Eksportuesit kinezë përdorin vende të treta për të fshehur origjinën e mallrave, mes frikës nga tarifat e reja deri në 145% të vendosura nga Trump.
Eksportuesit kinezë po shtojnë përpjekjet për të shmangur tarifat e vendosura nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke i dërguar mallrat nëpërmjet vendeve të treta, për të fshehur origjinën e tyre të vërtetë.
Platformat kineze të mediave sociale janë të mbushura me reklama, që ofrojnë “pastrim të vendit të origjinës”, ndërsa një fluks mallrash nga Kina ka ngritur alarm në vendet fqinje, që po bëjnë kujdes se mos bëhen pika të përkohshme për tregtinë me destinacion SHBA-në.
Përdorimi në rritje i kësaj taktike nënvizon frikën e eksportuesve se tarifat e reja deri në 145 % të vendosura nga Trump mbi mallrat kineze, do t’i privojnë ata nga hyrja në një nga tregjet e tyre më të rëndësishme.
Ligjet tregtare të SHBA-së kërkojnë, që mallrat t’i nënshtrohen një ndryshimi të konsiderueshëm në një vend, zakonisht duke përfshirë përpunimin ose prodhimin që shton vlerë të konsiderueshme, për t’u kualifikuar si me origjinë për qëllime tarifore.
Por reklamat në platformat e mediave sociale si Xiaohongshu ofrojnë të ndihmojnë eksportuesit të dërgojnë mallra në vende si Malajzia, ku atyre do t’u lëshohet një certifikatë e re origjine dhe më pas do të dërgohen në SHBA. Agjencia doganore e Koresë së Jugut tha muajin e kaluar se kishte gjetur produkte të huaja me vlerë 29.5 miliardë uonë (21 milionë dollarë) me vende origjine të falsifikuara në tremujorin e parë të këtij viti, shumica e të cilave vinin nga Kina dhe pothuajse të gjitha me destinacion përfundimtar SHBA.
Ministria e Industrisë dhe Tregtisë e Vietnamit muajin e kaluar u bëri thirrje shoqatave lokale tregtare, eksportuesve dhe prodhuesve të forcojnë kontrollet mbi origjinën e lëndëve të para dhe mallrave hyrëse dhe të parandalojnë lëshimin e certifikatave të falsifikuara.
Departamenti i tregtisë së jashtme i Tajlandës gjithashtu muajin e kaluar zbuloi masa për të shtrënguar kontrollet e origjinës së produkteve për në SHBA, me qëllim parandalimin e evazionit tarifor.
Një konsulent, që këshillon kompanitë për tregtinë ndërkufitare, tha se “pastrimi i origjinës” ishte një nga dy metodat kryesore, që po përdoreshin për të shmangur taksat e reja të Trump. Tjetra ishte përzierja e artikujve me kosto të lartë me mallra më të lira, në mënyrë që eksportuesit të mund të pretendonin në mënyrë të rreme një kosto të përgjithshme më të ulët të dërgesave, tha konsulenti.
Agjenci të ndryshme thotë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund ta përballojnë më mirë goditjen e tarifave, sepse gjithmonë ka zona gri. Shumë shitës nga Kina shpresojnë të mund ta arijnë këtë pasi për ta SHBA-të janë një treg i madh të cilin nuk duan ta humbasin.
Përhapja e përpjekjeve për të shmangur tarifat, ka shkaktuar shqetësim midis partnerëve të biznesit në SHBA. Një drejtues i lartë në një nga dhjetë shitësit më të mëdhenj të pavarur në Amazon, tha se kishin vërejtur raste ku origjina e dërgesave ishte ndryshuar, duke rrezikuar konfiskimin nga autoritetet doganore të SHBA-së.
Drejtuesi tha se ata ngurronin të pranonin oferta ndihme nga furnizuesit e tyre kinezë, të tilla si t’i bënin ata të vepronin si “importues të regjistruar” në SHBA dhe të paguanin tarifa, bazuar në koston e prodhimit dhe jo në koston më të lartë të blerjes së shitësit me pakicë. / FT
The post Eksportuesit kinezë i “pastrojnë” produktet në vendet e treta për të shmangur tarifat e Donald Trump appeared first on Revista Monitor.









