Fitimi i tregut të sigurimeve shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se, për 6-mujorin 2025, fitimi neto i tregut të sigurimeve në vend arriti vlerën e 2.1 miliardë lekëve ose 21.5 milionë eurove.
Fitimi neto i tregut është rritur me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimet u rritën njëkohësisht në tregun e sigurimit të Jetës, ashtu edhe në atë të Jo-Jetës.
Sipas AMF-së, fitimi neto i kompanive në tregun më të madh, atë të Jo-Jetës, u rrit në 1.87 miliardë lekë, 65% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndikimin kryesor në rritjen e fitimeve e ka dhënë përmirësimi i rezultatit teknik (rezultati i lidhur me aktivitetin sigurues) dhe rritja e të ardhurave në zërin “të ardhura të tjera”.
Rezultati teknik arriti vlerën e afërsisht 1.41 miliardë lekëve, në rritje me 27.6% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2024.
Rritja e rezultatit teknik u përcaktua nga një rritje më e lartë e primeve të fituara neto në raport me dëmet e paguara neto dhe shpenzimet e tjera të veprimtarisë së kompanive të sigurimit.
Primet e fituara neto, që përbëjnë bazën kryesore të të ardhurave të siguruesve, janë rritur me 5.3% krahasuar me 6-mujorin 2024.
Nga ana tjetër, dëmet neto të paguara janë rritur me 3.5% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, shpenzimet e veprimtarisë kanë shënuar një rritje të lehtë me 2.9% krahasuar 6-mujorin e vitit të kaluar.
Edhe rezultati neto nga investimet ishte pozitiv në vlerën e 464 milionë lekëve, me një rritje prej 16.2% krahasuar me 6-mujorin 2024.
Ndërsa të ardhurat në zërin “të ardhura të tjera” shënuan një rritje të fortë në 463 milionë lekë, 154 herë më shumë krahasuar me në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa, në tregun e sigurimit të Jetës kompanitë raportuan fitime neto në vlerën e 240 milionë lekëve, shifër kjo 60% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e fitimit në tregun e sigurimit të Jetës ka ardhur kryesisht nga rritja e primeve të fituara neto, paralelisht me uljen e shpenzimeve neto për dëme të paguara.
Primet e fituara neto u rritën me 12.7% krahasuare me një vit më parë, ndërsa shpenzimet neto për dëme të paguara ranë me 23% krahasuar me një vit më parë.
Edhe për këtë vit kompanitë e sigurimit të Jetës po vazhdojnë të rrisin shpenzimet operative, por me ritmet disi më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Shpenzimet operative neto u rritën me 11.3% dhe vazhdojnë të jenë në përmasa shumë të mëdha krahasuar me vlerën e dëmeve të paguara. Në 6 muaj, shpenzimet operative arritën në 627 milionë lekë, gati pesë herë më shumë në raport me shpenzimet neto për dëme.
Sipas të dhënave nga AMF, tregu i sigurimeve për 6-mujorin 2025 arriti një vlerë të primeve të shkruara bruto prej 12.8 miliardë lekësh, në rritje vjetore me 8%.
Në masën dërrmuese, edhe këtë vit rritja vazhdon të vijë nga sigurimet e detyrueshme motorike, ndërsa shumica e produkteve të sigurimit vullnetar janë në rënie./ E.Shehu
The post Fitimi i kompanive të sigurimit u rrit me 64% për gjysmën e parë të vitit appeared first on Revista Monitor.











