Lëvizja ka të ngjarë të ngrejë shqetësime midis fondeve spekulative dhe grupeve private të kreditit për një kontroll rregullator më të gjerë
Rregullatorët e Bashkimit Europian po planifikojnë stres testin e parë, për të kërkuar dobësi në sistemin financiar jashtë bankave, duke reflektuar frikën për rritjen e shpejtë të institucioneve më pak të rregulluara, siç janë fondet spekulative dhe kapitali privat.
Planet e autoriteteve europiane për të shqyrtuar ndikimin në sistemin më të gjerë financiar të një krize të mundshme të tregut, e cila do të përfshinte edhe fondet e pensioneve dhe siguruesit, vijnë pas një procesi të ngjashëm nga Banka e Anglisë vitin e kaluar.
Zyrtarët në institucionet mbikëqyrëse kryesore financiare të BE-së ende po diskutojnë detajet e një stres testi të tillë në të gjithë sistemin e institucioneve jo-bankare, por ata janë optimistë se ai mund të nisë vitin e ardhshëm.
Lëvizja ka të ngjarë të ngrejë shqetësime serioze midis fondeve spekulative, grupeve private të kreditit dhe fondeve të tregut monetar, se ato mund t’i nënshtrohen një kontrolli dhe kufizimesh më të mëdha nga rregullatorët europianë në të ardhmen.
Që nga kriza financiare e vitit 2008, dhënia e kredive është zhvendosur nga bilancet e bankave drejt firmave të tjera, që sillen si huadhënës tradicionalë, por janë më pak të rregulluara.
Sipas Bankës Qendrore Europiane, institucionet jo-bankare përbënin rreth një të katërtën e stokut total prej 19 trilionë eurosh të kredive në Eurozonë në fund të vitit 2023, e cila tha se “gjithnjë e më shumë kredi po ofrohen nga korporatat e sigurimeve dhe fondet e pensioneve”.
Mbikëqyrësit po shqetësohen gjithnjë e më shumë për rreziqet e mundshme, që këto firma mund të paraqesin, si dhe lidhjet me sistemin bankar. Huadhëniet nga bankat e Eurozonës për firma të tilla jo-bankare janë trefishuar, që nga viti 1999, duke arritur në 6 trilionë euro deri në fund të vitit 2023.
Institucionet jo-bankare kanë qenë në qendër të disa episodeve të trazirave të tregut në vitet e fundit, duke përfshirë kërkesën për para në tregjet e obligacioneve pas goditjes së pandemisë, rënien e zyrës familjare Archegos Capital Management tre vjet më parë dhe një krizë likuiditeti tek tregtarët e energjisë pasi Rusia pushtoi Ukrainën.
Rregullatorët e BE-së gjithashtu shqetësohen se rajoni ka qenë i ngadaltë në shtrëngimin e rregullave për fondet e tregut monetar, të cilat janë një burim i rëndësishëm financimi për bankat, duke i lënë ato me kërkesa minimale likuiditeti më të ulëta se ato në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Disa autoritete kombëtare në Europë kanë njoftuar tashmë, se po planifikojnë të nisin një stres test për të ashtuquajturit ndërmjetës financiarë jo-bankarë (NBFI), përfshirë ata në Francë.
Nisma e BE-së do të mbështetet në stres testet specifike të fokusuara në sektorë, të cilat tashmë kryhen rregullisht për bankat, kompanitë e sigurimeve, fondet e tregut monetar dhe shtëpitë e kleringut në Eurozonë.
Qëllimi është të shqyrtohet, se si një krizë do të përhapet midis pjesëve të ndryshme të sistemit financiar dhe nëse kjo mund ta shtojë ndikimin, në vend që ta përthithë atë.
Diskutimet kanë përfshirë Autoritetin Bankar Europian, Autoritetin Europian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve, Autoritetin Europian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale dhe BQE-në, si dhe Komisionin Europian dhe Bordin Europian të Rrezikut Sistemik.
Komisioni tha se do të vonojë zbatimin e kërkesave më të ashpra të kapitalit për bizneset e tregtimit të letrave me vlerë të bankave me një vit deri në fillim të vitit 2027. Vonesa do t’i lejojë Brukselit të presë për qartësi, nëse SHBA-të do të vazhdojnë me rregullat e dakorduara nga rregullatorët globalë në Komitetin e Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare.
Banka e Anglisë përfshiu më shumë se 50 institucione të Londrës në të ashtuquajturin skenar eksplorues në të gjithë sistemin – i cili përfshinte falimentimin teorik të një fondi invesimi – për të modeluar se si një periudhë stresi do të përhapej në firmat jo-bankare.
Firmat e qytetit u lehtësuan kur Banka e Anglisë tha se qëndrueshmëria ishte “krahasimisht e lartë” në fondet e investimeve të drejtuara nga detyrimet në skemat e pensioneve, të cilat kishin shkaktuar një krizë në tregjet e letrave me vlerë dy vjet më parë.
Por ajo gjithashtu paralajmëroi se shitjet e mëdha të aseteve nga fondet e pensioneve, fondet e invesimit dhe investitorë të tjerë mund të përkeqësonin një krizë tregu, veçanërisht pasi shumë prej tyre kishin “pritshmëri të papërputhshme” në lidhje me aftësinë e tyre për të mbledhur para në kohë krize. / FT
The post BE-ja planifikon një stres test gjithëpërfshirës për institucionet financiare jo-bankare appeared first on Revista Monitor.









