Gjenerata e ardhshme e veturës sportive A110 mund të vijë jo vetëm si model tërësisht elektrik, pasi Alpine po shqyrton edhe mundësinë e një varianti me motor me benzinë.
Nicola Burnside, drejtoreshë menaxhuese e Alpine në Britani, tha se Alpine Performance Platform (APP) është ndërtuar me fleksibilitet të mjaftueshëm për të akomoduar të dyja teknologjitë e motorëve.
Pavarësisht kësaj, hapi i parë i prodhuesit francez do të jetë lansimi i versionit plotësisht elektrik.
A110 i ri pritet të përdorë bateri të vendosura veçmas në pjesën e përparme dhe në atë të pasme, ndërsa objektivi i Alpine është që pesha e automjetit të mbetet nën 1,500 kilogramë.
Arkitektura APP lejon përdorimin e një ose dy motorëve elektrikë dhe mund të përshtatet gjithashtu për motorë tradicionalë me djegie të brendshme.
Me modelin e ardhshëm, Alpine synon të ruajë elementet që e kanë bërë A110 të njohur, përfshirë peshën e reduktuar, kontrollin në kthesa dhe kënaqësinë në drejtim.
Deri tani, kompania nuk ka konfirmuar ndërtimin e një versioni me benzinë, por kjo alternativë mbetet e hapur për të ardhmen.
The post Alpine nuk e përjashton A110 me motor benzine krahas versionit elektrik appeared first on Albeu.com.









