Arsimit të lartë në vend do ti shtohet një universitet i veçantë. Qeveria planifikon të ngrejë një Universitet të Moshës së Tretë, që do të funksionojë si një organizatë arsimore, inovative dhe globale për njerëzit e moshës 50 vjeç e lart. Në strategjinë e moshimit 2025-2030 thuhet se për këtë kategori do të jepet mundësia e zhvillimit të tyre personal përmes trajnimeve dhe kurseve.“Për të moshuarit, lidhja sociale është veçanërisht e rëndësishme për të reduktuar faktorët e rrezikut si izolimi social dhe vetmia. Universiteti ju ofron mundësi për të mësuar gjatë gjithë jetës, ndërveprim social dhe pjesëmarrje në komunitet”, thuhet në dokument. Kurset do të përfshijnë artet, profesionet, gjuhët, historinë, shkencën, filozofinë, çështjet aktuale dhe më shumë.Synimi i qeverisë është të sjellë në Shqipëri një copëz nga mjedisi social i Francës dhe Britanisë. Universiteti i Moshës së Tretë (U3A) ka rezultuar një lëvizje shumë e suksesshme për edukimin e të rriturve, i cili ofron mundësi për të rriturit e moshuar që të marrin pjesë një sërë aktivitetesh që lidhen me mirëqenien në jetën e mëvonshme. “Rezultatet e pritshme: Stimulimi i aktivitetit mendor, nëpërmjet mësimit gjatë të gjithë jetës, që krijon lidhje sociale duke reduktuar ndjenjën e vetmisë, si edhe ndikon në eksplorimin e interesave që të moshuarit nuk kanë mundur ti zhvillojnë më parë, pra promovimin e jetës aktive”, thuhet në dokument.Duke qenë se ky universitet do të funksionojë më shumë për kurse dhe bashkëbisedime, nuk do të ketë provime për të rriturit, por vetëm informim të tyre.