Qeveritë europiane, që vuajnë nga mungesa e fondeve, po kërkojnë mënyra për t’i taksuar më shumë të pasurit, për të mbuluar boshllëqet në financat publike dhe për të adresuar rritjen e pabarazisë. Por sipas ekspertëve fiskalë dhe ekonomistëve, taksat e drejtpërdrejta mbi pasurinë nuk janë zgjidhja më efektive.
Historia ka treguar se tatimet e pasurisë rrallë prodhojnë të ardhura të konsiderueshme dhe shpesh nuk arrijnë te qëllimet kryesore. Specialistët nënvizojnë një gamë alternativash më efikase: rritje të kontrollit mbi fitimet kapitale, tatime mbi trashëgiminë, si edhe tarifa daljeje për ata që përpiqen të zhvendosen drejt parajsave fiskale.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) theksoi së fundmi në një udhëzues për qeveritë: “Shqetësimet për pabarazinë e pasurisë nuk nënkuptojnë se duhet përdorur tatimi mbi pasurinë neto. Përmirësimi i tatimeve mbi të ardhurat nga kapitali është më i drejtë dhe më efikas.”
Në Europë, Zvicra, Spanja dhe Norvegjia zbatojnë forma të ndryshme tatimi mbi pasurinë për zotëruesit e aseteve mbi një nivel të caktuar. Në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ideja është sërish në diskutim, si një mënyrë për të reduktuar deficitin buxhetor.
Sipas të dhënave të OECD-së, norma mesatare e lartë e tatimit mbi të ardhurat në 38 vendet anëtare ka rënë nga 66% në vitin 1980 në 43% sot.
Ndërkohë, në majat e shoqërisë, 0.0001% e më të pasurve në vende si Franca dhe Holanda pothuajse nuk paguajnë taksa, pasi arrijnë t’i strehojnë asetet e tyre në kompani investuese. Këtë e ka dokumentuar profesori i Paris School of Economics, Gabriel Zucman.
Ai është nismëtari i propozimit për një taksë 2% mbi pasurinë e 0.01% më të pasurve në Francë, e përfshirë në buxhetin e vitit 2026 që po debatohet tani nga politikanët.
“Duhet të sigurohemi që miliarderët të paguajnë të paktën po aq sa grupet e tjera shoqërore,” tha Zucman. “Është një çështje bazike drejtësie dhe respekti për parimet themelore të barazisë fiskale.”
Por tatimi mbi pasurinë nuk është domosdoshmërisht mënyra më e mirë për të arritur këtë synim. Këto taksa gjenerojnë zakonisht të ardhura modeste, vetëm disa të dhjetat e përqindjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Arsyeja është e thjeshtë: sidomos më të pasurit arrijnë t’i fshehin pasuritë duke i vendosur në biznese ose fonde administrimi të pasurisë (trust), në asete të përjashtuara ose të vështira për t’u vlerësuar, si antikuare, apo edhe duke i transferuar në parajsa fiskale.
Numri i vendeve që zbatojnë një tatim mbi pasurinë është përgjysmuar gjatë 35 viteve të fundit.
Një tjetër problem me tatimin mbi pasurinë është se ai aplikohet zakonisht me të njëjtën normë për të gjitha llojet e aseteve—duke penalizuar kështu ata që zotërojnë pasuri me kthim më të ulët.
Ndryshe nga kjo, tatimi mbi të ardhurat nga kapitali—dividendët dhe fitimet kapitale nga shitja e një aktivi—bazohet mbi fitime reale. Dhe, zakonisht, këto tatime janë dukshëm më të ulëta se ato mbi të ardhurat nga puna.
“Trajtimi fiskal i favorshëm i fitimeve kapitale është një faktor i rëndësishëm që çon në norma efektive të ulëta tatimi për individët me pasuri shumë të madhe,” thekson OECD.
Në vende si Franca, Gjermania, Italia, Koreja e Jugut dhe Japonia, të ardhurat nga fitimet kapitale dhe dividendët tatohen me një normë të ulët dhe të sheshtë. Disa ekonomistë argumentojnë se kjo nxit kursimet, investimet dhe sipërmarrjen. Por kërkimet e OECD-së tregojnë se të njëjtat objektiva mund të arrihen edhe me politika të tjera, si lehtësira të targetuara.
Masat e sugjeruara përfshijnë heqjen e përjashtimeve për fitimet kapitale, për shembull mbi disa pasuri të patundshme, dhe garantimin që këto tatime të paguhen, kur asetet trashëgohen ose kur një tatimpagues zhvendoset në një vend tjetër, sidomos në një parajsë fiskale.
Tatimi mbi trashëgiminë është një nga instrumentet më të drejta dhe më efikase, sipas OECD-së.
Studiuesit e saj thonë se ai ka avantazhe ndaj tatimit mbi pasurinë, si fakti që nuk dekurajon kursimet për pleqëri ose krijimin e një baze për fëmijët, nëse zbatohen përjashtimet e duhura.
Kritikët argumentojnë se pasuritë e trashëguara janë taksuar tashmë kur janë fituar fillimisht si të ardhura. Ata gjithashtu vënë në dukje se 1% më i pasur i popullsisë është tashmë kontribuesi më i madh në buxhetin e shtetit në shumicën e ekonomive të mëdha.
Edhe pse shumica e vendeve të zhvilluara zbatojnë një tatim mbi trashëgiminë, jo të gjitha e përdorin plotësisht këtë instrument. Shumë nuk tatojnë fitimet kapitale të parealizuara dhe ofrojnë përjashtime të mëdha për asetet e biznesit.
Në Itali, Poloni dhe, deri në një nivel të caktuar, në Korenë e Jugut, trashëgimtarët nuk paguajnë asnjë taksë mbi bizneset e trashëguara. Në Irlandë, Spanjë dhe Gjermani, ekzistojnë përjashtime shumë të larta.
Në një mjedis global konkurrues, politikëbërësit duhet të gjejnë balancën mes rritjes së të ardhurave dhe shmangies së largimit të pasurve drejt vendeve të tjera. Megjithatë, grupet aktiviste për drejtësi fiskale argumentojnë se një hendek më i ngushtë mes të pasurve dhe pjesës tjetër të shoqërisë do t’i shërbente të gjithëve. / Reuters
The post Europa ka një sërë opsionesh për t’i bërë të pasurit të paguajnë më shumë taksa appeared first on Revista Monitor.










