Kosova brenda një viti importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore. Ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove, më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të preferojnë produktet e importuara edhe më 2025, për shkak të perceptimit se ato kanë cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët, sipas rezultateve të Anketës mbi perceptimin e konsumatorëve për prodhimet vendore, realizuar nga UBO Consulting për Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve “PePeKo”, mbështetur nga Projekti për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).
Shkurte Makolli nga UBO Consulting, theksoi se disa produkte vendore si uji, jogurti, dhallë, djathi, gjiza, qumështi, turshitë dhe ajka mbajnë një nivel të qëndrueshëm të preferencës nga konsumatorët.
Një tjetër produkt që ka ruajtur popullaritetin është kosi, i cili vazhdon të mbetet ndër produktet më të preferuara vendore.
Nga ana tjetër, çaji ka përjetuar një rënie të ndjeshme në vitet e fundit, me 71% të qytetarëve që preferonin çaj vendorë në vitin 2023, por kjo përqindje ra në 44% në 2024 dhe në 35% në vitin 2025.
“Kosi, jogurti, dhallë mbetet një ndër produktet që blihen më së shumti si produkt vendor. Djathi dhe gjiza, dhe salcat të tjera janë produkte që kanë ruajtur blerjen vendore. Përpos produkteve të cilat kanë pasur rritje, dhe produktet që kanë mbajtur tregun, janë edhe disa produkte vendore të cilat kanë rënie, tek çaji, në vitin 2023 nga anketa ka dalë që 71% i preferojnë çajin vendor, ndërkohë që kjo përqindje bie në 2024 në 44% dhe vazhdon rënien në 2025 në 35 për qind”.
Ndërsa në pyetjen që është zhvilluar në anketë se çfarë ndikon që qytetarë të zgjedhin produktin e importuar, Makolli ka treguar se arsyeja kryesore për zgjedhjen e produkteve të importuara është perceptimi se ato kanë cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët se produktet vendore.
Ajo theksoi se ndryshimi i këtij perceptimi mund të arrihet përmes edukimit, marketingut më të mirë dhe ndërtimit të besimit për produktet vendore.
“Nuk është thjesht çështje e preferencave por edhe perceptimeve. Kjo mund të ndryshohet me edukim, marketing më të mirë dhe ndërtim besimi. Arsyeja kryesore pse të anketuarit edhe në vitin 2025 në vend të produkteve vendore zgjedhin të importuara është se perceptimi i tyre është se produktet e importuara kanë cilësi më të lartë, dhe që produktet e importuara kanë çmim më të barabartë ose më të ulët se produktet vendore. Po ashtu është që e kanë të vështirë t’i identifikojnë produktet vendore”.
Në ketë publik është treguar po ashtu se rritja e çmimeve të disa produkteve ushqimore vlerësohet se ka ndikuar që një pjesë e qytetarëve të blejnë më pak sivjet.
Të dhënat e një ankete të publikuar nga Shoqata e Pemëve dhe Perimeve e cila kishte 1 mijë e 69 respodendë, tregojnë se 1 në 5 konsumatorë kanë blerë më pak produkte këtë vit.
Arsyeja kryesore pse blenë më pak ishte rritja e çmimeve dhe inflacionit.
Sipas anketës së realizuar nga Shoqata e Pemëve dhe Perimeve, produktet të cilat janë blerë më së shumti nga qytetarët kanë qenë supat dhe erëzat, çajrat si dhe pijet joalkoolike.
Ndërsa, sipas anketës, një numër i madh i qytetarëve edhe sivjet kanë vendosur të blejnë më shumë prodhime të shteteve tjera sesa ato vendore.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për rënie të eksportit gjatë këtij viti e rritje të importit. Eksporti i mallrave në mars të 2025-tës kishte vlerën e 74.7 milionë euro, ndërsa ato të importit 610,5 milionë.
Kosova mbështetet shumë në importet nga Shqipëria, Turqia, Greqia, Holanda dhe Izraeli.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, vendi shpenzoi mbi 1.8 milion euro për importim të specave, domateve dhe trangujve në dy muajt e parë të këtij viti. Vetëm për speca u shpenzuan 1.2 milion euro, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar mbi 14 milionë euro.
Mesatarisht në vit, Kosova importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore.
The post “Cilësia më e lartë”, qytetarët e Kosovës zgjedhin produktet e importuara para atyre vendore appeared first on Revista Monitor.









