Christine Lagarde: Rritja ekonomike e Europës lidhet me një botë që po ‘zhduket’

0

Kreu i BQE-së akuzon politikëbërësit për gjashtë vite mosveprimi, ndërsa modeli i bazuar te eksportet po shkon drejt fundosjes

Prosperiteti ekonomik i Europës është “i përshtatur me një botë që po zhduket gradualisht”, tha Christine Lagarde të premten, duke i bërë thirrje politikëbërësve të bllokut që më në fund të kapërcejnë “vite të tëra mosveprimi”.

Në një fjalim të ashpër, presidentja e Bankës Qendrore Europiane paralajmëroi se “modeli i rritjes” së Europës është bërë i vjetruar, pasi varësia e saj nga eksportet është shndërruar në “cenueshmëri”.

Duke mbajtur fjalën kryesore në Kongresin Europian të Bankave në Frankfurt, Lagarde iu referua një parashikimi të BQE-së dy vite më parë, i cili projektonte që eksportet e Eurozonës do të rriteshin me rreth 8 për qind deri në mesin e vitit 2025.

“Në realitet, ato nuk janë rritur fare,” tha ajo.

Pa e përmendur drejtpërdrejt Gjermaninë, ajo u shpreh se “vendet me sektorë të mëdhenj prodhues” janë përballur me “një ngadalësim të zgjatur të prodhimit industrial”. Në Gjermani, ekonomia më e madhe e bllokut, prodhimi industrial ra në nivelet e vitit 2005 gjatë verës, me prodhuesit e automjeteve dhe sektorin e gjerë të inxhinierisë që u futën në krizë.

Lagarde u bëri thirrje politikëbërësve të BE-së të reagojnë duke forcuar ekonominë e brendshme, për të cilën tha se tashmë po shfaq “forca të fshehura”. “Përvoja jonë e këtij viti ka treguar se një ekonomi e brendshme rezistente mund ta mbrojë Europën nga turbullirat globale,” tha ajo.

Në të gjithë Eurozonën, rritja këtë vit ka qenë paksa më e fortë se sa prisnin bankierët qendrorë dhe shumica e analistëve. Në tremujorin e tretë, PBB-ja u rrit me ritëm dyfish më të shpejtë se pritshmëritë, pasi ekonomia e Francës u zgjerua me ritmin më të shpejtë që prej vitit 2023.

Pas një serie prej tetë uljesh të normave të interesit që nga mesi i vitit 2024, të cilat përgjysmuan kostot e huamarrjes në 2 për qind, BQE i ka mbajtur të pandryshuara kushtet monetare që prej qershorit.

Lagarde u kërkoi politikëbërësve të dyfishojnë angazhimin ndaj forcave ekzistuese të brendshme, duke hequr pengesat e brendshme tregtare. Ajo iu referua një analize të ardhshme të BQE-së, e cila tregon se barrierat aktuale janë të barasvlershme me një tarifë 100 për qind mbi shërbimet dhe 65 për qind mbi mallrat.

Lagarde akuzoi politikëbërësit se kanë shpërdoruar gjashtë vitet e fundit, gjatë të cilave “tregu ynë i brendshëm ka qëndruar në vend”, dhe paralajmëroi rrezikun e një rënieje të ngadaltë, por të vazhdueshme. “Gjashtë vite të tjera mosveprimi nuk do të ishin thjesht zhgënjyese. Do të ishin të papërgjegjshme.”

Dobësitë ekonomike të Europës “nuk shkaktojnë kriza dramatike”, por “gërryejnë qetë-qetë rritjen, pasi çdo tronditje e re na shtyn në një trajektore pak më të ulët”, tha Lagarde. Me kalimin e kohës, kjo akumulohet në një pengesë “të prekshme” për rritjen dhe produktivitetin. / FT

 

The post Christine Lagarde: Rritja ekonomike e Europës lidhet me një botë që po ‘zhduket’ appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

four × four =