Borxhi publik në tremujorin e parë të vitit është rritur me 550 milionë euro sipas shifrave të Ministrisë së Financave. Në total borxhi i Shqipërisë përllogaritet në 14.1 miliardë euro, nga 13.6 miliardë euro që ishte vjet.
Shkak për këtë rritje të borxhit është bërë marrja e eurobondit në tregun ndërkombëtar prej 650 milionë euro që do të përdoret për të shlyer borxhet e vjetra.
Por teksa shifrat flasin për një rritje të borxhit, kryetari i PS-së Edi Rama në çdo shesh ku ka bërë fushatë është mburrur me rënien e borxhit në raport me vitin 2013.
“Kemi gjetur një situatë shumë të rëndë, me shume borxhe dhe një situatë të rrezikshme. Borxhi ka qenë 70% zyrtarisht, por shumë i lartë në fakt me gjithë borxhin e fshehur, që ne e gjetëm dhe e adresuam dhe sot ne e kemi ulur në 54% që është brenda normës dhe që do të thotë që financat tona, do të thotë se ekonomia jonë janë mbi themele të sigurta”, tha Rama këtë të martë.
Por kryeministri kujdeset që kur flet për borxhin të flasë në përqindje në raport me prodhimin kombëtar të vendit, dhe asnjëherë në vlerë.
Pra edhe pse në përqindje borxhi rezulton në rënie pasi është rritur GDP, në vlerë borxhi vetëm është rritur.
Nga 8.8 miliardë euro që ishte stoku i borxhit në vitin 2013 ka arritur në 14.1 miliardë euro në 2025-ën.