Europa përparon ngadalë me planin e Draghit, ndërsa rivalët globalë marrin hov

0

Një vit pas raportit të ish-kryeministrit italian mbi konkurrueshmërinë, BE ka zbatuar vetëm 11% të ideve të tij

Bashkimi Europian ka vënë në jetë vetëm një pjesë të vogël të propozimeve të bëra nga ish-kryeministri italian Mario Draghi për ringjalljen e ekonomisë së bllokut, ndërsa ndodhet në një garë të vështirë me rivalët globalë si Kina dhe SHBA-ja.

Në shtator 2024, Draghi paraqiti 383 rekomandime duke paralajmëruar se Europa përballej me një “sfidë ekzistenciale” dhe se “nuk do të ishte në gjendje të bëhej lidere në teknologjitë e reja, një pikë referimi për klimën dhe një aktor i pavarur në skenën botërore” nëse nuk rritej produktiviteti.

Por një vit më vonë, pavarësisht zotimeve të Komisionit Europian për të lëvizur shpejt, vetëm 11.2% e ideve të Draghit janë zbatuar, sipas një auditi nga Këshilli Europian për Inovacion Politik, një think-tank me bazë në Bruksel.

Ndërkohë, ekonomia europiane vazhdon të mos ketë rritje të konsiderueshme, ndërsa ekonomia amerikane u zgjerua tetë herë më shpejt se ajo e BE-së në tremujorin e dytë të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat.

Zyrtarët e BE-së argumentojnë se presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila i kërkoi Draghit raportin, ka qenë shumë e angazhuar për të shmangur një luftë tregtare të plotë me SHBA-në, për të mbajtur administratën Trump të përfshirë në çështjen e Ukrainës dhe për të gjetur ekuilibrin e duhur me Kinën.

Gjithashtu, liderët kombëtarë kanë qenë hezitues për të vënë mënjanë ndjeshmëritë e tyre dhe për të pranuar më shumë nga propozimet e ish-presidentit të Bankës Qendrore Europiane.

Sipas analistëve të Deutsche Bank, progresi i deritanishëm është bërë vetëm në fusha me pak rezistencë, si huamarrja e përbashkët për mbrojtjen apo ulja e burokracisë.

Një zëdhënës i Komisionit mbrojti ecurinë, duke thënë se ai ka “vepruar shpejt për të zbatuar rekomandimet kyçe të Draghit”, duke përmendur mbështetjen për fabrikat gjigante të inteligjencës artificiale, prodhimin e teknologjive të pastra dhe strategjitë për rritjen e investimeve private.

Në fjalimin e saj vjetor në Parlamentin Europian të mërkurën, von der Leyen do të theksojë përparimin e bërë dhe do të bëjë thirrje për hapa të tjerë, që janë bërë edhe më urgjentë duke pasur parasysh marrëdhënien e luhatshme transatlantike me Presidentin Donald Trump.

Por projektet më të rëndësishme mbeten të parealizuara, si krijimi i një unioni të tregjeve të kapitaleve, eliminimi i barrierave në tregun e vetëm dhe harmonizimi i më shumë rregullave që rrisin kostot e biznesit.

Komisioneri i industrisë së BE-së, Stéphane Séjourné, fajësoi shtetet anëtare për mungesën e progresit, veçanërisht për tregun e vetëm. “Një ligj i BE-së duhet të zëvendësojë 27 ligje kombëtare, duke e bërë më të lehtë për bizneset të operojnë,” tha ai. “Në parim të gjithë pajtohen. Por kur vendimi arrin tek qeveritë, ka kundërshtim.”

Edhe Oscar Guinea nga Qendra Europiane për Ekonomi Politike Ndërkombëtare (ECIPE) thekson se mungesa e një tregu të vetëm për shërbimet pengon adoptimin e teknologjive dixhitale dhe shfaqjen e kompanive të reja, siç rekomandoi Draghi.

Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, tha se liderët kombëtarë në tetor do të diskutojnë konkurrueshmërinë. Ai e përshkroi samitin si “një moment shumë të rëndësishëm” për të shtyrë përpara unionin e tregjeve të kapitaleve, euron dixhitale dhe forcimin e rolit ndërkombëtar të monedhës së përbashkët.

Në janar, Brukseli publikoi një “Busull Konkurrueshmërie”, që përmblidhte parimet e Draghit në fusha prioritare si blerjet e përbashkëta të lëndëve të para kritike dhe rishikimi i kërkesave për kapital për të lehtësuar investimet e bankave.

Por Komisioni ka shmangur shtyrjen për kërkesat më radikale të Draghit, si financimi i përbashkët për industritë strategjike dhe infrastrukturat e përbashkëta. Fokus kryesor ka qenë “thjeshtimi dhe deregulimi”, tha Bas Eickhout, bashkëkryetar i të Gjelbërve në Parlamentin Europian. “Ky Komision nuk ka bërë mjaftueshëm për konkurrueshmërinë sepse ka zgjedhur një përkufizim shumë të ngushtë. Po, jemi burokratë, por mungesa e investimeve është problemi më i madh i Europës.”

Në mandatin e parë, komisioni i Von der Leyen rriti prodhimin legjislativ me 17% krahasuar me pararendësin. Rritja erdhi kryesisht nga legjislacioni sekondar,  rregulla të detajuara për zbatimin e ligjeve të BE-së.

Por përpjekjet në mandatin e dytë për të shkurtuar burokracinë, siç rekomandoi Draghi, në disa raste kanë krijuar më shumë pasiguri për industrinë.

Sipas Sander Tordoir, kryeekonomist në Qendrën për Reformën Europiane, thjeshtimi është një anashkalim, jo zgjidhje. / FT

 

The post Europa përparon ngadalë me planin e Draghit, ndërsa rivalët globalë marrin hov appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

6 + one =