Rreth 160 persona janë arrestuar në Milano gjatë katër orëve të fundit, pas incidenteve të reja të regjistruara në zonën qendrore të qytetit.
Raportohet se 80% e të ndaluarve janë të mitur. Ndaj tyre mund të nisë edhe procedim penal për shkaktim dëmesh dhe rezistencë ndaj zbatimit të ligjit.
Ngjarjet u përqendruan edhe në Via Torino, një prej zonave më të njohura tregtare të Milanos. Grupe të rinjsh dëmtuan dyqane, duke nxjerrë tavolina e karrige nga bizneset. Në shënjestër u vunë veçanërisht dyqanet e veshjeve dhe këpucëve, ndërsa kazanët e mbeturinave u zhvendosën në rrugë.
Media italiane raportojnë se disa prej të rinjve hynë me forcë në një dyqan dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme. Si masë paraprake, stacioni i metrosë në Piazza Duomo vijon të jetë i mbyllur.
Oficerët e policisë të plagosur gjatë përleshjeve të djeshme deklaruan për mediat italiane se duhet të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për përballimin e kësaj situate të vështirë dhe për garantimin e sigurisë së banorëve dhe turistëve.
The post Milano nën tension: 160 të arrestuar brenda katër orësh, dëmtime dhe plaçkitje në qendër appeared first on Albeu.com.