Armë dhe gjalpë

0

Pse financimi i Ukrainës është një mundësi gjigante për Europën. Fatura do të jetë e madhe. Por është gjithashtu një marrëveshje historike, shkruan The Economist

Luftërat zhvillohen në fushën e betejës, por ato janë edhe prova të forcës financiare. Në konfliktet e zgjatura, aftësia dhe vullneti për të mobilizuar burimet dhe për të gjetur mënyra të reja për të siguruar para janë thelbësore për të përcaktuar se kush fiton, shpesh, janë faktori vendimtar. Kjo e vërtetë po bëhet tepër reale për Europën. Ukraina po përballet me një krizë të ashpër financiare. Nëse asgjë nuk ndryshon, ajo do të mbetet pa para në fund të shkurtit. Kjo greminë po afrohet shpejt, tani që presidenti Donald Trump ka ndërprerë mbështetjen financiare të SHBA-së për Ukrainën, shpresat për një armëpushim po zbehen dhe dronët rusë po shkatërrojnë rrjetin energjetik të vendit në përpjekje për t’ia thyer vullnetin.

E varfëruar dhe e përçarë, Europa duhet të gjejë paratë për ta mbajtur Ukrainën në luftë. Por do të ishte një gabim i madh ta shohësh këtë thirrje për fonde thjesht si një ushtrim të dhimbshëm buxhetor. Përkundrazi, është një mundësi historike për ta zhvendosur ekuilibrin e fuqisë mes Europës dhe Rusisë, duke ekspozuar dobësinë financiare të Kremlinit dhe duke ndryshuar llogaritjet e Vladimir Putinit mbi luftën dhe paqen. Është gjithashtu një rast për ta përshpejtuar përpjekjen e Europës drejt pavarësisë ushtarake dhe financiare nga Amerika. Fatura për Ukrainën është më e lartë se sa shumica e europianëve mund ta kuptojnë, por është gjithashtu një marrëveshje e leverdishme.

Pas thuajse katër vitesh lufte, kostoja e përpjekjeve ushtarake është kolosale. Deri në fund të vitit 2025, përpjekja e Ukrainës, e përkufizuar si buxheti i saj i mbrojtjes plus dhurimet e armëve dhe grantet ushtarake nga jashtë, do të ketë arritur rreth 360 miliardë dollarë. Vetëm këtë vit, lufta do të kërkojë 100–110 miliardë dollarë, shuma më e lartë deri më sot, që përbën rreth gjysmën e PBB-së së Ukrainës.

Dy nga tre burimet e financimit të Ukrainës tani po shterojnë. Në shkurt, pasi Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë, ndihmat financiare mujore të SHBA-së për Ukrainën u ndalën. Ndërkohë, Ukraina tashmë ka marrë hua sa i është dhënë mundësia. Ajo ka një deficit fiskal zyrtar prej rreth një të pestës së PBB-së; borxhi publik është dyfishuar që prej fillimit të luftës, duke arritur rreth 110%. Aftësia e saj për të marrë hua nga familjet dhe bizneset e lodhura ekonomikisht të vendit është e kufizuar.

Kjo situatë lë si mundësi të vetme Europën. Por kjo perspektivë po nxjerr në pah ndarjet brenda Bashkimit Europian. Më 23 tetor, udhëheqësit e BE-së dështuan të bien dakord për një hua për Ukrainën që do të garantohej nga 163 miliardë dollarë asete ruse të ngrira Euroclear, me seli në Bruksel, që është një nga qendrat më të mëdha të pastrimit dhe shlyerjes së transaksioneve në botë. Kundërshtimet nga Belgjika rrezikojnë ta pengojnë planin. Vendet veriore kanë frikë se pranimi i më shumë fondeve të përbashkëta përmes emetimit të obligacioneve të përbashkëta mund të dëmtojë disiplinën fiskale të Eurozonës. Franca druhet se fondet e reja europiane do të përfundojnë për blerjen e armëve të shtrenjta amerikane, për t’i bërë qejfin Trump-it. Të gjithë shqetësohen se një “çek i bardhë” mund ta përkeqësojë korrupsionin në Ukrainë.

Përfitimet

Këto shqetësime janë të arsyeshme, por zbehen përballë dy përfitimeve të mëdha që Europa mund të arrijë. I pari është një angazhim financiar që mund të zbulojë dhe amplifikojë dobësinë afatgjatë të Kremlinit. Rusia ka humbur 200,000–500,000 trupa, dyfishi i shifrës për Ukrainën. Ajo po mban edhe një barrë të rëndë financiare. Shpenzimet e deklaruara të mbrojtjes do të arrijnë 160 miliardë dollarë në 2025, dhe bankat shtetërore kanë ndërmarrë gjithashtu një fushatë gjigante huadhënieje jashtë buxhetit për të mbështetur kompleksin ushtarako-industrial. Është e vërtetë që sanksionet e vitit 2022 nuk e gjunjëzuan Rusinë siç kishin shpresuar disa. Por “bumi” fillestar i luftës që nisi Putini tani i ka lënë vendin në stanjacion të shoqëruar me inflacion, me rritje gati zero, mungesë të fuqisë punëtore, borxhe të këqija të fshehura, inflacion 8% dhe norma interesi 16.5%. Një periudhë tjetër pesëvjeçare në këtë gjendje do të sillte me shumë gjasë një krizë ekonomike dhe bankare në Rusi. Nëse Europa arrin t’i tregojë Rusisë se do ta mbështesë Ukrainën për të paktën aq gjatë, Putini do të gjendet i ngecur në qoshe.

Përfitimi i dytë i madh për Europën do të ishte pavarësia më e madhe ushtarake nga Amerika, një domosdoshmëri, duke pasur parasysh angazhimin e paqëndrueshëm të Trump ndaj NATO-s. Çdo zgjidhje afatgjatë financimi për Ukrainën do ta ndihmonte Europën të ndërtojë forcën financiare dhe industriale që i duhet për ta mbrojtur veten.

Një angazhim katërvjeçar do të kushtonte rreth 390 miliardë dollarë, pothuajse tërësisht në formë dhuratash me armë dhe fonde për të mbuluar deficitet buxhetore të Ukrainës. E shpërndarë nëpër burimet ekonomike të të gjithë anëtarëve të NATO-s (pa përfshirë SHBA-në), fatura për Ukrainën është e përballueshme, me koston vjetore që do të rritet nga 0.2% e PBB-së vitin e kaluar në 0.4%. Alternativa do të ishte që Ukraina ta humbte luftën dhe të shndërrohej në një shtet gjysmë të dështuar e hakmarrës, ushtria dhe industria mbrojtëse e të cilit do të mund të përdoreshin nga Putini si pjesë e një kërcënimi të ri rus.

The Economist mbështet sekuestrimin e aseteve ruse, por ato janë 230 miliardë dollarë më pak se çfarë nevojitet. Duke parë madhësinë e sfidës që ka përballë Europa, një formë borxhi e përbashkët do të ishte e justifikuar. Larg dëmtimit të statusit ndërkombëtar të euros, emetimi i obligacioneve të përbashkëta do të krijonte një bazë më të madhe të borxhit të përbashkët, do të thellonte tregun e kapitalit të BE-së dhe do të forconte rolin e euros si monedhë rezervë. Një horizont shumëvjeçar për blerjet e armëve do të ndihmonte Europën të planifikojë rritjen graduale të industrisë së saj të mbrojtjes. Në afat të shkurtër, Europa nuk duhet të ngurrojë të blejë armët amerikane që i nevojiten Ukrainës, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore. Shpenzimet e mëvonshme duhet të favorizojnë kompanitë europiane të mbrojtjes, ndërsa zhvillojnë sistemet e tyre, si dhe industritë ukrainase të teknologjisë ushtarake që po ecin përpara.

Le të fillojë gara

Probleme të mëdha ndodhen përpara. Përpjekja për t’i shkaktuar dëshpërim Putinit, një qëllim fisnik, mund të bëhet e ndërlikuar nëse Rusia arrin të sigurojë fonde nga Kina. Bashkërendimi i vendimmarrjes midis BE-së dhe NATO-s, që përfshin Britaninë, Norvegjinë dhe Kanadanë, duhet të bëhet më shpejt. Masat kundër korrupsionit janë të rëndësishme, por nuk duhet të rrezikojnë bindjen e Ukrainës, dhe frikën e Kremlinit, se, në një mënyrë apo tjetër, paratë do të vijnë.

Europa duhet të marrë zemër dhe të njohë forcën e vet. Buxheti i saj ushtarak është tashmë katërfish më i madh se ai i Rusisë; ekonomia e saj është dhjetë herë më e madhe. Në vend që t’i shmanget një përballjeje financiare me Kremlinin, Europa duhet ta përqafojë atë dhe ta fitojë luftën.

The post Armë dhe gjalpë appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

19 + three =