DR. JORGJI KOTE
Objektivi madhor “Shqipëria në BE 2030” është kryefjala politike e PS-së gjatë kësaj fushate zgjedhore. Kjo logo e meriton mbështetjen e gjerë që ka te publiku, opozita, shoqëria civile, media etj., natyrisht me rezervat, dyshimet dhe sugjerimet e rastit. Pozitive janë dhe aksentet më të forta që po i jepen kësaj teme madhore. Po ashtu, vlen për t’u përshëndetur sjellja e Kryeministrit Rama ndaj BE-së, veçanërisht pas gjuhës së mëparshme shpesh të drunjtë, çka nuk krijonte askund mbresa të mira. Por, kujdes, se “Shqipëria në BE 2030” është “thikë me dy presa”; ajo i kapërcen caqet e një fushate zgjedhore, ndaj nuk do tepruar dhe abuzuar me të.
Vërtet që me këtë logo mund të fitohen zgjedhjet, mirëpo tani çështja nuk është fati i një partie apo edhe i një palë zgjedhjesh parlamentare, por a do të mbyllen, me si dhe me kë negociatat në vitin 2027 dhe a do të anëtarësohemi brenda vitit 2030 apo dhe ky objektiv historik do të arkivohet si të tjerët, duke ia hedhur qyrkun e fajit të tjerëve dhe BE-së për dështimin e radhës? Kjo pyetje mbetet ende pa përgjigje. Veç kësaj, këto 20 vitet e fundit dhe sidomos në fushatën e tanishme po teprohet shumë me integrimin europian; duke përsëritur bonuse dhe përfitime të stërthëna në 35 vitet e fundit, por që mbeten të parealizuara. Ndaj, me gjithë fabulat, narrativat dhe batutat kryeministrore, ai po ngjit, josh dhe frymëzon shumë pak. Kjo edhe për shkak se në fushatën e PS-së po ndikon negativisht dhe artikulimi me vend dhe pa vend i shumë fakteve/faktorëve që janë shumë larg të vërtetës. Mbi bazën e përvojës ndërkombëtare dhe autorit të këtyre radhëve si diplomat për 15 vite rresht në Berlin dhe në Bruksel, më poshtë po ndalemi te këto 10–15 të pavërteta, duke theksuar nevojën e saktësimit, plotësimit dhe korrigjimit të tyre, në mënyrë që faktet/faktorët përkatës të jenë më të besueshme dhe të zbatueshme.
Anëtarësimi në BE nuk është bast, por besa dhe betimi që bëmë në dhjetor 1990! Ai nuk është takim, krushqi, dasmë, dhëndëri/nusëri, ca më pak lidhje erotike/dashurore. Po të ishte kështu, me siguri ne do ishim në BE, se atyre ua “kemi marrë me kohë dorën”! Në fakt, ata që e njohin dhe e kanë kaluar anëtarësimin në BE e përshkruajnë atë si një rrugëtim të gjatë, të mundimshëm dhe me shumë stacione, ose “vrapim me pengesa” dhe Mal i lartë! Sa dallim i madh! Anëtarësimi në BE nuk është as votë, qoftë kjo dhe plebishitare, siç po kërkohet me çdo kusht! Po qe se ky anëtarësim do varej prej votës, kjo mund të ishte bërë më parë dhe këto 12 vitet e fundit, kur PS-ja i kishte ato “me shumicë”. Shqipëria në BE nuk mund të reduktohet te pasaporta e Brukselit! Se fryma e dhjetorit 1990 nuk ishte thjesht që shqiptarët të merrnin pasaportën europiane, ca para dhe “të çanim ferrën” në Europë, siç dhe po ndodh në masë; se pasaporta europiane që e tundin gjithandej si kartë dhe karamele zgjedhore, por që shpejt i “doli boja” dhe nuk po e tregojnë më simbolizon më shumë ikjen se sa identitetin tonë europian. Le të rikujtojmë se dhjetorianët e “donin Shqipërinë si Europa” në vlera, parime, mentalitet, në standarde dhe në mënyrën e jetesës perëndimore! “Shqipëria në BE 2030” nuk është as afat kohor zyrtar i caktuar nga BE-ja; ai është vetëm objektiv i yni, i dakordësuar si agjendë me Komisionin Europian. Por nuk ka pse ta marrim të mirëqenë as tani dhe as më 11 maj, qoftë dhe sikur 99,99 për qind të votave të fitojë PS-ja! Se po të kishim besuar Komisionin Europian, Serbia dhe Mali i Zi këtë vit duhet të ishin në BE, por ato janë “ala ke urra”. Kjo ndodh se Komisioni vetëm propozon, por janë Parlamenti Europian dhe në fund të 27 vendet anëtare të BEsë, që do na kalojmë dhe politikisht “në vrimë të gjilpërës” deri sa të hyjmë në BE.
Këtë e pohoi dhe Kryeministri Rama në Durrës më 21 prill. Ndërkohë, as mesazhet nga BE-ja nuk janë dhe aq premtuese. Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas e bëri të qartë në Tiranë se zbatimi i reformave është kusht i panegociueshëm bashkë me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ku ka shumë punë për të bërë. Ndërkohë, koalicioni i ri qeveritar gjerman e ka vulosur në programin e tij se zgjerimi do të bëhet vetëm mbi bazën e meritës së çdo vendi në realizimin e standardeve dhe reformimin e vetë BE-së. Po aq e pavërtetë është logoja kryesore politike e fushatës “Me Edin dhe PS-në në BE/2030” (sa i ngjashëm me sloganin monist “Me Enverin dhe Partinë”…!). Kjo mbasi në dokumentet e BEsë dhe në Kornizën e miratuar të Negociatave shënohet se anëtarësimi në BE nuk është çështje e një partie, qoftë dhe në pushtet, por e një dialogu dhe bashkëpunimi mbarëpartiak, me shoqërinë civile, median, etj.. Suksesi i reformave tona madhore kërkon përfshirje dhe jo përjashtim! Akoma më i pavërtetë, i pamundur dhe i rrezikshëm në kuptimin demokratik është pretendimi se po të ishte në pushtet PSja në 35 vitet e fundit rresht, Shqipëria do të ishte në BE. Në asnjë vend tjetër lindor dhe perëndimor nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Sepse ndryshe thelbi i demokracisë liberale dhe për rrjedhojë i anëtarësimit në BE është pluralizmi politik dhe rotacioni i pushtetit. Pastaj, PS-ja, si pasardhëse e PP-së humbi më 1992, ashtu si të gjithë “simotrat” e saj lindore. E pra, nëse duam të hyjmë në BE për të ndrequr këtë “padrejtësi” ndaj PS-së, këtu gabohet.
Pastaj pse duhet që PS-ja të shkojë te viti 1992, kur ka 12 vite rresht në pushtet, “vetë Ali dhe vetë kadi”, por nuk ka bërë më shumë se çelja e tri grup-kapitujve, aq! Dhe më i pavërtetë dhe i gabuar është pohimi se asnjë parti tjetër, ca më pak lideri i PD-së, “bufi i kënetës dhe moçalit” siç shprehen ata, nuk kanë këllqe dhe nuk ulen dot në tryezën e negociatave me Brukselin. Mirëpo ia që faktet nga viti 1992 flasin më shumë se fjalët. Veç dritëhijeve të njohura në këtë fushë, rikujtojmë se ishte Sali Berisha me qeverinë e tij që negocioi dhe mundësoi anëtarësimin e Shqipërisë në KiE (1995) në NATO (2008) që nënshkroi dhe zbatoi Marrëveshjen e Stabilizim–Asociimit (2006) që realizoi liberalizimin e vizave me BE-në (2010) dhe që paraqiti kërkesën zyrtare për në BE (2009). E pra, ky “bufi” i kënetës është pritur mëse një herë në Shtëpinë e Bardhë nga të dy presidentët amerikanë, Bushi i vjetër dhe i riu; Berisha i ka mirëpritur të dy në Tiranë, madje Bushin e ri në vitin 2007 si i pari president amerikan në detyrë. Ashtu siç ka pritur, është pritur dhe takuar me gjigantë të politikës europiane dhe botërore, nga Papa Gjon Pali II, Jacque Delors, Kohl, Berluskoni, Chirak, John Major dhe shumë të tjerë, dhe në Bruksel/Strasburg javët e fundit. Dhe kur vjen fjala për negociatorë dhe ekspertë mbi BE-në, opozita ka të tillë po aq, në mos dhe më të aftë e të sprovuar. Deputetja Jorida Tabaku, kryetare e Komitetit Kombëtar të Integrimit dhe Ilda Zhulali, ish-drejtore e përgjithshme për BE-në në MEPJ janë vetëm dy shembuj të spikatur në këtë fushë jetike.
Ja pse, “Shqipëria në BE/ 2030” do të ishte më e drejtë, më e vërtetë dhe me frymën e kërkuar europiane që të plotësohej, duke pranuar pak a shumë publikisht “se të gjitha forcat politike kanë qenë dhe janë për anëtarësimin në BE; ndryshe nuk do të kishim mbërritur deri në këtë stad integrimi. Por PS-ja është më bindësja, se ka më shumë përvojë, duke mësuar nga pësimet dhe arritjet dhe gjatë 12 viteve të fundit në pushtet”. Veç të tjerash, kjo sjellje politike dhe zgjedhore do ta bënte dhe fushatën e tanishme socialiste më pozitive; mbasi deri tani ajo po karakterizohet nga tone negativiste, denigruese, përjashtuese dhe pa asnjë etikë ndaj kundërshtarit politik dhe për një çështje të tillë kardinale, si anëtarësimi në BE; një rast “sui generis” i paparë në asnjë vend tjetër kandidat. Tani, kështu vërtet mund të fitosh zgjedhjet më 11 Maj në, por qysh të nesërmen do ta pengosh sërish anëtarësimin në BE; dhe BE/2030 do kthehet në bumerang politik.
Është gabim të mendosh, me gjithë rëndësinë që ka për imazhin dhe si arritje diplomatike, se BE/2030 do realizohet falë gjeopolitikës, sado e favorshme të jetë ajo; ca më pak me forume, samite dhe spektakle ndërkombëtare, as duke u ngjitur në maja qoftë dhe të OKB-së por vetëm me zbatimin e reformave madhore të njohura dhe doemos të certifikuara nga të 27 metropolet e BE-së. Mirëpo, shqip reforma do të thotë sigurimi i ujit të pijshëm, dritave, pensione dinjitoze, ulje e kostos së jetesës, shmangia e azilit të paligjshëm që nuk ndalet, fitorja ndaj krimit dhe korrupsionit galopant, shtypi i lirë, të drejtat e njeriut…, mirëpo kur dëgjon për kërkesa ulëritëse na vjen ndërmend thënia e mençur “hiç hiç, por Abili vdiq”! Nuk është e vërtetë as se ky shans historik një herë po na vjen në derë dhe në dorë dhe pikërisht tani. Përkundrazi, në 30 vitet e fundit rastet që na kanë ardhur dhe na kanë ikur nga dora, apo trena që nuk i kemi kapur dot nuk mbahen mend!
As nuk është e vërtetë se BE-ja qenka Perandori; kjo nuk do përmendur as si batutë, sidomos nga ana jonë si popull që kemi alergji ndaj perandorive, sepse kurrë nuk i kemi dashur ato. Ca më pak kemi qenë besnikë të tyre deri në vdekje! Pastaj BE-ja dallon nga perandoritë, se u krijua vullnetarisht, pa forcë e dhunë, pa asnjë krismë, si projekt paqeje, begatie dhe demokracie liberale. Po aq e pavërtetë dhe e padobishme është të thuash qoftë dhe nën zë se ne po hyjmë në BE të hakmerremi për padrejtësitë dhe poshtërsitë që ajo na ka bërë. Tashmë është e qartë se në 67 vitet e ekzistencës së saj, BE-ja na kë bërë vetëm ndere, të mira, drejtësi, na ka ndihmuar me fonde, projekte dhe programe tashmë të njohura, përfshi dhe mbështetjen saj për përshpejtimin e anëtarësimit tonë në BE.
Ndaj, BE/2030 të mos e shohim si simbol hakmarrjeje, por përkatësie! Më tej, është “gënjeshtër me bisht” të trumbetosh si sukses se ke thyer rekord shpejtësie me çeljen deri tani të tre apo gjithë grupkapitujve deri në fund të vitit! Fakt është se mbajmë rekordin “për shpejtësi breshke” në këtë proces; kështu, mbas dorëzimit të kërkesës zyrtare në prill 2009, pritëm 5 vjet për të fituar statusin “kandidat” dhe mandej dhe 10 vjet të tjera derisa filluam çeljen e negociatave! Rikujtojmë se vendet e tjera e kanë përfunduar ciklin nga kërkesa deri në anëtarësim në BE brenda 10-15 viteve, ndërsa ne kemi 16 vite që ende presim! Ndaj ajo çka na duhet nuk është rekordi, se atë e mban Kroacia, e cila i mbylli negociatat brenda 8 viteve nga depozitimi i kërkesës zyrtare (2003–2011), përfshi bllokimin 3 vjet nga Sllovenia për çështje territoriale, por të bëjmë çmos të gjithë bashkë për mbylljen e negociatave me BE-në brenda muajit dhjetor 2027.
Këtu është prapë e pavërtetë, iluzion dhe naivitet të pohosh se me inteligjencën artificiale ne do thyejmë rekord tjetër në përkthimin e materialeve dhe përshpejtimin e negociatave. Sepse anëtarësimi në BE nuk është as çështje negociatash, përkthimi dhe përafrim legjislacioni, ndonëse ato kanë pjesën e tyre. Siç u përmend dhe më lart, thelbi i këtij procesi është zbatimi cilësor dhe në kohë i reformave të njohura madhore dhe i standardeve përkatëse europiane. Këtu ne çalojmë dhe jemi shumë larg BEsë, megjithatë askush nga qeveria nuk po na tregon se ku jemi deri tani, çfarë probleme dhe pengesa ka për mbylljen e grup kapitujve të çelur dhe më e rëndësishmja, si do t’i realizojmë këto në dy vjet kur minimumi i nevojshëm është pesë vjet? Deri tani asgjë nuk po na thuhet dhe nuk flitet për to, vetëm bujë, propaganda, futurizëm politik dhe premtime në erë pa asnjë garanci zbatimi!/Gazeta Panorama