dhe 1.64% në fund të vitit 2023. Interesi mesatar i depozitave me afat për dhjetorin ra në nivelin më të ulët që nga janari i vitit të kaluar.
Edhe interesat e depozitave në Euro vitin e kaluar kanë ngelur në nivele pak a shumë të qëndrueshme, ndjeshëm më të ulëta krahasuar me depozitat në Lek.
Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Euro në fund të 2024 ishte 1.12%, ndërsa një vit më parë kishte qenë në nivelin 0.99%.
Normat relativisht të ulëta dhe me një tendencë në rënie kanë qenë një nga faktorët që ka mbështetur kërkesën e lartë për hua dhe rritjen me ritme të shpejta të kreditimit të ekonomisë.
Nga ana tjetër, megjithatë, rënia e normave të interesit pritet të sjellë korrigjim në ulje të fitimeve të sektorit bankar.
Sinjalet e para u shfaqën që në vitin 2024, të shprehura në rënien e kthimit nga kapitali dhe aktivet, si dhe në ngadalësimin e ndjeshëm të të ardhurave neto nga interesat.
Në rast se normat e interesit do të vazhdojnë të ulen edhe gjatë vitit 2025, veçanërisht për Euron, ku pritshmëritë në këtë kah janë më të mëdha, edhe treguesit e performancës financiare të sektorit me shumë të ngjarë do të pësojnë rënie.
The post Fitimi në rritje, por kthimi nga kapitali në rënie appeared first on Revista Monitor.









