Dhimbja e kokës për drejtuesit e mjeteve që kalojnë në autostradën Tiranë-Durrës do të shtohet edhe më shumë në pikun e sezonit veror.Segmenti rrugor Vorë – ura e Dajlanit do t’i nënshtrohet një rehabilitimi në kulmin e sezonit verorë kohë kur ngarkesa me automjete e gjithë autostradës është e frikshme e që çdo vit shkakton radhë kilometrike në trafik.
Autoritetit Rrugor Shqiptar ka hapur një tender emergjent për riparimin shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë – Ura e Dajlanit, me fond limit 77.1 milionë lekë, dhe punimet duhet të mbyllen për dy muaj nga lidhja e kontratës.
Duke qenë se gara mbyllet më 25 korrik, më pas kalohet në vlerësimin e ofertave dhe lidhjen e kontratave, praktikisht gjithë sezoni në trafik.
“Ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm pasi është pjesë e korridorit ekzistues veri – jug dhe shërben për lidhjen e Portit të Durrësit me kryeqytetin Tiranë dhe më gjerë. Të gjitha mjetet e zonës së veriut që lëvizin drejt jugut dhe ato të Portit të Durrësit kalojnë në këtë segment rrugor”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Ky segment i cili ka degraduar dhe qarkullimi në të, duket si kalim me pengesa, por ARRSH u kujtua fiks në kohën kur rëndesa shtohet edhe më shumë për shkak të turizmit.
Ky segment rrugor 20 kilometra i gjatë është ndërtuar në vitin 2001 dhe është amortizuar nga gropat e heqja e shtresave të asfaltit.
“Aktualisht në të dy anët e këtij segmenti rrugor ka dëmtime të konsiderueshme si rrjetëzime, gropëzime si dhe dëmtime deri në nënshtresa në zona të veçanta. Ky segment rrugor ku do të ndërhyhet ka një gjatësi prej rreth 20 km me dy karrexhata me trafikndarës”, thuhet në tender.