Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak ndaj Spitalit Amerikan

0

Autoriteti i Konkurrencës vendosi javën e kaluar të hapë një hetim paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital dhe International Hospital, në tregun e shërbimit spitalor.

Vendimi u mor pasi Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim raportin e monitorimit në tregun e shërbimit spitalor, të zhvilluar në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë procedurës së monitorimit, është konstatuar pozita dominuese e ndërmarrjeve American Hospital SHA dhe International Hospital SHA (shoqëri e bashkuar me përthithje nga American Hospital SHA).

Gjithashtu, nga të dhëna paraprake, është konstatuar se në lidhje me disa shërbime të caktuara dhe ekskluzive, këto ndërmarrje mund të jenë objekt vlerësimi sipas nenit 9 të Ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjeve American Hospital dhe International Hospital në tregun e shërbimit spitalor.

Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2022 deri në 31 dhjetor 2024.

Në fund të vitit të kaluar International Hospital u bashkua me American Hospital, por gjatë periudhës object hetimi dy ndërmarrjet kanë zhvilluar aktivitet të veçantë.

Pjesa e tregut të spitalit të parë privat në vend u zgjeura më tej në vitin 2018, me blerjen e filialit shqiptar të grupit grek Hygeia.

Spitali ndryshoi emrin në International Hospital, ndërsa në fund të vitit 2024 përfundoi procesi i bashkimit me përthithje me shoqërinë mëmë, American Hospital.

Spitali Amerikan është spitali i parë privat në Shqipëri, i themeluar në vitin 2006 (si Univers-Alb) nga Klodian Allajbeu, në partneritet me dy kompani turke.

Në vitin 2008, kompania u ble nga Balkan Alliance Healthcare B.V., shoqëri e regjistruar në Hollandë, por e kontrolluar nga një fond investimesh amerikan, i specializuar kryesisht në investime (private equity) në kapitalin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Pas blerjes nga aksionerët e rinj, Spitali Amerikan ndoqi një proces zgjerimi të mëtejshëm në Shqipëri, ndërsa në vitin 2011 hapi edhe filialin e saj në Kosovë, American Hospital Kosova shoqëri e kontrolluar në masën 100% nga American Hospital në Shqipëri. Në vitin 2018, American Hospital u zgjerua më tej me blerjen e filialit shqiptar të grupit spitalor grek Hygeia (sot International Hospital).

Me kalimin e viteve, Spitali Amerikan është bërë gjithnjë e më dominues në tregun e shërbimeve spitalore private në Shqipëri. Për vitin 2023, American Hospital dhe filiali i saj International Hospital raportuan një xhiro prej më shumë se 8.4 miliardë lekësh.

Që prej vitit 2023, American Hospital zotërohet nga biznesmeni Klodian Allajbeu. Allajbeu 86.3% të aksioneve në shoqërinë holding të regjistruar në Hollandë Balkan Alliance Healthcare B.V. (aksioner direkt i American Hospital) nëpërmjet shoqërisë KA Healthcare BV, për një çmim të vlerësuar në rreth 24 milionë euro. Blerja u financoha pjesërisht me një kredi nga banka hungareze OTP dhe filiali i saj shqiptar, OTP Albania, në vlerën e 16 milionë eurove.

 

 

The post Autoriteti i Konkurrencës hap hetim paraprak ndaj Spitalit Amerikan appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

five × three =