Kina ka eksportuar më shumë metale të rralla gjatë muajit qershor. Dërgesat drejt Shteteve të Bashkuara u rritën me 660% në krahasim me muajin paraardhës, sipas të dhënave të publikuara nga Administrata e Përgjithshme e Doganave në Pekin.
Eksportet totale të këtyre metaleve të çmuara u rritën në 3,188 tonë, një rritje rreth 160% nga 1,238 tonët e regjistruar në maj. Megjithatë, sasia e qershorit mbetet ende 38% më e ulët krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, eksportet e Kinës të magnetëve të prodhuar nga metale e rralla ranë me 18.9% në baza vjetore, duke zbritur në 22,319 tonë. Ndërkohë, eksportet e përgjithshme drejt SHBA-së arritën në 353 tonë në muajin qershor, një rritje që vjen pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare mes Pekinit dhe Uashingtonit muajin e kaluar.
Marrëveshja ndërtohet mbi zotimet e bëra në maj, kur të dy vendet ranë dakord të reduktojnë përkohësisht tarifat për një periudhë 90-ditore. Si pjesë e saj, Kina u angazhua të furnizojë më shumë metale të rralla drejt SHBA-së.
Këto minerale janë të domosdoshme për një sërë produktesh të teknologjisë së lartë, përfshirë telefonat inteligjentë, motorët reaktivë, makinat elektrike (EV) dhe turbinat me erë.
Në përgjigje të tarifave të larta të vendosura nga administrata amerikane, qeveria kineze kishte vendosur më herët këtë vit kufizime eksporti për shtatë metale të rralla dhe magnetët përkatës. Këto masa kërcënuan të ndërprisnin zinxhirët globalë të furnizimit, duke pasur parasysh se më shumë se 70% e prodhimit global të metaleve të rralla ndodh në Kinë, ndërsa mbi 90% e përpunimit të tyre po ashtu kryhet atje.
Megjithëse quhen “të rralla”, këto elementë nuk janë realisht të pakët në natyrë, por nxjerrja dhe përpunimi i tyre është shumë kompleks dhe me kosto të lartë.
Kufizimet kineze në eksport nuk prekën vetëm SHBA-në. Ato detyruan edhe disa furnizues të pjesëve të makinave në Europë të ndërprisnin përkohësisht prodhimin. Muajin e kaluar, komisioneri europian për tregtinë, Maroš Šefčovič, komentoi për këto kufizime: “E informova homologun tim kinez për situatën alarmante në industrinë automobilistike europiane, por do të thoja industrinë në tërësi, sepse është e qartë që elementët e rrallë dhe magnetët janë absolutisht thelbësorë për prodhimin industrial.” Ai theksoi se ky ishte një “prioritet” për Bashkimin Europian.
Në muajin qershor, SHBA ishte destinacioni i dytë më i madh për eksportet kineze të magnetëve nga metalet e rralla, pas Gjermanisë dhe përpara Vietnamit, Koresë së Jugut dhe Tajlandës, sipas këtij rendi.
Ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit po zbuten, SHBA ka nisur gjithashtu të lehtësojë kufizimet për eksportin e produkteve teknologjike drejt Kinës, si pjesë e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e metaleve të rralla.
Gjiganti amerikan i teknologjisë, Nvidia, deklaroi javën e kaluar se do të rifillojë shitjet e çipit të tij H20 për inteligjencë artificiale në tregun kinez, pasi administrata amerikane vendosi të zbusë kufizimet. Shtëpia e Bardhë dha garanci se do të japë licenca për tregtimin e produktit në Kinë, pasi më herët e kishte ndaluar shitjen e tij në prill. / Euronews
The post Eksportet e metaleve të rralla të Kinës drejt SHBA rriten me 660% pas marrëveshjes tregtare appeared first on Revista Monitor.









