Udhëzuesi i verës për të mbrojtur fitimet

0

Këtë verë, drejtuesit e korporatave po përgatiten për pushime… nga puna, shkruan The Economist

 

Mesi i korrikut është koha kur gjithçka zbulohet. Në plazh, kjo nënkupton veshje gjithnjë e më të lehta.

Në zyrat e bordit, kjo merr formën e një rituali të “zhveshjes” së korporatave të quajtur “sezoni i fitimeve verore”.

Rezultatet për tremujorin e dytë të vitit do të dalin në javët e ardhshme.

Muaji prill pritej të ishte një periudhë vërtet e keqe: presidenti Donald Trump sapo kishte nisur luftën e tij tregtare, duke tronditur bursat dhe duke rritur interesat e obligacioneve.

Fitimet ishin në rrezik nga kostot e larta dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike.

Në fakt, drejtuesit nuk kanë pasur shumë arsye për t’u ndier të turpëruar. Trump u tërhoq përballë presionit të tregjeve dhe pezulloi pjesën më të madhe të tarifave për 90 ditë.

“Vigjiluesit” e obligacioneve – investitorë që ndëshkojnë qeverinë duke rritur kostot e huamarrjes kur politikat fiskale duken të papërgjegjshme, u qetësuan. Indeksi S&P 500 i kompanive më të mëdha amerikane jo vetëm që i rikuperoi humbjet, por edhe i tejkaloi ato.

Parashikimet për rritjen e fitimeve në tremujorin e dytë për kompanitë e indeksit ranë nga 9% në fund të marsit në 5% në korrik, sipas të dhënave të FactSet.

Sidoqoftë, shumë drejtues do të kenë mundësinë të krenohen me fitime rekord gjatë kësaj vere.

E megjithatë, mund të mos ndihen mirë kur t’u bëhet pyetja klasike: “Çfarë pritet më pas?”

Presioni mbi fitimet po rritet. Edhe pse Trump ka zgjatur pezullimin e tarifave deri më 1 gusht, ai u ka bërë thirrje partnerëve tregtarë të përgatiten për tarifa të tjera.

Më 8 korrik, çmimi i kontratave të së ardhmes të bakrit në SHBA u rrit me 13%, pasi presidenti kërcënoi me një tarifë 50% për këtë metal.

Vetëm pak ditë më parë, ai kishte nënshkruar një ligj për buxhetin që pritet të rrisë borxhin publik me rreth 4.5 trilionë dollarë, një zhvillim që mund të rrisë kostot e huamarrjes për të gjithë, ndoshta shumë shpejt nëse tregjet e obligacioneve reagojnë.

Kompanitë kanë pak kontroll mbi koston e importeve apo të borxhit. Por kanë një fushë ku mund të veprojnë: kostoja e fuqisë punëtore.

Për të qetësuar investitorët, shumë prej tyre kanë sinjalizuar së fundmi se po e mbajnë këtë kosto nën kontroll.

Më 2 korrik, Microsoft njoftoi se do të shkarkojë 9,000 punonjës, rreth 4% e totalit, përveç 6,000 të pushuarve në maj. Po në maj, Walmart paralajmëroi 1,500 largime.

Në qershor, BlackRock, Citigroup, Disney dhe Procter & Gamble zbatuan “thjeshtime”, “riorganizime strategjike” dhe terma të tjerë për pushime nga puna.

Deri më tani, kompanitë amerikane kanë njoftuar për 439,000 vendime për largime nga puna, sipas firmës Challenger, Gray & Christmas. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri ishte më pak se 400,000.

Më 2 korrik, një raport i rëndësishëm nga kompania ADP tregoi se bizneset amerikane kishin humbur 33,000 punëtorë në qershor.

Të dhënat zyrtare të publikuara një ditë më pas dhanë një pamje më pozitive, por kryesisht falë rritjes së punësimeve në sektorin publik dhe atë të kujdesit shëndetësor.

Punonjësit e korporatave duhet të përgatiten për valë të tjera shkurtimesh.

Nëse inovacioni është superfuqia më e madhe e biznesit amerikan, atëherë aftësia për të mbajtur një fuqi punëtore sa më të vogël është padyshim e dyta, veçanërisht në krahasim me versionet më “të buta” të kapitalizmit që gjenden në Europë apo Japoni.

Në pamje të parë, korporatat amerikane nuk duken më të prira për shkarkime se ato europiane.

Tre të katërtat e kompanive të indeksit S&P 500 kanë zvogëluar fuqinë punëtore në të paktën një vit gjatë dekadës së fundit, një përqindje identike me kompanitë e indeksit europian STOXX 600.

Në nivel indeksi, punësimi ka rënë në nëntë nga 24 vitet e fundit në Europë dhe shtatë herë në SHBA.

Një në katër kompani të mëdha europiane kanë më pak punonjës sot se dhjetë vite më parë, krahasuar me një në pesë në SHBA.

Dallimi i madh, sigurisht, është se bizneset amerikane kanë bërë shkurtimet gati në të njëjtën masë me ato europiane, por ndërkohë kanë rritur të ardhurat në mënyrë shumë më të fuqishme.

Midis viteve 2014 dhe 2024, të ardhurat totale të kompanive në S&P 500 u rritën me mbi 20% (me përjashtim të inflacionit).

Ndërsa për STOXX 600 ato ranë me të njëjtën përqindje. Në më shumë se gjysmën e kompanive amerikane të indeksit, shitjet u rritën më shpejt se punësimi.

Në 27 prej tyre, qarkullimi u rrit edhe pse numri i punonjësve ra. Në Europë ndodhi e kundërta: në dy të tretat e kompanive të mëdha të listuara, punësimi u rrit më shpejt se të ardhurat.

Prirja për të shkurtuar staf sa herë që paraqitet mundësia është veçanërisht e theksuar në sektorin më ambicioz të Amerikës: teknologjia.

Që nga viti 2016, shitjet e përbashkëta të kompanive teknologjike të S&P 500 kanë rënë vetëm një herë në vit, ndërsa fuqia punëtore e tyre u zvogëlua katër herë.

Meta kishte 12,000 punonjës më pak në fund të vitit të kaluar krahasuar me kulmin prej 86,000 në vitin 2022.

Mesatarisht, çdo punonjës gjeneroi 2.2 milionë dollarë të ardhura në vitin 2024, nga 1.4 milionë tre vite më parë.

Në janar, Mark Zuckerberg, drejtuesi i Meta-s u zotua se do të vlerësonte punonjësit dhe do të hiqte 5% që kishte pasur rendiment më të dobët, teksa e transformon kompaninë e tij të rrjeteve sociale në një gjigant të Inteligjencës Artificiale (IA).

 

Kompjuteri thotë: “Je i pushuar”

Përparimet në IA, veçanërisht në agjentët gjysmautonomë të IA, pritet t’u japin drejtuesve një “sëpatë” edhe më të mprehtë. Drejtuesit po presin me padurim.

Në prill, Tobi Lütke njoftoi stafin e Shopify, një prodhues softuerësh për e-commerce, se përpara se të kërkonin më shumë staf apo para, duhej të tregonin pse nuk mund ta përfundonin punën duke përdorur IA.

Muajin e kaluar, Andy Jassy u tha punonjësve të Amazon-it se IA do të ulë ndjeshëm numrin e të punësuarve në nivel korporate gjatë viteve në vijim.

Kur recesioni i radhës të godasë biznesin amerikan, këto deklarata do të shtohen. Kompanitë përdorin recesionet si justifikim për të futur zbatimin e teknologjive që të kursejnë krah pune.

Edhe nëse IA nuk rezulton aq efektive në këtë drejtim, ajo shërben si mbulesë e përsosur për CEO-t që kërkojnë të reduktojnë stafin. Çdo përpjekje për të shmangur ekspozimin “e turpshëm” të një bilanci pa fitime.

The post Udhëzuesi i verës për të mbrojtur fitimet appeared first on Revista Monitor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

thirteen − 5 =