Mendoni se keni nevojë për 8 gota ujë në ditë? Apo se kafeja ju dehidraton? Ekspertët rrëzojnë disa nga keqkuptimet më të zakonshme rreth hidratimit.
Edhe pse uji është substanca më e bollshme në trupin e njeriut, ai shpesh nënvlerësohet. Një sondazh i vitit 2023 në SHBA zbuloi se gati gjysma e të rriturve pinë më pak ujë sesa rekomandohet. Kjo është problematike, sepse hidratimi është kyç për rregullimin e temperaturës trupore, lubrifikimin e kyçeve, tretjen, detoksifikimin, transportin e lëndëve ushqyese dhe funksionimin e zemrës e trurit.
“Njerëzit shpesh janë lehtësisht të dehidratuar, pa e kuptuar,” thotë mjekja Dana Cohen. Kjo çon në lodhje, dhimbje koke, vështirësi për t’u përqendruar dhe madje ndjesi urie që në fakt është thjesht etje.
Në vazhdim renditen disa keqkuptime të zakonshme rreth pirjes së ujit dhe hidratimit:
Duhet të pini 8 gota ujë në ditë
Kjo shifër është e thjeshtuar. Sipas Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, gratë kanë nevojë për rreth 2.7 litra lëngje në ditë, ndërsa burrat për rreth 3.7 litra. Në verë, veçanërisht kur jeni aktiv apo jashtë, kjo sasi rritet. Edhe pa djersitje të dukshme, trupi humbet ujë përmes frymëmarrjes dhe avullimit nga lëkura.
Etja është tregues i besueshëm që keni nevojë për ujë
Etja shpesh është një sinjal i vonuar. Nëse prisni deri atëherë, jeni tashmë të dehidratuar. Kjo vlen veçanërisht për të moshuarit, pasi ndjesia e etjes dobësohet me moshën. Humbja e vetëm 1-2% të ujit trupor ndikon në performancën fizike dhe mendore.
Një mënyrë më e mirë për të kuptuar nëse jeni të hidratuar? Frekuenca dhe ngjyra e urinës, çdo 2-3 orë dhe ngjyrë e verdhë e lehtë janë shenja të mira.
Vetëm pijet hidratojnë
Rreth 20% të lëngjeve i marrim nga ushqimi, fruta, perime, supa, etj. Ushqimet si shalqiri, trangujt, domatet dhe manaferrat janë burime të shkëlqyera hidratimi.
Pirja e shpejtë e ujit ju mban të hidratuar
Pirja e ujit në sasi të madhe dhe përnjëherësh nuk është efikase dhe mund të jetë e rrezikshme. Teprica mund të çojë në hiponatremi, ulje të natriumit në gjak. Është më mirë të pini ujë me gllënjka gjatë gjithë ditës. Përdorni aplikacione në telefon apo shishe me shënues kohe për ta bërë zakon.
Kafeja ose çaji ju dehidratojnë
Kjo është e pavërtetë. Të dyja janë të përbëra kryesisht nga ujë dhe llogariten si pjesë e marrjes së lëngjeve. Edhe uji me gaz është po aq hidratues sa ai i thjeshti.
Pijet izotonike janë më të mira se uji gjatë aktivitetit fizik
Jo domosdoshmërisht. Për ushtrime nën 1 orë në kushte të freskëta, uji mjafton. Por për aktivitete më të gjata, në nxehtësi ose nëse djersisni shumë, është e rëndësishme të shtoni elektrolite (natrium dhe kalium). Dietologët rekomandojnë të pini rreth 600 ml lëngje një orë para stërvitjes dhe disa gllënjka çdo 20 minuta gjatë saj, plus një tjetër 600 ml pas përfundimit.
Hidratimi nuk është thjesht çështje e pirjes së ujit, por e mënyrës, sasisë dhe burimeve të ndryshme që përdorni. Shmangia e miteve dhe keqkuptimeve të zakonshme ju ndihmon të qëndroni më të shëndetshëm, më energjikë dhe më të kthjellët çdo ditë. / NatGeo, Shqip.al
The post Çfarë duhet (dhe nuk duhet) të besoni për hidratimin gjatë verës appeared first on Revista Monitor.











