Dëshironi një pagë më të lartë? Qëndroni në vendin aktual të punës

0

Ngadalësimi i tregut të punës në SHBA është lajm i keq për ata që kërkojnë të lëvizin, shkruan The Economist

 

Për vite me radhë, tregu i punës në SHBA ka shpërblyer ata që nuk qëndrojnë gjatë në një vend.

Këshilla më e sigurt për të marrë një pagë më të mirë ka qenë të ndërroni punë çdo një apo dy vjet, duke kaluar nga një vend pune në tjetrin që paguan pak më shumë.

Ekspertët e karrierës në TikTok tregojnë nëpër video se si kanë arritur rritje pagash nën ritme të gëzueshme të muzikës pop, duke e maskuar mburrjen online si udhëzim për ju që jeni më pak të informuar.

Në Reddit, përdoruesit diskutojnë se sa kohë duhet të qëndroni në një pozicion përpara se të kërkoni një punë tjetër, në mënyrë që punëdhënësit e ardhshëm të mos dyshojnë për mungesë besnikërie.

(Konsensusi është që duhet të qëndroni të paktën një vit përpara se të ndërroni punë, ndonëse disa më të guximshëm këshillojnë se edhe një periudhë prej gjashtë muajsh mund të jetë e pranueshme.)

 

 

Por tani gjërat po ndryshojnë. Për herë të parë në 15 vjet, me përjashtim të disa rasteve në vitet 2012 dhe 2018, rritja e pagave për ata që qëndrojnë në një vend pune është më e lartë sesa për ata që ndërrojnë punë sipas të dhënave nga Rezerva Federale e Atlantës (shih grafikun 1).

Qëndrimi në një vend mund të jetë tani një strategji më e mirë sesa përmirësimi i CV-së apo përgjigjja ndaj mesazheve në LinkedIn nga rekrutuesit.

Vështirësitë e atyre që ndërrojnë shpesh punë janë një shenjë veçanërisht e dukshme e një tendence më të gjerë: zbutjes së tregut amerikan të punës, dikur tepër të fortë.

Një tjetër shenjë është rritja e normës së papunësisë për të sapodiplomuarit në universitet, të cilët e kanë të vështirë të bindin dikë që t’u japë një mundësi.

Ka pasur periudha të dobëta në tregun e punës gjatë viteve të fundit.

Disa kompani, si shoqëritë e mëdha të konsulencës, punësuan me tepricë gjatë bumit pas pandemisë dhe më pas kaluan disa vite duke i ulur me dhimbje këto shifra.

Programuesit janë ankuar prej kohësh për mungesë perspektive; fillimisht, normat e larta të interesit ndikuan negativisht në vlerën e kompanive teknologjike, më pas modelet e reja të Inteligjencës Artificiale rezultuan veçanërisht të afta për programim.

Por një ngadalësim i përgjithshëm i punësimeve është zhvillim i ri. Edhe pasi entuziazmi i viteve pas pandemisë u shua, tregu amerikan i punës mbeti i fortë.

Çdo muaj, të dhënat për punësimet tregonin se qindra mijë vende të reja pune po shtoheshin në ekonomi. Tani, ky motor duket se po ngadalësohet.

Shifrat për punësimet në qershor duken të forta në sipërfaqe, rreth 147,000 vende pune u shtuan në ekonomi, duke tejkaluar pritshmëritë, por gjysma e tyre ishte në sektorin publik, kryesisht në arsim.

Punësimi në sektorin privat, që është një tregues më i mirë i gjendjes reale të ekonomisë, ishte tepër i dobët.

Vitet e fundit, ka pasur më shumë vende të lira pune, sesa njerëz që kërkonin punë, çka sugjeron një kërkesë të lartë për punonjës.

Megjithatë, ky raport midis vendeve të lira dhe të papunëve, që ekonomistët e ndjekin si tregues të shëndetit të tregut të punës, ka rënë së fundmi në një, që do të thotë se ka afërsisht po aq vende pune sa edhe punëkërkues.

Ndërkohë, përqindja e pronarëve të bizneseve të vogla, që planifikojnë të rrisin punësimet apo pagat, ka rënë në nivelin më të ulët që nga pandemia.

Çfarë do të thotë e gjithë kjo për amerikanët që duan të ndërrojnë punë? Kur tregjet e punës nisin të dobësohen, ato kanë tendencë të përkeqësohen më tej.

Rezerva Federale mund të ndërhyjë, në kohën e duhur, duke ulur normat e interesit, por vetëm pasi të bindet se tarifat e reja doganore nuk do të shkaktojnë një valë të re inflacioni.

Nëse ndonjëherë ka pasur një moment për të zbukuruar zyrën dhe për të investuar në një karrige më të rehatshme, ai moment është tani.

Pasi mund të qëndroni aty për një kohë të gjatë.

The post Dëshironi një pagë më të lartë? Qëndroni në vendin aktual të punës appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

12 − two =