BE përgatit planin e ri për zbatimin e marrëveshjes tregtare me SHBA

0

Bashkimi Europian pritet t’i propozojë SHBA-së një plan që do të zbatojë fazën e ardhshme të marrëveshjes tregtare që të dyja palët arritën këtë verë.

Nisma vjen ndërsa shefi i tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, pritet të takohet me homologët e tij amerikanë më vonë këtë muaj.

Ky hap është përgjigje ndaj propozimeve që Uashingtoni i dërgoi Brukselit më herët gjatë këtij viti, duke kërkuar një plan ligjërisht të detyrueshëm për rishikimin e rregulloreve të BE-së që, sipas tij, dëmtonin bizneset amerikane.

Marrëveshja e arritur ndërmjet Presidenteve të Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidentit amerikan Donald Trump në gusht vendosi një tarifë 15% për shumicën e mallrave të BE-së që hyjnë në SHBA, por përfshinte edhe zotime për të vazhduar punën mbi çështje si trajtimi i eksporteve të çelikut dhe barrierave jotarifore.

Tavani 15% zbatohet gjithashtu edhe për makinat dhe BE-ja është e interesuar të sigurojë që ai të mbulojë edhe sektorë të tjerë që SHBA-ja mund t’i godasë me tarifa sektoriale në të ardhmen. Si pjesë e marrëveshjes, një numër i vogël mallrash të BE-së përfitojnë nga norma më të ulëta, ndërsa blloku ka paraqitur legjislacion për të hequr tarifat mbi mallrat industriale amerikane dhe disa eksporte bujqësore.

I ashtuquajturi plan veprimi i zbatimit, i cili ende nuk është ndarë me SHBA-në, do të fokusohet në pesë fusha. Këto fusha përfshijnë tarifat dhe aksesin në treg, ku BE-ja kërkon norma më të ulëta për disa mallra shtesë, përfshirë verërat dhe pijet alkoolike.

Plani kërkon gjithashtu një dialog për të trajtuar çështje si standardet, tregtinë dixhitale, barrierat teknike dhe ankesat e tjera tregtare. Ai do të eksplorojë edhe bashkëpunimin për çelikun dhe aluminin, ku blloku kërkon të punojë me SHBA-në për të trajtuar kapacitetin e tepërt global.

BE-ja vazhdon të përballet me një tarifë 50% mbi eksportet e çelikut dhe aluminit, si edhe mbi shumë produkte të tyre derivative. Blloku është veçanërisht i shqetësuar se shtrirja e mallrave të goditura nga tarifat rrezikon të zbehë tavanin 15% të rënë dakord me SHBA-në. Komisioni, që trajton çështjet tregtare për bllokun, dëshiron një sistem kuotash që do të lejonte që një sasi e caktuar e eksporteve të metaleve të përfitonte tarifa më të ulëta.

Plani i propozuar i veprimit do të synonte gjithashtu ngritjen e një grupi pune për sigurinë ekonomike, për t’u fokusuar në çështje të tilla si kontrolli i investimeve, kontrolli i eksporteve, prokurimet dhe furnizimi me lëndë të para kritike.

Ai do të mbështeste gjithashtu monitorimin e blerjeve dhe investimeve strategjike që BE-ja është zotuar të bëjë në gazin natyror të lëngshëm dhe çipat elektronikë, si pjesë e marrëveshjes së arritur me Trump.

Të ngarkuarit e BE-së po informohen për planet këtë javë. Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, do t’i bashkohet një takimi të ministrave të tregtisë së BE-së në Bruksel më 24 nëntor. / Bloomberg

The post BE përgatit planin e ri për zbatimin e marrëveshjes tregtare me SHBA appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

sixteen − 14 =