Lajmet e fundit

Zelensky për CNN: Nuk kam konflikt personal me Trumpin, por heqja e sanksioneve do të forconte Putinin

By fikso

October 22, 2026

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se përplasjet me Donald Trumpin nuk lidhen me çështje personale, ndërsa paralajmëroi se çdo zbutje e sanksioneve ndaj Rusisë do t’i jepte më shumë fuqi Vladimir Putinit dhe do të dëmtonte përpjekjet për përfundimin e luftës.

Duke folur për CNN në një intervistë nga Kievi, Zelensky u ndal te tensionet e shtuara mes Kievit dhe Uashingtonit. Sipas tij, presidenti rus nuk po tregon vullnet për t’i dhënë fund konfliktit.

“Qëndrimi im ndaj Putinit është shumë i qartë. Mendoj se nëse heqim sanksionet, do t’a bëjmë atë më të fortë. Nuk është diçka personale mes meje dhe Presidentit Trump dhe natyrisht, unë jam kundër çdo lehtësimi të sanksioneve”, deklaroi Zelensky.

Raportet mes SHBA-së dhe Ukrainës janë acaruar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Më herët, Zelensky e kishte kritikuar Trumpin, duke thënë se ai ishte “në anën e gabuar të historisë”, pasi u bë publik njoftimi për një marrëveshje lidhur me blerjen e karburantit rus. Më pas, Trump zbuti disa masa ndëshkuese ndaj Rusisë, vendim që shkaktoi kundërshtime edhe brenda partisë së tij.

Shqetësimit në Kiev i janë shtuar edhe kufizimet ndaj shërbimit satelitor Starlink, që administrohet nga kompania SpaceX e Elon Musk, si dhe vonesat në dërgesat e armatimeve.

Intervista u zhvillua ndërsa administrata amerikane po shton përpjekjet diplomatike për të ndalur luftën, e cila, sipas raportimit, ka hyrë në vitin e saj të pestë.

Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, qëndroi për 3 orë në një takim me Vladimir Putinin në Shën Petersburg. Një ditë më herët, ai ishte takuar me presidentin ukrainas në Norvegji.

Pas bisedës me Witkoffin, Putin pranoi që në nëntor të zhvilloheshin negociata, por nuk dha detaje të shumta rreth tyre. Zelensky e përshkroi takimin e zhvilluar në Oslo si produktiv, megjithëse vuri në pikëpyetje gatishmërinë e liderit rus për paqe.

“Putini po luan, e dini, ai është një lojtar. Është për të ardhur keq, sepse ai luan me jetët e njerëzve të tjerë dhe, natyrisht, nuk dëshiron ta ndalë luftën”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky u kërkoi vendeve partnere të mos lejojnë që Rusia të rrisë më tej fuqinë e saj.

Ndërkohë, Donald Trump tha se qeveria e tij është më pranë se çdoherë tjetër një marrëveshjeje për përfundimin e luftës. Megjithatë, gjatë natës Rusia kreu një tjetër sulm, duke hedhur qindra dronë dhe raketa balistike në drejtim të Ukrainës.

Presidenti ukrainas la të kuptohet se Kievi mund të shqyrtojë ngrirjen e pozicioneve aktuale të frontit, me synim arritjen e një armëpushimi dhe hapjen e negociatave.

“Ndërprerja e zjarrit, ndalimi i vrasjeve, ulja në tryezë dhe bisedimet”, tha ai, duke renditur hapat që mund të çojnë drejt paqes.

Megjithatë, Zelensky theksoi se Ukraina nuk mund të pranojë dorëzimin e territoreve të saj ndaj Rusisë.

“Vendi ynë është shumë i rëndësishëm, sepse bëhet fjalë për njerëzit. Nuk bëhet fjalë për kilometra. Shumë njerëz kanë vdekur duke mbrojtur këtë tokë, pavarësinë dhe vendin tonë”, theksoi ai.

Ai shtoi se territoret e pushtuara përkohësisht nuk do të njihen nga askush si pjesë e Federatës Ruse.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se një nga mosmarrëveshjet kryesore në bisedime ka të bëjë me fatin e pjesës së Donbasit që ende nuk është pushtuar, rajonit lindor ukrainas nën kontrollin kryesisht të forcave ruse.

Kievi përballet gjithashtu me mungesë të raketave interceptuese të nevojshme për zmbrapsjen e sulmeve ruse. Zelensky konfirmoi se shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës me SHBA-në është rivendosur, pasi Ukraina kishte shprehur shqetësime për kufizimet e vendosura nga pala amerikane. Por shërbimi ushtarak satelitor Starshield, në pronësi të SpaceX, nuk është rikthyer ende plotësisht në funksion.

Sipas kreut të shtetit ukrainas, aleatët evropianë kanë dërguar disa raketa për mbrojtjen ajrore, por numri i tyre nuk mjafton për nevojat e Ukrainës.

Gjatë përmbylljes së intervistës, Zelensky paraqiti dy kërkesat kryesore të Kievit ndaj partnerëve ndërkombëtarë: të mos lehtësohen sanksionet kundër Putinit dhe Ukraina të pajiset me raketa më të avancuara për mbrojtjen e saj.

“Të mos i heqin sanksionet Putinit dhe të na japin raketa më të mira”, deklaroi presidenti ukrainas.

The post Zelensky për CNN: Nuk kam konflikt personal me Trumpin, por heqja e sanksioneve do të forconte Putinin appeared first on Albeu.com.