Sipërmarrjet shqiptare vijojnë të rriten e të konsolidohen vit pas viti. Në një tendencë normale diversifikimi, shoqëritë e mëdha kanë hyrë në sektorë të ndryshëm nga ai që kanë nisur aktivitetin, duke u kthyer në konglomeratë të mëdhenj.
Por zhvillimi i tyre nuk kufizohet më vetëm brenda tregut vendas. Gjithnjë e më shumë grupe shqiptare po shtrihen përtej kufijve, duke investuar në tregje rajonale e globale, nga Europa Qendrore deri në Amerikën e Veriut.
Ky transformim shënon një hap cilësor për ekonominë shqiptare, sepse jo vetëm u jep kompanive vendase një dimension ndërkombëtar, por edhe rrit konkurrueshmërinë, sjell standarde më të larta dhe kontribuon në rritjen e profilit të Shqipërisë si vend burim investimesh.
Ky proces është një tregues pozitiv i pjekurisë së kapitalit vendas, që po kalon nga modeli tradicional i sipërmarrjes familjare drejt strukturave të mëdha korporative me ambicie globale.
“Kastrati”
Grupi “Kastrati” është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve, është diversifikuar në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë, ndërsa tre vitet e fundit ka hyrë dhe në fushën e aviacionit, duke marrë koncesionin e “Tirana International Airport”.
Qarkullimi vjetor i grupit në vitin 2024 ishte 135 miliardë lekë, me rritje 10.6% me bazë vjetore, duke e renditur atë në më të madhin në vend, sipas të ardhurave.
“Kastrati Energy Trade” dhe “Kastrati Energy”, përkatësisht në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, mbajnë peshën kryesore të të ardhurave, me 71% të totalit, të ndjekura nga “Tirana International Airport”, me 8.4%.

BALFIN
Grupi BALFIN, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madh sipas qarkullimit vjetor.
Të ardhurat e 9 kompanive kryesore të grupit në Shqipëri ishin rreth 50 miliardë lekë, me rritje prej 11.4% me bazë vjetore. Zinxhiri i supermarketeve “SPAR Albania” ishte kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave edhe në vitin 2024, me 25% të totalit.
Që nga mesi i vitit 2025, kjo shoqëri nuk është më pjesë e grupit, pas shitjes te sipërmarrja nga Kosova, “Viva Fresh”.
Kompania e dytë më e madhe është rrjeti i elektroshtëpiakeve “NEPTUN”, me 17.8% të totalit, i ndjekur nga “Tirana Bank”, me 18%. Si sektor, ndërtimi e turizmi po zë gjithnjë e më shumë peshë, me të ardhurat e shoqërive që veprojnë në këtë segment, që sollën gati 26% të totalit.
Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, grupi e ka jashtë vendit. Sipas raportit vjetor të grupit BALFIN, të ardhurat bruto të pakonsoliduara të grupit ishin rreth 1 miliard euro në 2024-n. Grupi zotëron 61 kompani, plotësisht ose pjesërisht, në 11 vende të ndryshme në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Me mbi 5000 të punësuar, 42% e të ardhura të grupit vijnë nga kompanitë që operojnë jashtë Shqipërisë. Kjo e bën BALFIN një nga grupet më të rëndësishme të Ballkanit Perëndimore dhe më gjerë.

Grupi “Bigalb”
“Bigalb” është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 30 miliardë lekë në vitin 2024, me zgjerim prej 3.4%.

Grupi “Agna”
Grupi “Agna” është distributori më i madh në vend dhe ka njohur zgjerim vit pas viti. Krahas tregtimit me shumicë, grupi ka aktivitet edhe në prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve freskuese dhe vitet e fundit ka hyrë dhe në segmentin e prodhimit të birrës.
Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa” sh.a. (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2024 një xhiro prej rreth 32.6 miliardë lekësh, me rritje prej 12% në raport me vitin e mëparshëm.

Gjonaj Group
“Gjonaj Holding Group” është një nga grupet relativisht më të reja në vend, që ka shënuar një rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit.
Grupi ka një portofol në Telekomunikacion, Transferime të Procesit të Biznesit, Tregtim dhe Gjenerim të Qëndrueshëm të Energjisë dhe Ndërtim e Zhvillim të Pronës së Lartë.
Kompania kryesore e grupit është “Info Telecom”, me aktivitet në tranzitin e shërbimeve zanore, Transit, mesazhe dhe zgjidhje të personalizuara të menaxhimit të shërbimeve.
Aktiviteti i dytë më i madh është tregtimi i energjisë, përmes “Ener Trade”, ndërsa grupi po investon dhe në energjinë diellore. Të ardhurat e dy shoqërive kryesore ishin rreth 28 miliardë lekë në 2024, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Në dhjetor 2023, “Gjonaj Holding Group” bleu 50% të aksioneve të shoqërisë “Top Fruits”, duke hyrë në sektorin e grumbullimit e përpunimit të produkteve. Së fundmi, shoqëria po investon në energjinë diellore, duke hapur disa shoqëri me këtë fokus, por ende nuk ka filluar të gjenerojë të ardhura nga ky aktivitet.
Sipas burimeve zyrtar, Grupi Gjonaj operon ndërkombëtarisht si një korporatë biznesi shqiptare me seli në Tiranë.
Grupi ka partneritet me korporatat më të mëdha në fushën e telekomunikacionit, prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, tregtisë së gazit dhe naftës, dhe pasurive të paluajtshme në Europë, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën e Veriut dhe të Jugut.

IGMJ Group
Sipërmarrësi i njohur, Grigor Joti, në vitin 2023 shiti aksionet e “InfoSoft System Tiranë”, një prej kompanive më të hershme në vend, e krijuar në vitin 1995.
Ai vijon të jetë aktiv në “Inter Trade & Distribution”, “Inter Distribution Service”, nëpërmjet grupit “Investment Joti”, sipërmarrje që janë të përqendruara në shpërndarjen me shumicë të produkteve.
Z.Joti pohon se tashmë sipërmarrjet ku ai ka aksione janë nën grupin me emër “IGMJ”. Grupi ka interesa dhe në pasuritë e paluajtshme, nëpërmjet “InRe” dhe “InveG”.
Qarkullimi vjetor i kompanive të grupit ishte 29.3 miliardë lekë, me rritje 9.5%. Peshën kryesore e zënë shoqëritë e angazhuara në tregtimin me shumicë të produkteve të ndryshme.

Bolv Group
“Bolv Group” ka si aktivitet kryesor tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, përmes “B O L V – O I L SHA” dhe “O L S I”. Kompania është diversifikuar dhe në tregtimin e pjesëve të automjeteve apo nxjerrjen e naftës.
Të ardhurat e grupit ishin 22.7 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje 11.5%.
Së fundi, grupi është orientuar dhe në ndërtim, përmes një investimi të madh rezidenca “Folé” që përbëhet nga 4 godina banimi, një model i ri biznesi që targeton akomodim për studentë dhe apartamente hotel për të punësuarit.

Ulaj
Vëllezërit Ulaj janë ndër më të mëdhenjtë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë “Gener 2”.
Krahas ndërtimit, janë zhvilluar dhe aktivitetet e qendrave tregtare (Aba Business Center), qiradhënies, të cilat raportohet po si pjesë e aktivitetit të “Gener 2”.
Grupi është zgjeruar dhe në energji, përmes hidrocentralit Dragobia, ndërsa ka investuar dhe në energjinë përmes diellit. Prej disa vitesh, pjesë e grupit është dhe televizioni i lajmeve “A2”, partner ekskluziv i CNN.
Të ardhurat e grupit ishin 17.2 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje prej 63%, të ndikuara nga ecuria e mirë e kompanisë kryesore të grupit “Gener 2”.

Edil Al Group
“Edil Al Group” është grupimi i disa kompanive në fusha të ndryshme me fokus në ndërtim, media, telekomunikacion. “Concord Investment” dhe “EDIL – AL – IT” janë dy shoqëritë kryesore të përqendruara në ndërtim.
Grupi është zgjeruar dhe në turizëm, me ndërtimin e kompleksit rezidencial “San Pietro” dhe një hoteli me 500 dhoma në Gjirin e Lalëzit, nën markën e njohur spanjolle “Melia”. Grupi ka interesa dhe në programet televizive, nëpërmjet platformës me pagesë “Tring” dhe televizionit “Vizion Plus”.
Të ardhurat e kompanive të grupit ishin 16.3 miliardë lekë në vitin 2024, me një zgjerim prej 25% me bazë vjetore. Kjo tendencë u ndikua nga ecuria pozitive e aktiviteteve të “Concord Investment” dhe “Managment Hospitality Albania”, që administron aktivitetin e hotelit marke “Melia”.

Duka
Vëllezërit Duka kanë një shumëllojshmëri biznesesh, nga agroindustria te tregtimi. Shoqëria më e madhe e tyre është rrjeti i supermarketeve “Eco Market”, “D & D Distribution”.
Në vend të dytë është kompania e tregtimit të produkteve elektroshtëpiake “Go tech”.
Grupi ka interesa dhe në prodhimin e vezëve dhe tregtimin e produkteve të ndryshme. Të ardhurat e shoqërive kryesore ishin 7.4 miliardë lekë në vitin 2024, në të njëjtat nivele si vitin e mëparshëm.
Në janar të vitit 2025 grupi ka krijuar shoqërinë e re D-trans, me aktivitet në transport rrugor kombëtar e ndërkombëtar mallrash dhe udhëtarësh.

Grupi EHW
Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafshtama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.
Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW. Të ardhurat e grupit në vitin 2024 ishin 7.9 miliardë lekë, me rritje 5.8% me bazë vjetore.
Union Financiar Grup
Union Financiar Grup është ndër grupet financiare më të mëdha me kapital vendas. Grupi përfshin “Union Bank”, “Union Financiar Tiranë”, “Landeslease”, “Paylink”.
Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat e grupit ishin 8.3 miliardë lekë në vitin 2024, me zgjerim vjetor prej 21%, të udhëhequra nga rritja e “Union Bank”.
Kjo e fundit është më e madhja e grupit, me rreth 80% të të ardhurave në vitin 2024.

Finman
Finman ka interesa në aktivitetin e ndërtimit, me kompaninë kryesore “Alb-Star”. Vitet e fundit, grupi është zgjeruar në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përmes ndërtimit të “Hotel Arena” (nën markën e “Marriott”), ndërsa është investitor i “Manastiri Resort”, me vila dhe apartamente luksoze, në Jug të vendit, i cili nuk ka filluar ende të gjenerojë të ardhura.
Kompanitë kryesore të grupit raportuan 8.2 miliardë lekë në vitin 2024, me rritje 27%.

Lexoni edhe:
The post BALFIN apo “Kastrati”, cili e fiton garën e grupeve më të mëdha në vend appeared first on Revista Monitor.










