Aktualitet

Ndërtuesit ‘qajnë’ për burgun e Veliajt! Nuk po marrin leje ndërtimi

By Fikso 1

August 29, 2025

Aferat korruptive që vijojnë të dalin në dritë nga hetimet e SPAK sa i takon lejeve të ndërtimeve, kanë frikësuar bashkitë të cilat po ngadalësojnë ritmin e aprovimit të tyre.

Sipas INSTAT në tremujorin e dytë të vitit u dhanë vetëm 352 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, duke shënuar një ulje prej 0,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u miratuan 354 leje.Në rënie të fortë është sipërfaqja që do të kenë këto ndërtime të reja.

Sipas raporti sipërfaqja e parashikuar për ndërtimet në këtë tremujor, është 278.389 m², duke shënuar një ulje prej nga 844.137 m² që ishte vjet në të njëjtën periudhë.

“Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierie) arriti në 18,4 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 45,5 %, krahasuar me një vit më parë (33,7 miliardë lekë)”, thuhet në raport.

Por nga ky raport evidentohet edhe një fakt tjetër, që ‘kërdia’ me ndërtimet është bërë nga Tirana. Menjëherë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj në shkurt të këtij viti, është frenuar dhënia e lejeve, duke bërë që Tirana të zbresë nga froni ku qëndronte prej vitesh me numrin më të lartë të lejeve të ndërtimin. Kryesimin tanimë e ka marrë Durrësi, i cili ka 50% të totalit të lejeve të miratuara në këtë tremujor.

“Qarku i Durrësit mban peshën kryesore me 156 leje ndërtimi të reja dhe sipërfaqe ndërtimi 129.617 m². Rritje domethënëse e vlerës së projekteve ndërtimore u regjistrua në qarqet Durrës, Korçë dhe Shkodër”, thuhet në raport.

Por teksa bashkitë po tregohen ‘të kujdesshme’, kompetencat për të miratuar lejet për kullat gjigande i ka marrë në dorë vetë kryeministri, fakt ky i konfirmuar edhe nga INSTAT që ankohet se institucionet shtetërore nuk raportojnë sesa leje ndërtimi kanë miratuar.

“Botimi i statistikave mbi lejet e ndërtimit mbështetet aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve. Megjithatë, VKM nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar*, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse, përveç bashkive. Duke qenë se ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT, të dhënat e publikuara për tremujorin e dytë bazohen vetëm në burimet bashkiake. Për këtë arsye, publikimi aktual nuk mund të krahasohet plotësisht me periudhat e ardhshme, deri në momentin që të gjitha institucionet përgjegjëse do të përfshihen në mënyrë të unifikuar në procesin e raportimit statistikor”, thuhet në raportin e INSTAT.

Të gjitha vendimet për kullat dhe resortet miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit i cili varet direkt nga Kryeministri. Pak javë më parë kryeministri ja shtoi kompetencat vetes pasi vendosi që të gjitha lejet përgjatë vijës bregdetare do të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Po ky institucion do të miratojë edhe lejet për objektet ndërtimore që shtrihen përgjatë bregdetit jo në brezin e parë të detin nëse ndërtimi do të jetë mbi 6 kate.