Flet Jurgen Bame, shef i marketingut të rrjetit të restoranteve “Era“
Kuzhina shqiptare po zë gjithnjë e më shumë vend në përvojën turistike që ofron vendi, veçanërisht në qytete si Tirana, ku vizitorët mund të përjetojnë shijen lokale edhe në restorante moderne.
Në një treg ku turizmi është në rritje të shpejtë dhe përballueshmëria është një nga pikat e forta, ruajtja e autenticitetit nëpërmjet gatimeve tradicionale po bëhet një zgjedhje strategjike për shumë restorante.
Jurgen Bame, shef i marketingut të rrjetit të restoranteve “Era”, tregon mbi ndryshimin e kërkesave të turistëve, popullaritetin në rritje të pjatave shqiptare si tava e Elbasanit dhe rolin e kuzhinës në promovimin e turizmit vendas.
A mendoni se ushqimi shqiptar mund të jetë vetë një arsye për të udhëtuar drejt Shqipërisë – jo thjesht një shoqërues i mirë i plazhit apo malit?
Shqipëria ndodhet ende në fazat e para të shpërthimit të fluksit turistik. Po kthehet me shpejtësi në një destinacion tërheqës për shkak të çmimeve të përballueshme dhe imazhit “trendy” që po fiton për shkak të promovimit që po i bëhet (sidomos në rrjetet sociale).
Në këtë kontekst, kuzhina shqiptare nuk është ende arsyeja kryesore për të vizituar vendin, por është padyshim një element thelbësor që e plotëson përvojën e tyre.
Sa e rëndësishme është për ju të ruani shijet tradicionale në një treg që po bëhet gjithnjë e më shumë ndërkombëtar?
Është thelbësore. Në një kohë ku kuzhinat globalizohen, ne besojmë se autenticiteti është vlera më e madhe.
Tradita nuk është pengesë për inovacionin – përkundrazi, është baza për të ndërtuar përvoja të reja e të paharrueshme.
Ne kemi shumë pjata që i quajmë “shije të Shqipërisë” – si tava e Elbasanit, bacarre Përmeti, petullat e fshira, fërgesa ‘si qëmoti’, zog pule me petka Korçe, fasule pllaqi me suxhuk Kosove, sultjashi, tespishte me arra nga Peja etj.

A ndiheni se çmimet e përballueshme të ushqimit në Shqipëri janë një avantazh real për tërheqjen e vizitorëve?
Po, çmimet e përballueshme janë një avantazh real për tërheqjen e vizitorëve, veçanërisht për ata që udhëtojnë me një buxhet të kufizuar.
Mundësia për të shijuar një vakt të plotë, të shijshëm dhe me produkte lokale, me një çmim të arsyeshëm, është një nga pikat e forta të përvojës turistike në Shqipëri.
Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjithë turistët udhëtojnë “low cost”. Ka gjithashtu një kategori vizitorësh që vlerësojnë cilësinë, shërbimin dhe autenticitetin më shumë sesa çmimin.
Për këtë arsye, çmimet e ulëta janë përparësi, por nuk duhet të jenë qëllimi kryesor – prioritet duhet të mbetet ofrimi i një përvoje të mirëfilltë, të kujdesshme dhe me standard.
Cila është ajo pjatë shqiptare që turistët e porosisin më shumë në restorantin tuaj?
Pjata shqiptare më e porositur nga turistët është “Tava e famshme e Elbasanit” (tava e kosit).
Kjo pjatë ka marrë aq shumë review edhe në platformat sociale sa është bërë trend nga të huajt dhe është gjëja e parë që kërkojnë sapo ulen në restorantet tona.
Sa ndikojnë turistët në xhiron vjetore të restorantit tuaj?
Mund të themi se kanë ndikim të konsiderueshëm në xhiron vjetore, sidomos gjatë muajve të verës kur ka fluks të lartë turistësh (sidomos tek “Era” ish-Blloku ku turistët presin në radhë) dhe rikthim të emigrantëve.
Përgjithësisht, më shumë në muajt qershor-shtator.

A besoni se kuzhina shqiptare ka potencial të kthehet në një markë për promovimin e turizmit?
Pa dyshim që po. Kuzhina është “ambasadorja” më e shpejtë dhe më efektive e çdo kulture.
Dhe Shqipëria ka të gjithë përbërësit për t’u kthyer në një destinacion gastronomik ballkanik dhe mesdhetar me emër
Çdo vit e më shumë, turistët kërkojnë pikërisht atë që është lokale dhe autentike.
Reflektohet qartë në porositë – gjithnjë e më pak pica apo pasta dhe më shumë gatime tradicionale apo produkte të zonës.
Çfarë ndikimi kanë produktet vendase në ekonominë e restorantit tuaj?
Përdorimi i produkteve vendase jo vetëm që siguron freski dhe cilësi, por edhe mbështet ekonominë lokale dhe krijon një cikël të qëndrueshëm prodhim-konsum, që është i vlefshëm për të gjithë.
“Tava e famshme e Elbasanit”
Pjata shqiptare më e porositur nga turistët është “Tava e famshme e Elbasanit” (tava e kosit). Kjo pjatë ka marrë aq shumë review edhe në platformat sociale sa është bërë trend nga të huajt dhe është gjëja e parë që kërkojnë sapo ulen në restorantet tona.
The post “Autenticiteti është vlera më e madhe në një treg global” appeared first on Revista Monitor.










