BE-ja ka rënë dakord për rregulla të reja për të forcuar rregullat e sigurisë për lodrat, duke përfshirë ndalimin e kimikateve të dëmshme, që trupi nuk mund t’i shpërbëjë. Ato përfshijnë substanca që mund të ndikojnë hormonet e rritjes dhe që dëmtojnë fertilitetin.
Negociatorët e BE-së dhe vendet anëtare kanë arritur një marrëveshje, se si të mbrohen më mirë fëmijët nga kimikatet dhe lodrat e rrezikshme që shiten në internet.
Ndërsa shumica e substancave të rrezikshme tashmë janë të ndaluara, blloku thotë se nevojitet ende veprim ndaj disa kimikateve, që ndërpresin dhe ndikojnë hormonet dhe dëmtojnë sistemin nervor, të frymëmarrjes ose imunitar.
Cilat janë rregullat e reja për kimikatet?
Rregullat e reja paraqesin një ndalim për PFAS – një grup kimikatesh sintetike të njohura për rezistencën dhe rreziqet e tyre shëndetësore, me përjashtim të komponentëve elektronikë në lodra, të cilët fëmijët nuk i prekin.
Ekspozimi i përsëritur ndaj PFAS ka qenë i lidhur me dëmtimin e mëlçisë, nivelet e larta të kolesterolit, reduktimin e përgjigjes imunitare, peshën e ulët në lindje dhe lloje të ndryshme kanceri.
Rregulloret zgjerojnë gjithashtu ndalimet ekzistuese për kimikatet kancerogjene dhe toksike për riprodhimin (CMR) për të përfshirë substanca të tjera të rrezikshme, si ato që ndërpresin zhvillimin hormonal (hormone disruptors).
Kimikate të tilla janë të lidhura me çrregullime hormonale gjithnjë e më të përhapura, shpesh më vonë në jetë, siç është dëmtimi i cilësisë së spermës.
Anëtarja gjermane e Parlamentit Europian Marion Walsmann, e cila udhëhoqi legjislacionin, vuri në dukje se një në pesë produkte të përjashtuara nga tregu i BE-së për shqetësime sigurie është një lodër.
Rregulloret do të fillojnë sapo të miratohen zyrtarisht nga Parlamenti Europian dhe qeveritë e BE-së.
Po lodrat që shiten online?
Sipas rregullave të reja, importuesit do të duhet të dorëzojnë në doganat në kufijtë e BE-së një pasaportë produkti dixhital – një lloj fletë informacionesh sigurie, që përmban të dhëna dhe paralajmërime për pajtueshmërinë me sigurinë.
“Kjo do ta bëjë më të lehtë për inspektorët kombëtarë dhe doganierët që t’i kontrollojnë ato,” tha Komisioni Europian.
Sipas rregullave të reja, “importuesit do të duhet të dorëzojnë pasaportën e produktit dixhital në doganat në kufijtë e BE-së, e cila do të kontrollohet për të parandaluar hyrjen e lodrave të pasigurta në tregun e përbashkët, përfshirë ato të shitura në internet,” shtoi komisioni. / DW
The post BE ndalon kimikatet e dëmshme në lodrat e fëmijëve appeared first on Revista Monitor.








