Fenomeni i turizmit masiv nuk po prek vetëm qytetet e mëdha të Europës, por edhe malet e saj. Ndërsa Mesdheu përballet me temperatura përvëluese gjatë kulmit të verës, gjithnjë e më shumë udhëtarë po zgjedhin lartësitë malore për pushime verore. Kjo ka bërë që Dolomitet, vargmali madhështor në veri të Italisë, të shënojnë një rritje të ndjeshme të popullaritetit.
Por ky interes ka sjellë pasoja të dukshme në disa zona. Në malin Seceda, i famshëm për pamjen e majave të mprehta Odle, fluksi i turistëve, i nxitur edhe nga popullariteti në rrjete sociale, ka vështirësuar ndjeshëm jetën e banorëve të rajonit të Tirolit të Jugut.
Vetëm javën e kaluar, mbi 8,000 persona kanë përshkuar shtegun në një ditë të vetme, duke shkaktuar jo vetëm mbipopullim, por edhe dëmtime të mjedisit dhe kulturave bujqësore. Sipas studimit të Institutit Demoskopika, kjo zonë renditet ndër më të ekspozuarat ndaj mbingarkesës turistike në Itali, përkrah Venecias.

Si reagim, pronarët lokalë të tokave vendosën që në fillim të korrikut të instalonin një portë hyrëse me pagesë 5 euro, për të kompensuar dëmet dhe për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes së terrenit.
Megjithëse autoritetet e Parkut Natyror Puez-Odle e çaktivizuan fillimisht sistemin, ai u vendos sërish në funksion. Sipas Sky TG24, vetë pronarët e cilësuan këtë veprim si një “thirrje për ndihmë”, për të tërhequr vëmendjen mbi problemin, duke theksuar se nuk kanë marrë asnjë reagim nga përfaqësues politikë, shoqata apo organizata.
Aktualisht, pranë portës do të ndodhen përfaqësues të shoqatës turistike Dolomites Val Gardena, të cilët do t’u shpjegojnë vizitorëve se pagesa nuk është detyrim dhe do t’u rekomandojnë një itinerar alternativ, pak më të gjatë.
Megjithatë, iniciativa ka marrë mbështetje të konsiderueshme. Carlo Alberto Zanelle, president i degës së Tirolit të Jugut të Club Alpino Italia, deklaroi se kjo masë shërben “për ta sjellë një problem real në vëmendjen e publikut”. / Time Out, Shqip.al
The post Dolomitet luftojnë turizmin masiv me një tarifë 5 euro appeared first on Revista Monitor.










