Grupi parlamentar i Partisë Socialiste nën udhëheqjen e liderit Rama rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për
heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, pjesë e këtij grupi. Për të realizar këtë detyrë të
sikletëshme për ta, të dëmshme për shtetin dhe të shëmtuar për opinionin publik, u transformuan
në trupën më të çuditëshme gjygjësore që mund të hasë llogjika njerëzore. Është një trupë që
gjykon akuzat që i bëhen po vetë asaj.
Për të kuptuar absurditetin llogjik të vendimit të grupit parlamentar të PS-së imagjinoni
për një moment sikur një familje e thjeshtë, dhe jo një familje politike e fuqishme si PS-ja, të
përballej me një kërkesë nga SPAK për lejimin e arrestimit të një anëtari të saj që po hetohet për
shkelje të ligjit.
Rama zgjedh Ballukun para SPAK. Argumentat dhe pasojat
Familja në fjalë mblidhet, prindër, fëmijë, vëllezër, xhaxhallarë, halla, teze, dajallarë, e
kushërinj, bëhen gjithsej rreth 80 e ca veta. Ata shqyrtojnë kërkesën e SPAK dhe unanimisht, pa
asnjë mendim ndryshe, e hedhin poshtë atë. A do mendonte dikush se u dha një vendim i drejtë
dhe objektiv në këtë rast?
Pikërisht kjo ndodhi me grupin parlamentar të PS-së në rastin Balluku. Ata morën atributet
e gjykatës në një rast ku qartësisht janë palë. Në vend që të merreshin me procedurën dhe formën
e kërkesës së SPAK-ut ata filluan të vlerësonin përmbajtjen e saj, një punë që në fakt e bën gjykata
dhe jo parlamenti. Kështu deputetët morën përsipër rolin e gjykatës, për të vlerësuar llojin e
veprës penale me të cilën përballej Balluku, peshën e akuzave ndaj saj apo edhe rrezikun e prishjes
së provave.
Nuk dua të paragjykoj argumentet e deputetëve socialistë të prezantuara nga ish ministri i
drejtësisë Ulsi Manja, që paraqiti një sërë arësyesh juridike se përse Balluku nuk duhet arrestuar
për veprën penale në fjalë, apo se përse dëshmitarët nuk janë intimiduar mjaftueshëm. Me siguri
zoti Manja ka shumë të drejtë në të gjitha argumentet e tij si një jursit i nivelit të lartë që i njohu
shumë, edhe pse i rregulloi pak, problemet e drejtësisë sonë.
Problemi që shtrohet si në rastin e zotit Manja ashtu edhe të deputetëve të tjerë nuk
është tek ajo që thonë, por tek pozicioni nga i cili i artikulojnë argumentet e tyre. A flasin si
avokatë apo gjykatës në rastin e zonjës Balluku? Sepse është absurde ti ushtrosh njëkohësisht këto
dy funksione.
Deputetët e PS gardh për Ballukun/ Rama rrëzon SPAK për arrestimin
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në grupin parlamentar të PS-së. Nga njëra anë ky grup
dhe shefi i madh i tij ishin rrjeshtuar prej kohësh përkrah Ballukut dhe përballë SPAK-ut si avokat
politikë të saj. Nga ana tjetër në rolin e tyre si deputetë ata bën gjykimin e masës së sigurisë ndaj saj
prej SPAK duke marrë përsipër rolin e gjykatësit. Ky është paradoksi i vendim-marrjes socialiste që
e bën rrëzimin e kërkesës së SPAK krejtësisht qesharake dhe të pabesueshme për opinionin publik.
Nuk është rastësi që masa si arresti shtëpiak apo paraburgimi vlerësohen nga gjykata dhe
jo nga parlamenti, aq më tepër kur ekziston një konflikt i qartë interesi. Roli i Parlamentit në këtë
rast duhet të ishte formal dhe jo një pengesë ndaj drejtësisë. Pikërisht ashtu sikurse deklaronte
kryeministri Rama dje, kur me të drejtë pretendonte se parlamenti nuk mund të vendosë se kë dhe
si do hetojë drejtësia.
Aspektet konkrete të një çështje siç janë proporcionaliteti mes masës së kërkuar në raport
me veprën penale, apo rrezikshmëria që përbën i akuzuar për procesin hetimor janë cështje që
debatohen në dyert e gjykatës dhe jo të parlamentit. Parlamenti duhet thjesha të verifikojë
formalisht kërkesën që vjen nga drejtësia, ekzistencën e një procesi hetimor real apo të një akuze
konkrete dhe ti hapë rrugën drejtësisë.
Shkullaku: SPAK, fundi i “bastardëve” pa lavdi
Ama kurrësesi ai nuk mund të kthehet në avokat të deputetit që vlerëson masën e arrestit,
peshën e provave, apo rreziqet që paraqet i pandehuri në procesin hetimor. Ky është tagri dhe
territori i sistemit të drejtësisë. Për këtë qëllim ekzistojnë gjykatat si dhe avokatët e të pandehurit.
Përndryshe një grup paralamentar tjetërson rolin e tij politik duke u transformuar në një
zyrë avokatie, apo mburojë politike përballë sistemit të drejtësisë. Kjo ishte në fakt ajo që ndodhi
në rastin Balluku, pavarësisht argumenteve jurdidike të Ulsi Manjas, që humbasin cdo vlerë kur
artikulohen vetëm me urdhërin politik të Edi Ramës.
Ndonëse prej kohësh kryeministri Rama kish deklaruar se PS-ja nuk do bëhej mburojë për
asnjë zyrtar të saj përballë drejtësisë, në rastin Balluku PS-ja u kthye në zyrë avokatie juridike dhe
publike përballë SPAK-ut. Ishte e dhimbëshme të shikoje se si deputetët e PS-së të rrjeshtuar
kokëulur pas një kryetari të sikletosur i dhanë një dorë Ballukut dhe një grusht në surrat
koherencës së tyre politike, sistemit të drejtësisë dhe opinionit publik.
©Shkruar enkas per Lapsi.al nga Blendi Kajsiu
The post Deputetët e PS-së janë gjyqtarë apo avokatë në rastin Balluku? appeared first on Lapsi.al.









