“Është vajzë”!

0

Gjithnjë e më shumë prindër në botë parapëlqejnë vajzat ndaj djemve. Dëshira për të lindur djem po zbehet në vendet në zhvillim, ndërsa në botën e pasur po lind një prirje e re për vajzat, shkruan The Economist

 

Një çift amerikan po organizon një festë për të zbuluar gjininë e fëmijës së tyre që nuk ka lindur ende. “Është djalë!” Entuziazmi përfshin të ftuarit, e më pas video bëhet virale në TikTok.

Por nëna e ardhshme nuk arrin ta fshehë zhgënjimin për shumë gjatë. Brenda pak sekondash, ajo përqafon partnerin e saj dhe shpërthen në lot.

Ai përpiqet ta ngushëllojë, duke i thënë se do të kenë një vajzë në të ardhmen, përpara se të largohen nga festa, tepër të mërzitur për të qëndruar me të ftuarit.

Festat e quajtura “gender reveal” mund të jenë tejet madhështore. Në rrjete sociale dominojnë hashtagët si #boyorgirl dhe #TractorsOrTiaras.

Por kur këto festa përfundojnë me zhgënjim për nënat, që shpresonin për vajzë dhe me keqardhje nga të ftuarit, ato i japin jetë një zhanri të ri në rrjetet sociale: videot zhgënjyese, disa prej të cilave arrijnë miliona shikime.

Me mijëra postime tregojnë apo përshkruajnë ndjesinë e trishtimit për faktin që “nuk do të bëhemi me vajzë”.

Në të kaluarën, prindërit në mbarë botën shfaqnin një preferencë të theksuar për djemtë. Në shumë kultura, djemtë trashëgonin emrin dhe pasurinë e familjes.

Madje, djemtë ishin aq shumë të dëshiruar saqë shumë prindër zgjidhnin të abortonin nëse prisnin vajzë, duke sjellë breza me më shumë djem sesa vajza në vende si Kina dhe India.

Por vitet e fundit, kjo përparësi për djemtë është zbehur ndjeshëm në vendet në zhvillim dhe ndërkohë po shfaqen sinjale të njëanshme në favor të vajzave në botën e pasur.

Ndoshta për herë të parë në historinë e njerëzimit, në shumë pjesë të botës djemtë po shihen gjithnjë e më shumë si barrë, ndërsa vajzat, si bekim.

Në mënyrë natyrore, lindin rreth 105 djem për çdo 100 vajza — kjo duket se është një përgjigje ndaj vdekshmërisë më të lartë te meshkujt.

Ky raport mund të luhatet për arsye, që shkenca ende nuk i kupton plotësisht. Për shembull, numri i lindjeve të djemve priret të rritet menjëherë pas luftërave.

Por deri në vitet 1980, kur ekografia u bë e përballueshme për shumicën e prindërve të ardhshëm, kishte pak mënyra për të ndikuar mbi gjininë, përveçse duke pasur shumë fëmijë dhe duke “përkëdhelur më tepër djemtë”.

Dhe meqenëse familjet zakonisht ishin të mëdha, shumica e prindërve kishin edhe vajza edhe djem.

 

Një plagë që po shërohet

Por në dekadat e fundit, ndërsa prindërit në shumë vende të botës filluan të kenë më pak fëmijë, ata nuk mund të dinin më me siguri nëse do të kishin të paktën një djalë.

Ekografia u dha mundësinë të zgjedhin. Rezultati? Një “masakër” ndaj fetuseve femra. Sipas përllogaritjeve të The Economist, që nga viti 1980 kanë lindur rreth 50 milionë vajza më pak sesa do të kishin lindur natyrshëm.

Në vitin më të keq, 2000, u regjistruan rreth 1.7 milionë lindje djemsh më shumë nga sa duhej. Edhe në vitin 2015, numri i lindjeve të tepërta të djemve ishte mbi 1 milion — çka të bën të hamendësosh që një numër i ngjashëm vajzash të palindura janë abortuar.

Por këtë vit, The Economist parashikon se ky numër do të bjerë në rreth 200 mijë. Kjo rënie drastike në pabarazinë gjinore përfaqëson “shpëtimin” e rreth 7 milionë vajzave, që nga viti 2001 e në vijim.

Parapëlqimi global për djemtë është zhdukur pothuajse, dhe me të edhe vajzat “e humbura” 

 

 

Vendet me pabarazitë më të mëdha midis gjinive në lindje, po i afrohen normës natyrore. Në Korenë e Jugut, në vitin 1990 lindnin rreth 116 djem për çdo 100 vajza.

Pabarazia ishte edhe më e theksuar në familjet me më shumë fëmijë. Te fëmijët e tretë, lindnin mbi 200 djem për çdo 100 vajza; tek të katërtit, raporti i afrohej 250 me 100. Por sot, Koreja e Jugut ka pothuajse barazi midis gjinive.

Po aq i rëndësishëm është fakti, se dëshira për djem është zbehur shpejt edhe në Kinë dhe Indi, ndonëse raporti midis gjinive në lindje mbetet i pabarabartë. Në Kinë, ky raport ka rënë nga një kulm prej 117 në shumicën e viteve 2000, në 111 në vitin 2023. Në Indi, ai ishte 107 në vitin 2023, nga 109 në vitin 2010.

Të dhënat nga sondazhet e konfirmojnë këtë ndryshim. Në shumë vende në zhvillim, kur njerëzit shprehin ndonjë preferencë për gjininë e fëmijëve të tyre, tani duket se duan një përzierje vajzash dhe djemsh. Gratë nga Bangladeshi, që ende nuk kanë pasur fëmijë raportojnë një dëshirë pothuajse të njëjtë për djem dhe vajza.

Ndër ato me një ose dy fëmijë, të pasurit e një djali rrit dëshirën për një vajzë, dhe anasjelltas. Studiuesit kanë vërejtur një prirje të ngjashme për ekuilibër në pjesën më të madhe të Afrikës Sub-Sahariane.

Në një perspektivë afatgjatë, zbehja e preferencës për djem do të ndihmojë që vendet me pabarazitë më të mëdha të kthehen drejt një shpërndarjeje normale midis gjinive.

Kjo do të thotë zbehje të shumë problemeve sociale të lidhura me mungesën e vajzave, nga rritja e kriminalitetit, te trafikimi i nuseve të huaja, ndonëse do të duhen dekada për të zhdukur pasojat e paragjykimeve të së kaluarës.

 

Djemtë, një zhgënjim i vogël?

Në Amerikë, dikur, prindërit që kishin vetëm vajza, kishin më shumë gjasa të vazhdonin të lindnin fëmijë, që të bënin djalë.

Ky ishte përfundimi i një studimi të publikuar në vitin 2008 nga Gordon Dahl i Universitetit të Kalifornisë në San Diego dhe Enrico Moretti i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley. Studimi, i cili analizoi të dhëna nga Censi amerikan në periudhën 1960–2000, arriti në përfundimin se prindërit amerikanë kishin një prirje të qartë për djemtë.

Por kjo prirje është përmbysur me kalimin e kohës. Një studim i vitit 2017, i udhëhequr nga ekonomistja Francine Blau nga Universiteti Cornell, zbuloi se të pasurit e fëmijës së parë vajzë lidhet sot me norma më të ulëta të lindshmërisë në SHBA – një tregues se çiftet e martuara preferojnë vajzat dhe nuk ndihen të “shtyrë” të provojnë për një djalë.

Tendenca të ngjashme vërehen edhe në vende të tjera të pasura. Në Skandinavi është identifikuar një paragjykim në favor të vajzave. Prindërit që kanë një djalë dhe një vajzë priren të ndalojnë aty, ndërsa ata me dy djem kanë më shumë gjasa të vazhdojnë të lindin fëmijë.

Në Finlandë, prindërit që e kanë fëmijën e parë vajzë, zakonisht zgjedhin të kenë më pak fëmijë në total. Studime të ngjashme kanë vënë në dukje një prirje të ngjashme në Republikën Çeke, Lituani, Holandë dhe Portugali.

Edhe trajtimet e fertilitetit tregojnë shenja të preferencës për vajza. Në një klinikë IVF në Midtown Manhattan, New York City IVF, prindërit paguajnë deri në 20,000 dollarë për të zgjedhur gjininë e foshnjës, që do të ngjizet përmes fekondimit in vitro. Familje të pasura vijnë nga vende si Britania, ku kjo praktikë është e ndaluar.

“Më parë, gjithçka rrotullohej rreth djemve”, thotë Alyaa Elassar, drejtuesja e klinikës. “Por gjithnjë e më shumë, prindërit zgjedhin vajza”.

Prindërit adoptues gjithashtu priren të preferojnë vajzat. Sipas një studimi të vitit 2010, prindërit në SHBA ishin të gatshëm të paguanin deri në 16,000 dollarë për të birësuar një vajzë. Në vitin 2009, studiuesja Abbie Goldberg nga Universiteti Clark intervistoi mbi 200 çifte amerikane që prisnin të adoptonin.

Megjithëse shumë thoshin se nuk kishin ndonjë preferencë të fortë, burrat dhe gratë heteroseksuale si edhe çiftet lezbike pranonin, mesatarisht, një prirje për vajzat.

Vetëm burrat homoseksualë shprehën më shumë dëshirë për të pasur djem. Në Korenë e Jugut, vajzat përbëjnë shumicën e birësimeve. Edhe pse interesi për të birësuar vajza nuk ndikon në raportin midis gjinive në lindje, ai jep një tregues të qartë mbi prirjet e prindërve.

Arsyet pas kësaj prirjeje gjithnjë në rritje për vajzat dhe zhvlerësimit relativ të djemve mbeten të paqarta. Ka shumë faktorë që mund të kontribuojnë. Në studimin e Goldberg, ku prindërit ishin ndarë sipas orientimit seksual, grupet e ndryshme kishin arsye të ndryshme për prirjet e tyre.

Meshkujt heteroseksualë, për shembull, mendonin se vajzat janë “më të lehta për t’u rritur”, “më interesante” dhe “më komplekse”, si dhe “më pak sfiduese fizikisht” sesa djemtë. Ndërsa gratë lezbike shprehnin pasiguri për aftësinë e tyre për të edukuar djemtë sipas pritshmërive sociale.

Në vendet që dikur vuanin nga një paragjykim i theksuar në favor të djemve, ky ndryshim mund të pasqyrojë thjesht dëshirën për të shmangur problemet, që kanë lindur nga raportet e shtrembëruara midis gjinive.

Në Kinë, ku burrat janë aq të shumtë në krahasim me gratë, sa që shumë prej tyre kanë mbetur të pamartuar dhe pa fëmijë, prindërit mund të përpiqen të shmangin një jetë të vetmuar për fëmijët e tyre.

Është gjithashtu e kushtueshme të rrisësh një djalë, pasi në shumë raste, për burrat e klasës së mesme që jetojnë në qytet ekziston pritshmëria që të zotërojnë një apartament përpara se të martohen. Prindërit e djemve shpesh ankohen për kostot e frikshme që lidhen me blerjen e një banese për ta.

Një tjetër mundësi është se kjo prirje në rritje për vajzat nuk është domosdoshmërisht tregues i një lehtësimi shoqëror, por më tepër pasqyrim i roleve tradicionale gjinore, që vazhdojnë të jenë të rrënjosura.

Supozimi se vajzat janë më të përkushtuara dhe të kujdesshme, ndërsa djemtë priren të largohen nga familja, mbetet i fortë edhe në shoqëritë me barazi më të madhe midis gjinive.

Në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi – vende ku gratë përfaqësohen ndjeshëm si në botën e biznesit ashtu edhe në politikë – çiftet gjithsesi e konsiderojnë më të rëndësishme të kenë të paktën një vajzë sesa një djalë.

Disa sociologë e shpjegojnë këtë me faktin se vajzat kanë më shumë gjasa se djemtë të kujdesen për prindërit e moshuar që jetojnë vetëm.

 

 

Vajza mes pyllit të problemeve sociale

Dëshira gjithnjë në rritje për vajza mund të pasqyrojë gjithashtu problemet sociale, që prekin burrat në një pjesë të madhe të botës së pasur.

Burrat vazhdojnë të dominojnë në biznes dhe politikë dhe të fitojnë më shumë për të njëjtën punë në pothuajse çdo vend – por nga ana tjetër, ata priren të devijojnë nga normat.

Në shumë vende të pasura, djemtë adoleshentë kanë më shumë gjasa të jenë si autorë ashtu edhe viktima të krimeve të dhunshme. Ata gjithashtu kanë një rrezik më të lartë për vetëvrasje. Në çdo fazë të arsimit, djemtë mbeten pas vajzave dhe përjashtohen nga shkolla me ritme shumë më të larta.

Gjithashtu, kanë më pak gjasa të ndjekin universitetin. Në fakt, hendeku midis gjinive në universitetet amerikane është sot më i madh se në vitin 1972, kur u miratuan ligjet që ndalonin diskriminimin gjinor në arsim – por tani nuk janë më vajzat ato që janë më të pakta në numër.

Prindërit ambiciozë mund të shohin vajzat si më të afta për të pasqyruar imazhin e tyre pozitiv, krahasuar me djemtë. Në fund të fundit, djemtë zhvillojnë më ngadalë aftësitë motorike të imëta dhe kanë më shumë vështirësi për të qëndruar të qetë – mangësi që vihen në pah në një botë ku edhe fëmijët në sistemin parashkollor ndjekin kurse muzike apo pikture.

“Nuk kemi më gra trofe” (trofy wives), thotë Richard Reeves, president i American Institute for Boys and Men, një organizatë që synon të zgjidhë problemet sociale të meshkujve. “Tani kemi fëmijë trofe.”

 

 

Ndarja

Kjo ndarje midis gjinive vazhdon edhe në moshë të rritur. Ndërsa vajzat e reja të suksesshme largohen nga shtëpia e prindërve, djemtë e rinj kanë më shumë gjasa të qëndrojnë në shtëpinë e prindërve.

Një shembull është Japonia, ku një numër tepër i madh i të rinjve – të njohur si hikikomori – jetojnë të izoluar dhe shumica dërrmuese e tyre janë meshkuj.

Edhe në Amerikë, djemtë e rinj kanë më shumë gjasa sesa vajzat të jetojnë ende me prindërit. Rreth një në pesë meshkuj amerikanë të moshës 25–34 vjeç jeton me prindërit, krahasuar me pak më shumë se një në dhjetë femra në të njëjtën grupmoshë.

Një përballje kulturore me mizogjininë mund të jetë gjithashtu një ndër faktorët e kësaj pabarazie. Në librin “BoyMom: Reimagining Boyhood in the Age of Impossible Masculinity”, autorja Ruth Whippman vëren se bota është përballur kohët e fundit me një valë lajmesh mbi sjelljet e këqija të burrave.

Lëvizja #MeToo nxori në pah abuzimet e burrave fillimisht në Hollywood, e më pas në industri dhe vende të tjera. Emra si Harvey Weinstein, Jeffrey Epstein dhe Andrew Tate janë bërë të njohur botërisht, pasi janë akuzuar për forma të shumta të dhunës ndaj grave (dhe në rastin e Epstein, edhe ndaj vajzave të mitura).

Së fundmi, rasti i Gisèle Pelicot, gruaja franceze e cila ishte droguar dhe përdhunuar në mënyrë të përsëritur nga bashkëshorti dhe 50 burra të tjerë ka shkaktuar zemërim të gjerë publik. Seriali “Adolescence” në Netflix, që trajton arrestimin e një djali britanik 13-vjeçar për vrasje, ka nxitur një debat global mbi sjelljet mizogjene te djemtë.

Sipas Whippman, sot është një kohë tejet e ndërlikuar për të rritur djem. Lista e shqetësimeve, shkruan ajo në “BoyMom”, është e gjatë: “Përdhunues, atentatorë në shkolla, beqarë, të papjekur, ndërpresin të tjerët, përçmues, të droguar, nuk përfshihen emocionalisht, nuk ndihmojnë në shtëpi”.

Një tregues domethënës i shqetësimit të përgjithshëm për djemtë në botën e zhvilluar është interesi në rritje i politikanëve për këtë temë.

Vitin e kaluar, Parlamenti britanik hapi një hetim mbi prapambetjen e meshkujve në arsim. Norvegjia shkoi edhe më tej, duke krijuar në vitin 2022 një Komision për Barazinë e Burrave. Në raportin përfundimtar të vitit 2024, komisioni përfundoi se përballja me sfidat e djemve dhe burrave do të jetë “hapi i radhës” në barazinë midis gjinive.

Ligjvënës në të gjithë spektrin politik në SHBA po ndjekin një qasje të ngjashme. Guvernatori i Utah, Spencer Cox (republikan), ka krijuar një grup pune për mirëqenien e meshkujve; guvernatori i Maryland-it, Wes Moore (demokrat), është zotuar për “zgjidhje të synuara për të ngritur burrat dhe djemtë”; ndërsa guvernatorja e Michigan-it, Gretchen Whitmer (demokrate) synon të rrisë përfshirjen e djemve të rinj në universitetet dhe kurset profesionale në shtet.

Megjithatë, është e rëndësishme që kjo panoramë e zymtë për djemtë në vendet e pasura të shihet me realizëm. “Ka pak dëshmi që tregojnë se dëshira për vajza përkthehet në diskriminim ndaj djemve apo vajzave”, – thotë Lisa Eklund nga Universiteti i Lundit në Suedi.

Me rreth 100,000 aborte selektive të fetuseve femra, që ndodhin ende çdo vit në Kinë, zhdukja e paragjykimeve ndaj vajzave duhet të mbetet përparësi.

Por teknologjia mund të ndryshojë këtë situatë, ashtu siç ndodhi me ekografitë para 50 vjetësh. Me një mënyrë të thjeshtë për të vepruar sipas preferencës për vajza, prindërit në vendet e zhvilluara mund të nisin ta bëjnë këtë në numra më të mëdhenj. Metoda të reja testimi po u mundësojnë prindërve të zbulojnë gjininë e foshnjës, që në fillim të shtatzënisë.

Disa kite që mund të blihen online apo në dyqane, kërkojnë vetëm disa pika gjaku nga nëna dhe japin rezultate që në javën e gjashtë të shtatzënisë. Në atë fazë, miqtë dhe familja mund të mos jenë ende në dijeni për shtatzëninë dhe për pasojë, as për vendimet që mund të merren.

Fertilizimi in-vitro (IVF) dhe trajtime të tjera të fertilitetit po bëhen gjithnjë e më të përballueshme ekonomikisht, më efektive dhe më të përhapura.

Në Amerikë, ku IVF me përzgjedhje gjinore është i ligjshëm, rreth një e katërta e përpjekjeve çojnë sot në lindje të suksesshme, krahasuar me vetëm 14% në vitet 1990. Rreth 90% e çifteve që përdorin teknikën e përzgjedhjes së spermës për të zgjedhur gjininë e fëmijës, thonë se duan barazi mes djemve dhe vajzave.

Megjithatë, në praktikë, 80% e tyre zgjedhin vajza. Nëse kjo pabarazi vijon edhe kur këto metoda të përhapen, raporti midis gjinive në SHBA mund të fillojë të shtrembërohet.

Edhe nëse raporti midis gjinive në lindje mbetet natyral, prirja për vajza mbetet e rëndësishme. Ashtu si abortet selektive në vendet në zhvillim janë pasqyrim i pabarazive dhe paragjykimeve të rrënjosura, edhe prirja e re për vajza në botën e pasur është tregues se si funksionojnë shoqëritë.

Lehtësimi i presioneve sociale, që çojnë prindërit të parapëlqejnë vajzat ndaj djemve, do të ishte një hap i dobishëm, pavarësisht se çfarë thonë statistikat më të fundit për raportin midis gjinive në lindje.

 

 

 

 

 

 

The post “Është vajzë”! appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

4 × 4 =