AKEP: “Rrugë e lirë” për operatorët celularë virtualë, por deri tani nuk ka kërkesa

0

Në Shqipëri nuk ekzistojnë pengesa ligjore për ushtrimin e aktivitetit nga operatorët e rrjeteve virtuale celulare (MVNO).

Në raportin vjetor të vitit 2024, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) shprehet se grupi i Punës i ngritur me urdhrin e Kryetarit të AKEP vitin e kaluar ka kryer një studim për vlerësimin e mundësive për hyrjen në treg të operatorëve virtualë të shërbimeve të lëvizshme (MVNO), në përmbushje të detyrave të lëna në Rezolutën e Kuvendit.

Në këtë studim është bërë një përshkrim mbi mënyrën e funksionimit të MVNO-ve dhe llojet e tyre, bazës ligjore dhe rregullatore në Shqipëri dhe në disa nga vendet e Bashkimit Evropian.

Studimi vë në dukje se operatorët e rrjeteve celulare (MNO) ofrojnë akses në nivel shumice për operatorët e rrjetit virtual celularë (MVNO) mbi baza komerciale, duke ju mundësuar këtyre të fundit të ofrojnë shërbime celulare me pakicë duke u mbështetur në inputet e blerjes së aksesit me shumicë nga operatorët celularë.

Për herë të parë në historinë e dhënies në përdorim të frekuencave në Shqipëri, AKEP-i ka vendosur detyrimin e fituesve të tenderit për brezin 3400 Mhz- 3800 Mhzt’i japin akses MVNO-ve. Në autorizimin individual për këto frekuenca, përcaktohet se “mbi bazën e një kërkese të arsyeshme, mbajtësi i autorizimit është i detyruar të negociojë përdorimin e përbashkët të kapaciteteve radio me ofrues shërbimesh të përshtatshëm (të tillë si MVNO), në mënyrë jodiskriminuese.”

Nga ana tjetër, edhe Autoriteti i Konkurrencës në vendimin e vet nr. 869, datë 8.3.2022, ka vendosur detyrimin e shoqërisë mëmë të ONE Albania “të mos krijojë pengesa të paligjshme për hyrjen e operatorëve të rinj në treg (MNVO).

Në bazë të kuadrit rregullator ekzistues për komunikimet elektronike në Shqipëri është aktualisht e mundshme që një operator i tretë, MNO apo MVNO, të shprehë interes dhe të përfitojë interkoneksion në rrjetin e dy operatorëve ekzistues.

Megjithatë, AKEP shprehet se deri më sot nuk është paraqitur asnjë kërkesë apo ankim pranë këtij institucioni me objekt të kësaj natyre.

Megjithatë, qysh në vitin 2018, dy operatorët patën paraqitur një shprehje interesi për të ofruar shërbime si operatorë MVNO. Por, në atë kohë, proces nuk avancoi, për shkak se AKEP kishte kërkuar kohë për të analizuar nëse kuadri ekzistues ligjor dhe rregullator krijonte hapësira për të autorizimin e këtyre operatorëve. “Analizimi I kuadrit ligjor” dhe më në fund AKEP ka arritur në konkluzionin se ligjërisht nuk ekzistojnë pengesa për licencimin e operatorëve MVNO.

Operatorët virtualë nuk kanë një infrastrukturë rrjeti të tyre, por shfrytëzojnë me marrëveshje rrjetin e operatorëve ekzistues të rrjeteve celulare (MNO). Operatorët MVNO janë të pranishëm në shumicën e tregjeve të telekomunikacioneve në Europë dhe në disa raste pjesa e tregut të tyre operatorëve arrin deri në 15%. Modeli i biznesit të operatorëve MVNO ka spektër mjaft të gjerë.

Disa prej tyre funksionojnë pak a shumë si rishitës të shërbimeve të operatorëve të rrjeteve celulare (MNO), duke i tregtuar këto shërbime me markën e tyre dhe duke ndjekur strategji të veçanta marketingu. Por, ka edhe operatorë MVNO që zotërojnë një infrastrukturë teknike mbështetëse, që u mundëson t’u japin vlerë të shtuar shërbimeve të ofruara përmes rrjetit të MNO-ve.

Duke qenë se tregu tashmë ka arritur një fazë maturimi, në këtë moment ka shumë pak të ngjarë që të ketë interes nga investitorë të rinj për të ngritur operatorë të mirëfilltë rrjetesh (MNO), sepse kjo do të kërkonte një investim shumë të madh, ndërkohë që përmasa e tregut është e vogël. Në këto kushte, operatorët MVNO shihen si e vetmja mundësi reale për të shtuar numrin e operatorëve konkurrencën në tregun e shërbimeve celulare me pakicë. / E.Shehu

 

The post AKEP: “Rrugë e lirë” për operatorët celularë virtualë, por deri tani nuk ka kërkesa appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

15 + 12 =