Teksa Bullgaria i afrohet gjithnjë e më shumë anëtarësimit në Eurozonë më 1 janar 2026, pas mbështetjes unanime nga ministrat e Financave dhe krerët e shteteve të Eurozonës në qershor 2025, valë dezinformimi vazhdojnë të qarkullojnë.
Narrativa të rreme, që nga paniku ekonomik deri te teoritë konspirative, po përhapen në rrjete sociale, forume dhe madje edhe në disa kanale mediatike. Ekipi i verifikimit të fakteve pranë Radios Kombëtare Bullgare ka shqyrtuar disa nga pretendimet më të përhapura, duke ofruar sqarime dhe fakte të bazuara në analiza ekspertësh dhe deklarata zyrtare.
Miti – Çmimet do të rriten pas adoptimit të Euros
Kjo është një nga frikërat më të përhapura, por që nuk pasqyron realitetin. Kryeministri Rosen Zhelyazkov sqaroi se çmimet e rritura të vërejtura muajt e fundit nuk kanë asnjë lidhje me fillimin e përdorimit të Euros. Përkundrazi, presionet e tregut dhe praktikat oportuniste të disa tregtarëve kanë qenë faktorët kryesorë.
Rumen Spetsov, kreu i Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave, ndau të njëjtin mendim, duke deklaruar se përpjekjet për të manipuluar çmimet gjatë tranzicionit do të monitorohen nga afër. Qeveria ka vënë në funksion mekanizma për të frenuar rritjet e pajustifikuara.
Ekonomisti, profesor Viktor Yotsov, thekson se pjesa më e madhe e konfuzionit publik vjen nga një keqkuptim mbi inflacionin. “Çmime të larta nuk do të thotë domosdoshmërisht inflacion. Inflacioni është një proces i vazhdueshëm rritjeje çmimesh”, – shpjegoi ai. Shumë qytetarë, veçanërisht ata me fuqi më të ulët blerëse, supozojnë se Euro do të sjellë inflacion vetëm sepse kanë frikë se të ardhurat e tyre nuk do të jenë të mjaftueshme.
Yotsov gjithashtu vuri në dukje rolin e pritshmërive inflacioniste: sa më shumë njerëzit të besojnë se çmimet do të rriten, aq më shumë ajo bindje ndikon në sjelljen ekonomike. Megjithatë, vetë kalimi në monedhën Euro nuk është shkak për inflacion. “Nëse një tregtar do të rrisë çmimet, ai nuk do të presë që ta bëjë këtë për shkak të Euros. Është konkurrenca, jo kontrolli shtetëror, që mban çmimet nën kontroll”, – tha ai.
Për më tepër, nivelet e çmimeve në Bullgari janë ende ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Europian, aktualisht në nivelin 60-70%. Një konvergjencë e pjesshme e çmimeve në afatgjatë është e pritshme, por ajo nuk lidhet me adoptimin e Euros dhe do të ndodhte edhe sikur Bullgaria të vazhdonte përdorimin e monedhës vendase Leva.
Miti – Këmbimi i Levës në Euro do të jetë i ndërlikuar ose i kufizuar
Vite përgatitje kanë garantuar një proces të qetë të këmbimit të valutës, sipas guvernatorit të Bankës Kombëtare të Bullgarisë (BNB), Dimitar Radev. Do të ketë një periudhë njëmujore pas hyrjes së Euros, gjatë së cilës të dyja monedhat do të pranohen për pagesa. Kthimi i kusurit do të bëhet në Euro kur të jetë e mundur, dhe çmimet do të shprehen në të dyja monedhat në faturë.
Për gjashtë muajt e parë, bankat do të ofrojnë këmbim pa komision dhe pa kufizime, megjithëse për shuma të mëdha (mbi 30,000 leva) do të nevojitet njoftim paraprak. Në qytetet dhe fshatrat e vegjël, mbi 2,000 zyra postare do të mundësojnë gjithashtu këmbim falas, shpjegoi zëvendësdrejtori i Postës Bullgare, Stanimir Belinov.
Profesori Yotsov theksoi se këmbimi do të kryhet nëpërmjet disa kanaleve: bankave, postave dhe rrjeteve të mëdha të shitjes me pakicë, të cilat do të jenë të pajisura paraprakisht me Euro. Kalimi automatik i pagave, pensioneve, kursimeve dhe kredive do të bëhet në kursin fiks të këmbimit. Nuk pritet të ketë asnjë vështirësi.
Ministri i Brendshëm, Daniel Mitov, konfirmoi se ministria po ndërmerr masa për të parandaluar mashtrimet dhe aktivitetet kriminale të lidhura me kalimin e valutës, duke përfshirë monitorimin e hapësirave online për lajme të rreme dhe operacione me kartëmonedha euro false.
Miti – Bullgaria do të humbasë sovranitetin monetar
Kritikët pretendojnë se adoptimi i Euros do të cenojë sovranitetin e Bullgarisë, por në të vërtetë vendi ka hequr dorë në praktikë nga pavarësia monetare që prej hyrjes së regjimit fiks të kursit të këmbimit. Që prej vitit 1997, kursi i Levës është fiksuar fillimisht me markën gjermane, dhe më pas me euron, duke ia hequr Bankës Kombëtare Bullgare mundësinë për të bërë politikë monetare të pavarur.
Siç shpjegoi profesori Yotsov, Banka Qendrore ka kohë që nuk ushtron më funksione të politikës monetare, si operacionet në tregun e hapur, ndikimin në normat e interesit apo dhënien e likuiditetit emergjent. “Ne tashmë e kemi dorëzuar atë pjesë të sovranitetit. Leva ekziston si monedhë, por është plotësisht e lidhur me euron, dhe BNB-ja nuk mund të kontrollojë dot furnizimin me para në mënyrë të pavarur”, – tha ai.
Miti – BQE-ja do të marrë kontrollin mbi rezervat valutore të Bullgarisë
Edhe ky pretendim është i pasaktë. Profesori Yotsov sqaroi se vetëm një pjesë e rezervave të Bullgarisë do të bashkohet me rezervat kolektive të menaxhuara nga Banka Qendrore Europiane. Pjesa më e madhe do të mbetet nën administrimin kombëtar.
Për më tepër, shumë nga fondet që aktualisht mbahen nga BNB-ja u përkasin bankave tregtare si pjesë e rezervave të tyre të detyrueshme, që aktualisht janë 12% në Bullgari. Në Eurozonë, kërkesa është vetëm 1%. Me anëtarësimin, këto fonde do t’u kthehen bankave që i kanë depozituar, duke reduktuar bilancin e BNB-së, por pa pasoja negative për ekonominë.
Meqenëse mbi 80% e sektorit bankar në Bullgari është në pronësi të huaj, pjesa më e madhe e kapitalit të rikthyer mund të transferohet drejt selive qendrore të bankave në Europën Perëndimore. Ky tranzicion pritet të jetë neutral në aspektin e inflacionit./BNR
The post Faktet dhe mitet për tranzicionin e Bullgarisë drejt Eurozonës në vitin 2026 appeared first on Revista Monitor.








