Lajmet e fundit

Nuk është nxehtësia, është lagështia: Çfarë fshihet pas këtij sezoni veror jashtëzakonisht “ngjitës”

By fikso

August 13, 2025

Vera e nxehtë nuk është një fenomen i panjohur për pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, por këtë vit, kombinimi i temperaturave të larta dhe lagështisë ka marrë një karakter vërtet kërcënues, duke na afruar më shumë se kurrë me pikën e thyerjes në një sezon tashmë të vështirë për t’u përballuar.

Temperaturat e kondensimit të ajrit, një matës i sasisë së lagështisë në ajër, kanë arritur shpesh nivele të larta, të ngjashme me një sauna. Është një tjetër mënyrë se si një klimë që po ngrohet nga ndotja me lëndë djegëse fosile po e ndryshon verën ashtu siç e njohim.

Një atmosferë e ngrohtë thith ujin si një sfungjer, duke rritur si temperaturat e ajrit, ashtu edhe ato të pikës së kondensimit, më shumë sesa do të ishin në një botë më të freskët. “Nxehtësia e verës, e përkeqësuar nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, po shoqërohet tani edhe nga ky faktor shtesë,” tha Shel Winkley, meteorolog në organizatën jofitimprurëse kërkimore Climate Central.

Për gati gjysmën e vendit, kombinimi i nxehtësisë dhe lagështisë këtë verë ka thyer rekorde deri tani: qershori dhe korriku kanë shënuar fillimin më të lagësht të sezonit në më shumë se 40 vjet, sipas një analize të CNN.

Gjatë kësaj vere, 22 shtete nga Lugina e Misisipit deri në Bregun Lindor kanë shënuar fillimin më të lagësht të verës që nga viti 1981, ndërsa në SHBA ka qenë vera e dytë më e lagësht në këtë periudhë. Lagështia ekstreme është ndjerë veçanërisht në Jug, ku pika e kondensimit ka qëndruar mbi 21°C dhe shpesh kanë arritur në rreth 27°C, duke çuar indeksin e nxehtësisë mbi 43°C. Edhe në Midwest, lagështia ka qenë shumë më e lartë se normalja, ndërsa pjesa perëndimore ka përjetuar kushte të përziera, me Nevada dhe Utah më të thata, Kaliforninë dhe Koloradon me nivele tipike.

“Supë” tropikale

Ajo që po ndodh si nën ashtu edhe mbi oqeanet pranë është fajtore për lagështinë e tepruar të kësaj vere.

Temperaturat e sipërfaqes së detit në Gjirin e Meksikës, Karaibe dhe Atlantik kanë qenë më të ngrohta se normalja këtë verë. Edhe pse temperaturat nuk janë në nivelet rekord që shënuan gjatë 2023 dhe 2024, gjurmët e ndryshimeve klimatike janë ende të dukshme në këtë nxehtësi oqeanike.

Për shembull, temperaturat më të larta se normalja të sipërfaqes së detit në Gjirin e Meksikës dhe në Atlantikun pranë Bregut Juglindor javën e kaluar kishin deri në 500 herë më shumë gjasa të ndodhnin për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas Climate Shift Index të Climate Central, shpjegoi Winkley.

Sa më shumë të ngrohen oqeanet, aq më shumë lagështi avullon në atmosferë. Një atmosferë më e ngrohtë vepron si sfungjer, duke thithur dhe transportuar lagështinë që lëshon oqeani.

Ajri i lagësht dhe i nxehtë ka lëvizur nga tropikët drejt veriut në pothuajse të gjitha rajonet në lindje gjatë gjithë verës, dhe në fakt për pjesën më të madhe të vitit.

Presioni i lartë i Bermudës ishte më i fortë se normalja në qershor dhe gjithashtu dukshëm më i fortë krahasuar me të njëjtën periudhë në 2023 dhe 2024, sipas të dhënave nga Universiteti i Kolumbias. Ky presion ka sjellë shpesh valë ajri të ngopur me ujë në SHBA, duke bërë që pikat e kondensimit të rriten në qiell dhe të mbushin atmosferën me lagështi që ushqen stuhi me përmbytje.

Vera po bëhet gjithnjë e më e nxehtë dhe e lagësht, cilat janë pasojat?

Ajri i lagësht po rrit indeksin e nxehtësisë dhe kjo është një prirje e rrezikshme: Kur lagështia është shumë e lartë, është shumë më e vështirë për trupin të ftohet natyrshëm.

Nxehtësia e shoqëruar me lagështi të lartë zhduk efektin freskues të djersitjes dhe vendos një ngarkesë shumë më të madhe mbi trupin. Kjo i lë njerëzit, sidomos ata pa mundësi qëndrimi në mjedise pa ajër të kondicionuar, shumë më të ndjeshëm ndaj lodhjes nga nxehtësia dhe goditjes termike.

Nivelet e larta të kondensimit gjithashtu parandalojnë që temperaturat e ajrit të bien ndjeshëm gjatë natës, duke bërë që netët të jenë më të ngrohta se normalja. Temperaturat e natës tashmë po preken më shumë nga ndryshimet klimatike, po ngrohen më shpejt se temperaturat e larta të ditës, dhe kur netët nuk ftohen mjaftueshëm për të ofruar lehtësim për trupin e mbinxehur, kjo e përshkallëzon situatën.

“Shumë prej nesh janë me fat që mund të shkojmë nga shtëpia me ajër të kondicionuar, në makinën me ajër të kondicionuar, e pastaj në vendin e punës me ajër të kondicionuar, por kjo nuk është e mundur për të gjithë,” tha Winkley. / CNN

 

The post Nuk është nxehtësia, është lagështia: Çfarë fshihet pas këtij sezoni veror jashtëzakonisht “ngjitës” appeared first on Revista Monitor.