Tetovë, rastet e gripit sezonal trefishohen brenda një viti

0

Në Tetovë, gripi sezonal ka përfshirë këtë sezon një numër tre herë më të madh personash sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qendra për Shëndet Publik bën me dije se ka shpërndarë një mijë vaksina kundër gripit, të cilat i kanë marrë personat mbi moshën 65-vjeçare.

Sipas infektologes Suzana Subasiç, në këtë qendër janë paraqitur 199 pacientë të sëmurë me grip, ndërsa në periudhën përkatëse të një viti më parë ishin regjistruar vetëm 65 raste. Ajo sqaron se një mijë dozat e vaksinave, të siguruara si donacion nga ministria, tashmë janë përdorur dhe tani pritet mbërritja e dozave të reja.

Mjeku i përgjithshëm Bekim Ismaili thekson se numri i pacientëve me ankesa nga gripi është rritur ndjeshëm. Ai u bën thirrje qytetarëve që të shmangin marrjen e antibiotikëve dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje, ndërsa nëse gjendja shëndetësore rëndohet, të drejtohen te mjeku i familjes.

“Pacientët nuk duhet të nisin asnjëherë një mjekim vetë, sidomos me antibiotikë, sepse infeksionet virale sezonale nuk shkaktohen nga bakteret. Fillimisht duhet të marrin lëngje dhe antipiretikë. Nëse pas një ose dy ditësh vërejnë se gjendja e tyre po përkeqësohet, atëherë është e domosdoshme të paraqiten te mjeku amë, qoftë për fëmijë apo për të rritur”, këshillon Ismaili.

Ndërsa Qendra për Shëndet Publik pret furnizimin me vaksina të reja, mjekët rikujtojnë se kujdesi i hershëm, hidratimi dhe shmangia e mjekimit vetjak mbeten thelbësore për përballimin më të lehtë të kësaj vale të gripit sezonal.

The post Tetovë, rastet e gripit sezonal trefishohen brenda një viti appeared first on Albeu.com.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

one + twenty =