Aktualitet

Rama tha se do ta shkrijë, por AKU nuk ‘dorëzohet’ kërkon 12 mln euro për zyra të reja dhe punonjës

By Fikso 1

July 28, 2025

Kërcënimet e kryeministrit Edi Rama për të shkrirë Autoritetin Kombëtar të Ushqimit nuk pinë ujë për këtë institucion.

Edhe pse Rama i kërkoi publikisht nga Ministria e Bujqësisë të shkrihet AKU, puna e inspektorëve vijon.

Madje planifikohet të shtohet stafi me 33 punonjës të rinj. AKU ka kërkuar 6.6 milionë euro buxhet për të shtuar stafin për vitin 2026.

“AKU (Autoriteti Kombëtar të Ushqimit) kërkon mbështetje shtesë me fonde në vlerën 664.4 milionë lekë, si rrjedhojë e kërkesës së rritjes së numrit të punonjësve me 33 punonjës për të përmbushur detyrimet që burojnë nga ligjet dhe rregulloret e reja për kontrollin zyrtar, si dhe për të mbuluar me inspektorë pikat e reja doganore dhe kufitare. Shtesat përfshijnë inspektorë, specialistë për laboratorët, si dhe punonjës në arkivë dhe protokoll, me qëllim rritjen e efikasitetit të kontrollit dhe forcimin e kapaciteteve për reagim të shpejtë në raste emergjente ushqimore”, thuhet në kërkesë.

Por ky institucion që prioritet duhet të ketë sigurinë ushqimore, hallin e ka tek zyrat dhe komoditeti i tyre. AKU kërkon 6.1 milionë euro buxhet për të zbukuruar zyrat pasi sipas saj janë të amortizuara.

“AKU (Autoriteti Kombëtar të Ushqimit) kërkon mbështetje shtesë me fonde në vlerën 614.1 milionë lekë për pajisje laboratorike, automjete, si dhe për rikonstruksion të godinave të AKU, ku shumica e godinave ekzistuese janë të amortizuara, të marra me qira ose nuk përmbushin kushtet teknike dhe higjieno-sanitare për zhvillimin e aktiviteteve inspektuese, laboratorike dhe administrative”, thuhet në kërkesën e bërë për buxhet shtesë për vitin 2026.