Komisioneri Europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, deklaroi gjatë vizitës së tij në Sofje se anëtarësimi i Bullgarisë në Eurozonë përbën një nga investimet më të rëndësishme dhe me vizion për të ardhmen e vendit.
Ai theksoi se Raporti i Konvergjencës i Komisionit Europian konfirmon se Bullgaria i plotëson katër kriteret kyçe të Mastrihtit – stabiliteti i çmimeve, financa publike të shëndosha, stabiliteti i kursit të këmbimit dhe normat e interesit afatgjata. Vendimi përfundimtar për hyrjen e Bullgarisë pritet nga shtetet anëtare të BE-së në gjysmën e parë të korrikut.
Sipas Dombrovskis, Bullgaria ka qenë prej vitesh në rrugën drejt përdorimit të Euros dhe ka ruajtur një nivel të lavdërueshëm disipline fiskale dhe stabiliteti makroekonomik. Borxhi publik i vendit është vetëm 24% e PBB-së – shumë më poshtë se mesatarja e Eurozonës prej 89% – ndërsa deficiti buxhetor 2.8% është brenda kufijve të pranueshëm. Inflacioni është tashmë në përputhje me mesataren e Eurozonës. Pritet që rritja ekonomike të jetë 2.5% në vitin 2025 dhe 2.1% në 2026, duke tejkaluar mesataren e Eurozonës. Që nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, ekonomia bullgare është dyfishuar në madhësi – një tregues, sipas Dombrovskis, se vendi ka ndërtuar themele të qëndrueshme për integrim të mëtejshëm.
Ai theksoi se Euro do të sjellë përfitime konkrete: kursime më të sigurta, kosto më të ulëta transaksionesh për bizneset, klimë më të mirë investimi dhe norma interesi më të ulëta, falë vlerësimeve më të larta të kreditit. Monedha e përbashkët shërben gjithashtu si mburojë ndaj goditjeve të jashtme – një mësim i parë në shtetet baltike përballë presioneve gjeopolitike nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë kontekst, Dombrovskis e përshkroi Euron si një stabilizues ekonomik dhe gjeopolitik.
Kryeministri Rosen Zhelyazkov konfirmoi se Bullgaria do të fillojë përdorimin e Euros më 1 janar 2026. Ai sqaroi se kjo nuk do të thotë braktisje e monedhës kombëtare, por pjesëmarrje në një kuadër më të gjerë financiar europian. Sipas tij, ky hap pasqyron menaxhim të qëndrueshëm fiskal dhe përputhje me standardet ekonomike të BE-së. Ai siguron gjithashtu konkurrueshmëri më të lartë, të ardhura më të mëdha dhe fuqi blerëse më të fortë për qytetarët bullgarë. Zhelyazkov theksoi se përballë sfidave aktuale gjeopolitike, anëtarësimi në Eurozonë ofron më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për ekonominë e Bullgarisë.
Zhelyazkov falënderoi Dombrovskis për mbështetjen e vazhdueshme dhe tha se Bullgaria synon të mësojë nga përvoja e BE-së për të siguruar një tranzicion të qetë, veçanërisht në menaxhimin e çmimeve dhe mbrojtjen e grupeve vulnerabël. Deri në fund të vitit do të zhvillohet një fushatë e gjerë informuese për të adresuar shqetësimet publike dhe për të parandaluar vendimet e nxituara apo të painformuara për kursimet personale. Zhelyazkov garantoi se nga 1 janari 2026, Banka Kombëtare e Bullgarisë do të shkëmbejë Leva në Euro për një afat të pacaktuar dhe pa komision. Për gjashtë muaj pas kësaj, valuta do të mund të shkëmbehet pa komision edhe në bankat dhe zyrat postare.
Kryeministri përsëriti se nuk ka arsye për panik, shpenzime të nxituara apo konvertime masive të valutës. Ai theksoi se kursi i këmbimit do të jetë i fiksuar dhe fuqia blerëse do të mbetet e pandryshuar. Sistemet e Bullgarisë – financiare, administrative dhe teknologjike – janë plotësisht të përgatitura. Nuk do të nevojitet rishikim i buxhetit, shtoi Zhelyazkov, duke theksuar se procesi i përgatitjes ka nisur, që me anëtarësimin në BE dhe ka përballuar prova të shumta ekonomike dhe politike për gati dy dekada.
Zhelyazkov tha se Këshilli i Ministrave ka miratuar tashmë një mekanizëm koordinimi, për të garantuar mbikëqyrjen e duhur të çmimeve dhe shërbimeve në të gjitha sektorët. Do të zbatohet monitorim javor për të parandaluar spekulimet apo manipulimet gjatë tranzicionit. Kryeministri theksoi se autoritetet rregullatore do të kenë mbështetje më të fortë politike, për të zbatuar këto masa. Ai gjithashtu raportoi se shitësit kryesorë me pakicë, ofruesit e shërbimeve dhe kompanitë e telekomunikacionit janë zotuar të mos rrumbullakosin çmimet në dëm të konsumatorëve.
Komisionerja Europiane për Startup, Kërkim dhe Inovacion, Ekaterina Zaharieva, shprehu besimin se hyrja e Bullgarisë, jo vetëm që do t’i sjellë dobi vendit, por edhe do të forcojë Eurozonën. “Ky është një vendim që qytetarët bullgarë e kanë marrë prej kohësh”, – deklaroi ajo, duke shtuar se fushata informuese në zhvillim dëshmon se qeveria po ndjek një plan të qartë dhe të strukturuar. Ajo beson se Bullgaria do të kontribuojë në forcimin dhe kohezionin e Eurozonës duke filluar nga 1 janari 2026.
Duke iu referuar përvojës së Letonisë, Dombrovskis shpjegoi se frika nga inflacioni dhe presioni spekulativ mbi monedhën kombëtare rezultuan të pabazuara. Kur Letonia iu bashkua Eurozonës në vitin 2014, inflacioni ishte nën 1% dhe tranzicioni nuk shkaktoi destabilitet. “Tani, euro luan rolin e një stabilizuesi”, tha ai.
Ai shtoi se politikat makroekonomike të Bullgarisë tashmë janë të afruara ngushtë me ato të Bankës Qendrore Europiane, për shkak të kursit të fiksuar të këmbimit dhe se tani fokusi duhet të jetë te përgatitjet praktike. Pas vitit 2026, ai i bëri thirrje Bullgarisë të ruajë stabilitetin fiskal dhe të përshpejtojë reformat që përmirësojnë qeverisjen, klimën e biznesit dhe adresojnë çështje si korrupsioni. Europa, tha ai, është e gatshme të mbështesë Bullgarinë gjatë kësaj faze vendimtare.
Në përfundim të deklaratës, Dombrovskis e quajti të jashtëzakonshëm përparimin e Bullgarisë dhe e nxiti vendin të vazhdojë me të njëjtin ritëm. “Anëtarësimi në Eurozonë nuk është fundi, është një fillim i ri. Përfitimet janë të vërteta dhe po ashtu janë edhe përgjegjësitë”.
The post Euro është investimi më i mirë për të ardhmen e Bullgarisë appeared first on Revista Monitor.









